Vendimi për Haradinajn shtyhet për 27 prill

Ramush Haradinaj në një gjykatë në Colmare të Francës

Një gjykatë në Colmar të Francës ka vendosur që të shtyjë për 27 prill një vendim për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ekstradimin e të cilit e kanë kërkuar prej disa muajsh autoritetet në Serbi.

Haradinaj u paraqit të enjten, përpara gjykatës në Colmar por trupi gjykues kërkoi tri javë të tjera afat për t’i shqyrtuar argumentet shtesë të deponuara nga Prokuroria Speciale e Serbisë.

Autoritetet serbe kanë prezantuar, siç thonë, dokumente të reja me të cilat akuzojnë Ramush Haradinajn për, siç thonë, krime lufte të kryera në Kosovë në vitin 1998-1999.

Pas përfundimit të seancës Haradinaj deklaroi se drejtësia do të fitojë.

"Është vendosur që një vendim të merret më 27 prill. Deri atëherë po presim edhe pak. Jemi në të drejtën dhe e drejta ka për të fituar", tha Haradinaj.

Ai tha se kërkesa e Serbisë për ekstradim është ‘e pabazuar dhe politike’ dhe e cilësoi ‘abuzim’.

Unë nuk kam ikur nga ligji as i Kosovës e as nga ai i huaj [ndërkombëtar]. Më 29 nëntor 2012, ka ndodhur e vërteta, është konfirmuar kush jam dhe sa i pastër jam. Juridiksionin e Serbisë nuk e njoh dhe nuk do ta njoh kurrë. Jemi ndarë nga ta dhe përgjigjen sa herë që e kërkojnë e marrin njëjtë. Siç edhe e kanë marrë", tha Haradinaj.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u paraqit të enjten për të tretën herë në seancat gjyqësore në Colmar të Francës, që prej se u ndalua në janar të këtij viti në aeroportin e Bazelit nga policia franceze, mbi bazën e një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Serbisë.

Prokuroria Speciale e Serbisë, menjëherë pas ndalimit paraqiti kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi, për t’u përballur, siç tha, me akuzat e pretenduara për krime lufte.

Por Haradinaj ka përsëritur se pafajësia e tij është vërtetuar dy herë me proceset gjyqësore ndaj tij të zhvilluara në Tribunalin e Hagës për krime lufte ne ish-Jugosllavi.

"Baza e ndalimit tim është krejtësisht politike. Do të thotë aktakuza burimin e ka në vitin 2004, një aktakuzë që është nisur përpara proceseve gjyqësore që i kam kaluar në Tribunalin e Hagës. Në të vërtetë këto gjëra në Francë ndodhin, procesi është gjyqësor, por baza e këtij procesi është krejtësisht politik", tha Haradinaj.

Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni në bazë të fletarrestit të policisë së Serbisë të vitit 2004 dhe qe mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë.

Zoti Haradinaj u shpall në vitin 2012, i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte nga një Gjykatë Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi.

Rigjykimi në vitin 2012, u bë katër vjet pas një vendimi të së njëjtës Gjykatë e cila më 2008 e nxori të pafajshëm nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për shkelje të ligjeve të luftës.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës.

Ai u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën e Hagës, pasi prokuroria e akuzoi atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj, për krime lufte. (REL)