Retorika e ashpër e përdorur javëve të fundit nga autoritetet e larta të Serbisë dhe Kosovës, në adresë të njërës dhe palës tjetër, ka karakterizuar raportet edhe ashtu tejet të brishta në esencë ndërmjet dy vendeve, të cilat synonin përmirësimin e marrëdhënieve nëpërmjet dialogut në Bruksel.
Diskursi i tillë, me akuza dhe tone nxitëse, në momente të caktuara, ka ngjallur drojën në Kosovë nga një përplasje e mundshme e armatosur, vlerësojnë në rubrikën e përjavshme “Fokus” të Radios Evropa e Lirë, njohësit e zhvillimeve politike në vend, shqiptarë dhe serbë.
Mbjellja e frikës
Politologu Belul Beqaj, profesor i Shkencave Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se retorika e ashpër e liderëve të Kosovës dhe Serbisë është indikatori më serioz se dialogu që po zhvillohet në Bruksel që nga viti 2011, nuk i ka realizuar objektivat e parashtruar. Ai shpreh mendimin se ashpërsimi i retorikës nga palët nuk është i rastësishëm, pas zhvillimeve në skenën e politikës botërore dhe ambicieve, siç thotë ai, të Rusisë në Ballkanin perëndimor.
“Mendoj që kryeministri i Serbisë (Aleksandar Vuçiq) është duke nxitur luftë, por edhe kryetari i Kosovës (Hashim Thaçi) po thotë se serbët në veri të Kosovës po furnizohen me armatim nga Serbia. Nuk mendoj se ashpërsimi është i rastit. Aktorët në Serbi dhe në Kosovë po shpresojnë, ndoshta tinëz, se mund të ndërrohet skenari i zgjidhjeve të konflikteve të pazgjidhura. Ashtu që të krijohen shtetet etnike, që sipas mendimit tim, është një aventurë që mund të shkaktojë pasoja vështirë të riparueshme në Ballkanin e dërmuar nga luftërat shekullore”, thotë Beqaj.
Marko Jakshiq nga Mitrovica e veriut, njohës i zhvillimeve në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se elitat politike në Prishtinë dhe Beograd, pa nevojë kanë përdorur diskurs me, siç i quan ai, fjalë të rënda, të cilat shkaktojnë frikë te qytetarët.
“Unë mendoj që qytetarët, njerëzit e thjeshtë janë të brengosur për disa tema ekzistenciale dhe jo për mure, ura dhe trena. Nëse diçka do të shpërthente, kjo do të ndodhte sepse ato elita politike do t’i shfrytëzonin mjetet e dhunës, të cilat i kanë në duart e tyre. Retorika e tyre është vetëm vazhdimësi e bisedimeve të pakuptimta në Bruksel, që do të duhej të udhëhiqeshin në format tjetër, në të cilin do të duhej të përfshiheshin ata që më së shumti janë të interesuar për pajtim dhe për normalizim të marrëdhënieve. E këta janë banorët nga të dyja anët e lumit Ibër ”, vlerëson Jakshiq.
Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se të dyja palët, liderët politikë në Serbi dhe ata në Kosovë, po krijojnë psikozë lufte qëllimisht, për t’i fshehur ose zvarritur zgjidhjet e problemeve ekzistenciale, me të cilat ballafaqohen qytetarët e të dyja vendeve.
“Natyrisht që Serbia ka provokuar rëndë, qoftë me ndërtimin e murit, qoftë me trenin. Mirëpo, në anën tjetër edhe përgjigja që ka ardhur nga zyrtarët e Kosovës nuk i ka lënë asgjë mangët retorikës nacionaliste, shprehjeve nacionaliste dhe është krijuar përshtypja se lufta është në prag”, thotë Mushkolaj.
Shkëmbim “kërcënimesh”
Miratimi i një rezolute nga Kuvendi i Kosovës për rrënimin e një muri të ngritur në Mitrovicë të veriut nga autoritetet e atjeshme lokale, ndalimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për ardhmërinë e Kosovës, nga autoritetet franceze bazuar në një fletë-arrest të Serbisë në Interpol, si dhe tentimit i Serbisë për ta dërguar një tren me ngjyrat e shtetit serb dhe me ikonografi ortodokse serbe, nga Beogradi për në Mitrovicë të veriut, ishin shkaktarët e tensionimit të situatës.
