Kosova nën kërcënimin e grupeve kriminale

Këshilli për Siguri i Kosovës, përmes një komunikate për opinion u është drejtuar të premten qytetarëve të Kosovës, për t’i njoftuar ata se “institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues”.

Në komunikatë thuhet gjithashtu se “grupe të tilla kanë planifikuar të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës”.

Këshilli për Siguri i Kosovës, ka vlerësuar se veprimet e tilla “mund të jenë të lidhura me njerëz me të kaluar të dyshimtë, që punojnë me grupe dhe shërbime të disa vendeve dhe mund të kenë lidhje me persona të inkriminuar në konflikte jashtë Kosovës, si dhe me vende të caktuara, të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës”, thuhet në komunikatën e këtij këshilli.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka komentuar situatën e sigurisë në vend dhe i ka ftuar qytetarët për vigjilencë.

“Ftoj të gjithë qytetarët e vendit tonë që të jenë sa më vigjilentë, në mënyrë që Kosova të mos shndërrohet pre e asnjë lufte speciale, e cila vjen nga faktorët, të cilët e atakojnë çdo ditë Republikën e Kosovës. Kosova është vend stabil. Kosova është vend i orientuar tërësisht perëndimor. Kosova është vend evropian, është vend i cili e ndërton dhe çdo ditë e çimenton miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë faktorët që tentojnë destabilizimin e Kosovës, janë faktorë të cilët janë kundër shtetit të Kosovës”, ka thënë Veseli.

Në anën tjetër, ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, përmes faqes zyrtare, kanë këshilluar qytetarët amerikanë të kenë kujdes të veçantë gjatë pushimeve të ardhshme fetare (Festën e Pashkëve) dhe gjatë pjesëmarrjes në festivale apo ngjarje të caktuara.

“Terroristët në rajon më parë kanë pasur caqe objektet e ndjeshme, përfshirë kishat dhe objektet e kulteve tjera, qendrat e këmbësorëve, arenat sportive, sallat e koncerteve dhe tubimet publike”, është thënë në komunikatën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Në rrugët magjistrale Kosovë, si dhe në sheshet dhe zonat me qarkullim më të dendur të qytetarëve, është vërejtur prani e shtuar e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Zëvendësministri i Punëve të brendshme i Qeverisë së Kosovës, Valdet Hoxha, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se vlerësimi i kësaj ministrie është se gjendja aktuale e sigurisë së përgjithshme në vend është e qetë dhe stabile.

“Në këtë kuptim, Policia e Kosovës, si një nga agjencitë më të mëdha dhe nga agjencitë kompetente për sigurinë në vend, është duke i zhvilluar dhe planifikuar disa veprime operacionale të zakonshme në prag të festave. Siç e dini, tani jemi në prag të festave të Pashkëve dhe po zhvillohen disa veprime operacionale, në kuptim të parandalimit të ndonjë incidenti të mundshëm, por që nuk ka ndonjë rrezik konkret apo ndonjë kërcënim konkret lidhur me ndodhjen e ndonjë akti të mundshëm”.

Sidoqoftë, Këshilli për Siguri i Kosovës, në komunikatën për opinion, ka thënë se, “institucionet e Kosovës po ndërmarrin të gjitha veprimet për ruajtjen e rendit kushtetues, për sigurinë dhe mbrojtjen e jetës së liderëve shtetërorë dhe politikë dhe të njerëzve të tjerë të rrezikuar nga grupe kriminale”. (REL)