Ushtria ‘përplas’ Kosovën me faktorin ndërkombëtar

Forca e Sigurisë së Kosovës

Zëdhënësja e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Michelle Schohn, i tha Radios Evropa e Lirë në një përgjigje me shkrim, se "Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura, përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës që çon drejt ndryshimeve Kushtetuese".

Schohn tha se "e vetmja mënyrë për të arritur këtë është përmes përpjekjeve të qarta për t'iu qasur komuniteteve me qëllim të sigurimit të mbështetjes së tyre".

"Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara që të punojnë me Kosovën në këtë rrugë", thuhet në një përgjigje me shkrim të zëdhënëses së ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Deklarimet e ambasadës së SHBA-së erdhën në kohën kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka këmbëngulur në procedimin e projektligjit të hartuar nga zyra e tij për shndërrimin e FSK-së në një ushtri të Kosovës.

Më shumë se një javë më parë Thaci dërgoi në Kuvendin e Kosovës projekt ligjin, duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të NATO-s dhe të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, që e kanë cilësuar “hap të njëanshëm”.

Por, presidenti Thaçi, që ka ‘kërcënuar pak ditë më parë me dorëheqje në rast të mosvotimit të ushtrisë së Kosovës në Kuvend’, ka ripërsëritur garancitë për partnerët ndërkombëtarë se i gjithë procesi i transformimit do të zbatohet në koordinim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.

Nisma e presidentit Thaçi ndërkaq shënon reagimin e parë të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara, një vend ky që ka ndihmuar Kosovën në proceset më të rëndësishme të saj përfshirë dhe shpalljen e pavarësisë së vendit.

Analistët në Kosovë thonë se vendimet e mundshme për ta çuar përpara Ligjin për ushtrinë mund të acarojnë më tepër raportet e Kosovës me faktorët ndërkombëtare dhe të vënë në rrezik ato.

Ilir Ibrahimi, analist politik, i tha Radios Evropa e Lirë se hapat që çojnë drejt përplasjes me ndërkombëtarët nuk janë as të mençur dhe as serioz.

"Po shihet se jemi duke shkuar në atë drejtim. Kjo nuk është në interesin e Kosovës sepse Kosova e ka arritur atë që e ka deri tani duke iu falënderuar këtij partneriteti. Tani nuk e di se çfarë ushtrie mund të bëjmë nëse nuk ka përkrahjen e SHBA-së dhe NATO-s. Sa e fortë do të jetë ajo ushtri që do të mund ta bëjë një shtet i vogël si Kosova, kur kemi një acarim të marrëdhënieve të mburojës së sigurisë së Kosovës që e kemi pasur deri tani. Prandaj nuk më duket hap serioz e as i mençur", tha Ibrahimi.

Për politologun, Ramush Tahiri, marrëdhëniet ndërmjet faktorit ndërkombëtar që kanë ndihmuar Kosovën dhe institucioneve të Kosovës po acarohen sepse, thotë ai, faktori ndërkombëtar, ambasadat po edhe NATO-ja, po insistojnë që Kosova ta ketë ushtrinë me ndryshimet kushtetuese.

"Duket se palët kanë hyrë në këtë çështje dhe nuk mund të dalin në mënyrë të dinjitetshme. Unë supozoj se do të shkohet deri në fund dhe nuk do të tërhiqet ligji, aq më parë që e kemi kërcënimin e presidentit për dorëheqje. Mirëpo aplikimi i ligjit do të shtyhet. Unë mendoj se kjo do të jetë zgjidhja e kompromisit dhe ndërkohë do të gjendet modaliteti se si do të inkorporohet në kushtetutë dhe si të ketë miratim parlamentar", tha Tahiri.

Sipas tij, edhe nëse Kuvendi e miraton Ligjin për ushtri, ai do të marrë kohë deri sa të zbatohet dhe Kosova ta ketë ushtrinë e saj.

"Nuk do të prishen marrëdhëniet menjëherë me faktorin ndërkombëtar, sepse [ligji] nuk do të prodhojë ndonjë efekt praktik. Unë mendoj se megjithëse duket se nuk është nisur krejt mirë, Kosova ka nevojë për ushtri, Kosova ka nevojë për partneritet ndërkombëtar edhe është kusht për të pasur ushtri. Dhe gjithashtu partneriteti ndërkombëtar është domethënës edhe sa i përket vet stabilitetit dhe sovranitetit të Kosovës", tha Tahiri.

Por, për analistin Ilir Ibrahimi, Ligji për shndërrimin e FSK-së në ushtri nuk do të votohet në Kuvendin e Kosovës pasi, sipas tij, gjithë kjo zhurmë po bëhet për qëllime të caktuara të partive politike.

"Unë nuk besoj se kjo çështje nuk do të shkojë me tutje, sepse në fund të fundit do të shihet se nuk do të mund të shkojë pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara. Shpresoj që në këtë vend tonin ka ende mendje të cilat mendojnë pak më shumë sesa interesat partiake dhe do të ulen për të pasur një koordinim me partnerët tanë strategjik. Nëse ne e kemi arritur pavarësinë në partneritet me SHBA-të, që është shumë më e madhe se ushtria, atëherë ta prishim këtë partneritet për të formuar ushtrinë me duket një gjë shumë e gabuar", tha Ibrahimi.

Megjithëkëtë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, një nismëtar i ndryshimit të Ligjit për shndërrimin e FSK-së në ushtri, ka vazhduar përpjekjet e tij për të bindur edhe pjesëtarët e pakicave në Kosovë që ta votojnë ligjin.

Në vitin 2014, përplasjet rreth çështjes së ushtrisë së Kosovës çuan vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Forca e sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës.

Tre vjet më parë ajo përmbushi kapacitetet operacionale dhe autoritetet në vend nisën procesin e rishikimit të sektorit të sigurisë duke kërkuar më shumë kompetenca për FSK-në që do të çonte drejt krijimit të ushtrisë.

Kjo megjithatë duhej të bëhej me ndryshimet kushtetuese që kërkojnë dy të tretat e deputetëve përfshirë dhe dy të tretat e deputetëve të pakicave. Por, kundërshtimi i deputetëve serbë të mbështetur nga Beogradi zyrtar ka penguar procesin e ndryshimeve kushtetuese. (REL)