Por, sidomos çështja e trenit, më 14 janar, e cila u pa si provokim i shtetit serb, ishte shkak që autoritetet e Kosovës të dërgojnë njësitë speciale të policisë në pikën kufitare në Jarinë, në veri të vendit, për ta bllokuar hyrjen e trenit.
Pas kësaj, pësuan deklarata mjaft të ashpra nga autoritete serbe.
Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq, një ditë pas ngjarjes kishte thënë se shqiptarët po duan luftë.
“Paraqitja e njësive ROSU ishte shenjë që shqiptarët po duan luftë. Ajo njësi nuk do të mund të dilte nga Jarina. Në qoftë se do t’i vrasin serbët, jo vetëm me ushtri, por të gjithë do të shkojmë atje. Madje edhe unë do të shkoj dhe këtë nuk e kam për herë të parë”, ishte shprehur Nikoliq.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili kishte thënë se Serbia po i armatosë serbët e veriut, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, dy ditë pas ngjarjes me trenin, pati thënë se Serbia po kërcënon dhe se ajo ka skenar lufte që për qëllim ka aneksimin dhe ndarjen e një pjese të Kosovës..
“Serbia është e gatshme që t’i sakrifikojë dhe viktimizojë qytetarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, për qëllimet e saj politike dhe ushtarake”, pati theksuar Thaçi.
Deklarata me tone të ashpra pati edhe nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq:
“Lutja ime për shqiptarët- le ta interpretojnë si të duan- është që të mos tentojnë ta sulmojnë me armë popullin serb në Kosovë, sepse Serbia nuk do t’i lejojë”.
As takimi i ftuar në Bruksel më 24 janar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ky morën pjesë të dyja palët , në nivel përfaqësimi të presidentëve dhe kryeministrave, nuk e eliminoi retorikën e ashpër, pavarësisht përkushtimit të shprehur të palëve për ulje të tensioneve. Kjo nuk ndodhi tërësisht as pas takimit të dytë më 1 shkurt, me format të njëjtë të përfaqësimit.
Retorikë nacionaliste për “konsum të brendshëm”
Motivet e retorikës së ashpër nga të dyja palët, sipas politologut Beqaj, nuk janë të njëjta në Kosovë dhe në Serbi.
“Serbia e ka një lidership nacionalist, autoritar dhe është para zgjedhjeve presidenciale dhe e përdor këtë retorikë nacionaliste meqë Serbia kurrë nuk është dekontaminuar nga nacionalizmi. Kjo ‘ndez’ prapë, si propagandë fitimprurëse në zgjedhjet presidenciale. Në anën tjetër, retorika e kryetarit Thaçi ka motive tjera. Ai, në të njëjtën kohë,po u vardiset qytetarëve të Kosovës, por më duket se më shumë po u vardiset ndërkombëtarëve, duke dëshmuar se çdo gjë varet nga ai”, vlerëson Beqaj.
Njohësi i zhvillimeve politike, Jakshiq, konsideron se e gjithë kjo retorikë është vetëm fushatë parazgjedhore:
“Kjo çfarë thonë dhe çfarë po bëjnë, është tentim për t’u pozicionuar sa më mirë para zgjedhjeve në Serbi, në muajin prill. Do të kemi zgjedhje presidenciale e me siguri edhe parlamentare të jashtëzakonshme. Gjithashtu, janë të mundshme edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare edhe në Kosovë, të cilat mund të mbahen njëkohësisht me zgjedhjet lokale, kah fundi i vitit”.
Edhe analisti Mushkolaj shpreh mendimin se e gjithë kjo retorikë e ashpër është për, siç thotë ai, pikë politike.
“Besoj se përfaqësuesit e të dyja vendeve janë të vetëdijshëm për rrezikun që mund ta shkaktojë kjo gjuhë, kjo retorikë dhe kjo ‘lojë e ndyrë’. Mirëpo, duket se ata e dinë se ku e kanë kufirin që nuk mund ta kalojnë, për shkak se pastaj ju rrëshqet nga duart situata dhe nuk mund ta ndalin”, thotë Mushkolaj.
Së fundmi, zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre me “deklaratat nxitëse” të të dyja palëve, duke thënë se “përparimi në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësisë më të madhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërmjet dy palëve dhe në rajon”.(REL)