Familjarët: Pajtimi kërkon të vërtetën

Fotografi nga përkujtimi i personave të zhdukur, Prill 2013

Një nismë e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, për krijimin e një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, që sipas tij, do të hapte një kapitull të ri “në raportet ndëretnike në vend”, është parë me shumë dilema në mesin e dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarë dhe serbë.

Që prej përfundimit të luftës në Kosovë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë njoftuar se edhe mbi 1600 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur ndërkohë që familjarët e tyre thonë se ideja e Thaçit për pajtim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve është ende e hershme meqë, sipas tyre, ‘plagët nga lufta nuk janë mbyllur’.

Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, i tha Radios Evropa e Lirë, se përpara pajtimit duhet të dihet deri në fund e vërteta se çka ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës.

"... pas saj vjen pajtimi. Por, pa dalë në dritë e vërteta nuk ka... për të gjithë edhe për popullatën shqiptare, serbe,malazeze etj", tha Qerkini.

Sipas tij ‘çështja e pajtimit mund të marrë më shumë kohë dhe ajo nuk mund të përmbyllet shpejt’.

“Të enjten bëhet një gërmim [për varrezë të dyshuar] në Mitrovicë midis qytetit te ura e lumit Ibër. Ka ende gjëra të freskëta dhe pajtimi një herë nuk mund të behet", tha Qerkini.

Njëkohësisht me deklarimet e familjarëve të të zhdukurve shqiptarë edhe ata të komunitetit serb në Kosovë thanë se zbardhja e fatit të të zhdukurve është thelbësore për të nisur një proces të pajtimit, megjithëse nuk e kundërshtuan idenë e presidentit Thaci.

Milorad Trifunoviq nga Shoqata e të zhdukurve serbë në Kosovë, ka deklaruar se çdo gjë mund të kompensohet por jo edhe jeta e njeriut. Ai ka thënë se duhet që njerëzit të ecin përpara e të pajtohen.

"Le të shohim drejt të ardhmes. Po që të shohim drejt të ardhmes duhet të kthehemi pak edhe prapa. Sepse në mesin tonë, që jemi viktima, duam që të zbardhim fatin e të zhdukurve, duam të vijmë deri tek e vërteta për ata njerëz që kryer krimet. Duam që ata të gjykohen për shkak të gjeneratave të reja, për rininë tonë, që do të ecin drejt jetës dhe që ta kuptojnë se krimi nuk mund të mbetet i pa ndëshkuar", ka deklaruar Trifunaoviq.

Ideja për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, nënkuptonte sic tha presidenti Thaçi, “nisjen e dialogut të hapur brenda komuniteteve në Kosovë mbi bazën e pajtimit të shëndoshë”.

"Është shumë e dhimbshme të shohësh që sot, edhe gjeneratat që kanë lindur pas lufte, e shikojnë palën tjetër, i shikojnë moshatarët e komunitetit tjetër si armiq dhe si rrezik, e jo si fqinj, si bashkëqytetarë", tha Thaçi.

Një numër varrezash masive u gjetën në brendi të territorit të Serbisë dhe trupat e pajetë të shqiptarëve të zhvendosur nga Kosova pas përfundimit të luftës nga forcat serbe të sigurimit, që provuan të fshehin gjurmë të krimeve të kryera, thanë organizatat për të drejtat e njeriut, u janë dorëzuar në intervale të ndryshme kohore familjeve të tyre.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, në një dokument në fillim të vitit, mbi “fshehjen e trupave të shqiptarëve të Kosovës” tha se “prej vitit 2001, në varrezat masive që janë zbuluar në Serbi, janë gjetur 941 trupa të shqiptarëve, shumica civilë që janë vrarë gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999”.

Sipas dokumentit, zyrtarët më të lartë të qeverisë, më sakt Ministrisë së Brendshme të asaj kohe në Serbi, dhe departamentet e ushtrisë së ish Jugosllavisë kanë qenë të përfshirë në fshehjen e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se mundësia e realizimit në praktikë të nismës së presidentit Thaçi është në rregull, por sipas tij çështja e pajtimit gjithmonë zgjatë shumë.

"Parakusht që të kryhet ky proces është që të gjendet e vërteta dhe të pranohet ajo dhe të pranohen viktimat e një lufte ose një konflikti dhe pastaj pajtimi shkon gradualisht dhe është çështje e cila nuk mund të thuhet kurrë se ja përfundoi tani", tha Blakaj.

Ideja për Komisionin e Pajtimit dhe të Vërtetës është cilësuar si një hap i rëndësishëm në rrugën e “stabilizimit të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve” por përfaqësues të organizatave qoftë vendore dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, kanë kërkuar që “drejtësia të kryej punën e saj pavarësisht”.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se kanë kërkuar nga BE-ja që çështja e të pagjeturve të bëhet pjesë e bisedave me Beogradin zyrtar për të gjetur zgjidhjen për të gjithë personat e zhdukur. (REL)