Autoritetet në Kosovë, thonë se integrimi i sistemit të drejtësisë në veri të vendit ka mbetur i ngrirë si pasojë e zhvillimeve politike, mos zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe bllokimit të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sistemi i drejtësisë në veri, për 17 vite është organizuar dhe ka funksionuar paralelisht me atë të Kosovës. Me qëllim të integrimit, Prishtina dhe Beogradi patën arritur një marrëveshje, por e cila nuk po zbatohet ende.
Ministria për Dialog në Qeverinë e Kosovës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë ka bërë më dije se "ministrja Edita Tahiri ka pezulluar çdo bisedë për dialogun derisa është në fuqi rezoluta e Kuvendit të Kosovës për pezullimin e bisedimeve".
Kurse, Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës kanë kryer të gjitha obligimet dhe kanë respektuar marrëveshjet për drejtësi të arritur në dialogun Prishtinë - Beograd.
Hoxha tha po ashtu se ministria ka kryer të gjitha për punët për kandidatët serbë që kanë aplikuar për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës.
"Ne i kemi përfunduar obligimet tonë që kemi pasur, pra në marrëveshjen për drejtësi. Ne jemi gati të vazhdojmë t'i licencojmë dhe të bëhet betimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe të tjerëve. Mirëpo në anën tjetër mbetet që edhe pjesa tjetër e marrëveshjes të zbatohet", tha Hoxha.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha për Radion Evropa e Lirë se shtrirja e sistemit të drejtësisë ka mbetur në udhëkryq për shkak të rrethanave të krijuara në veri të Kosovës dhe ndërprerjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
"Rrethanat që u krijuan për shkak të murit dhe trenit, dhe ngjarjet që u zhvilluan, kjo punë ka mbetur ende në nivelin e Ministrisë për Dialog për tu konsultuar në Bruksel. Kur të normalizohen raportet dhe të krijohen rrethanat, atëherë do të procedohet tutje. Pra, pengesa është për shkak të rrethanave që u krijuan në ndërkohë", tha Idrizi.
Këshilli Gjyqësor Kosovës, sipas tij, ka përfunduar të gjitha punët sa i takon intervistimittë kandidatëve për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës.
Megjithatë, ai theksoi se emrat e kandidateve potencial [grupit të dytë] nuk janë dërguar në presidence për dekretim.
"Ne kemi mbetur edhe njëherë për t'i proceduar. Ne momentin që do të marrim sinjalin ne do të veprojmë. Në presidencë ka shkuar vetëm grupi i parë, por ka mbetur që edhe një herë të ripërsëritet dhe të dërgohet edhe një herë si grup në tërësi", tha Idrizi.
Lidhur me çështjen e mos dërgimit të emrave për dekretim, ministrja Hoxha tha se një gjë e tillë nuk mund të ndodh përderisa ka ende gjyqtarë e prokurorë në veri që janë pjese e sistemit të drejtësisë së Serbisë.
"Ne nuk mund ta bëjmë procedimin e betimit apo listave të gjyqtarëve dhe prokurorëve që duhet të betohen, nëse ata veç ende janë duke punuar si gjyqtarë në një shtet tjetër", tha Hoxha
Emrat e 34 gjyqtarëve serbë, që pritet të punojnë në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës, në fund të vitit nuk u dekretuan nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pasi që siç është thënë, kanë kaluar afatet ligjore për emërimin e tyre.
Marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për integrimin e sistemit gjyqësor në veri, ishte arritur në dialogun e Brukselit, më 2015.
Pas një rishikimi të marrëveshjes, zbatimi i saj ishte caktuar për datën 10 dhe më pas 17 janar të këtij viti. Por, kjo nuk kishte ndodhur.
Numrit i përgjithshëm i gjyqtarëve që do të pranohen që të punojnë në veri të Kosovës është paraparë të jetë 48 gjyqtarë kryesisht nga komuniteti serb. (REL)