Pezullohen 21 OJQ "të rrezikshme"

Ilustrim

Të paktën 21 organizatave jo qeveritare iu është pezulluar veprimtaria brenda vitit 2016, me vendim të autoriteteve të rendit në Kosovë për shkak të, siç thuhet, aktiviteteve të jashtëligjshme.

Një liste prej 13 organizatash që u pezulluan në vitin 2015, i është shtuar edhe numri prej 8 organizatave të tjera, një vit më vonë (2016), duke rritur numrin e OJQ-ve të përfshira në veprimtari të paligjshme.

Vendimi për pezullimin e aktiviteteve të këtyre organizatave, i marrë nga Ministria e Administratës Publike në Kosovë, është ripërsëritur vit pas viti që prej vitit 2014 me dyshimin “se kanë rënë ndesh me rendin Kushtetues të Kosovës dhe kanë cenuar sigurinë e përgjithshme”.

Zyrtarët e Ministrisë së Administratës Publike thanë për Radion Evropa e Lirë, se pezullimi i veprimtarive të OJQ-ve të caktuara, u “bazua në kërkesën e organeve kompetente dhe ai është ripërsëritur”.

Bajram Kosumi drejtor i Departamentit për Organizatat Joqeveritare në Ministrinë e Administratës Publike, tha se “janë gjithsej 21 organizata joqeveritare ndaj të cilave departamenti për OJQ ka marrë vendim për pezullim të veprimtarisë së tyre gjatë vitit të kaluar”..

"Organizatat për të cilat është marrë vendimi që t’u pezullohet puna janë kryesisht ndërkombëtare", tha Kosumi.

Sipas listës së Ministrisë së Administratës Publike, organizatat joqeveritare të cilave u është hequr e drejta për të punuar në Kosovë, kanë shtrirë veprimtarinë në gjithë territorin e vendit.

Një pjesë e tyre kanë punuar në jug të Kosovës në qytetin e Prizrenit dhe një numër syresh të regjistruara në Prishtinë kanë shtrirë, thonë zyrtarë qeveritarë, aktivitetin në pjesën qendrore të vendit.

Veprimtaria e paligjshme në fushën mikrofinanciare, ndërkaq, i kushtoi me mbyllje, pak kohë më parë, njërës organizatë joqeveritare, thanë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës.

Një zyrtar i BQK-së, Besnik Kada, i tha Radios Evropa e Lirë se “në vitin 2014 kanë hasur në një institucion të dyshimtë mikrofinanciar, të cilit i është ndaluar veprimtaria”.

“Në këtë drejtim, theksohet rasti i vendimit të BQK-së i datës 25 shtator 2014, ndaj IMF Kosova Aid and Development të cilit i pezullohen të gjitha aktivitetet e lejuara me regjistrimin e datës 2 dhjetor 2015 të lëshuar nga BQK-ja me arsyetimin se:

"Me datë 17 shtator 2014 Ministria e Administratës Publike, Departamenti për Organizata Jo-Qeveritare ka nxjerrë vendim përmes të cilit ka pezulluar veprimtarinë e Organizatës Joqeveritare “Kosova Aid and Development” pas kërkesës që i është bërë nga organet kompetente të sigurisë”, ka thënë Kada në një përgjigje përmes postës elektronike.

Ndërkohë, vendimi për pezullimin e punës së 21 OJQ-ve ndërkombëtare në Kosovë gjatë vitit 2016 u mor, siç i thanë Radios Evropa e Lirë mekanizmat e sigurisë në Kosovë, për faktin “e përkrahjes dhe shtytjes së ideve ekstremiste, mos arsyetimit të shpenzimeve të donatorëve si dhe mos raportimit në Ministrinë e Administratës Publike të aktiviteteve vjetore”.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, njëkohësisht koordinator nacional kundër terrorizmit, tha se mekanizmat e sigurisë në Kosovë po i përcjellin me kujdes aktivitetet dhe “organizimet e ndryshme që vlerësohen si të dyshimta dhe të kundërligjshme” dhe nënvizoi se përveç OJQ-ve këtu përfshihen edhe “individë të caktuar”

"Është fjala për individë të cilët mund të kenë kaluar në OJQ-të e tjera, pas pezullimit të OJQ-ve në të cilat kanë vepruar e të cilat janë pezulluar nga MAP, për shkak të aktiviteteve të cilat bien ndesh me ligjin", tha zëvendësministri i brendshëm, Hoxha.

Vazhdimin e veprimtarive të ‘paligjshme të individëve’, të cilëve u janë mbyllur OJQ-të me vendim të autoriteteve pak kohë më parë, e kanë pohuar edhe predikues të fesë.

Imami i një xhamie në qytetin e Podujevës, Idriz Bilalli, i tha Radios Evropa e Lirë se ‘individë të caktuar po vazhdojnë punën e tyre pavarësisht pezullimit’ dhe, siç tha, “për këtë është në dijeni edhe vetë Bashkësia Islame”.

"Më e keqja është se një numër i madh i këtyre aktivistëve të cilët kanë themeluar dhe kanë udhëhequr këto OJQ, edhe vendore edhe të huaja, ndërkombëtare, janë punëtorë të BIK-ut dhe punëtorë të tjerë. Ata janë të njëjtit njerëz. Unë mendoj se BIK-u, gjegjësisht kryesia, duhet të merret me këta njerëz, të cilët thjesht me ato veprimtari të tyre kanë rënë ndesh me ligjin. BIK-u duhet të marrë masat e duhura sepse nëse eventualisht atyre iu është mbyllur zyrtarisht një zyrë ata veprojnë punojnë në forma të tjera sepse e kanë hapësirën dhe mundësin sepse janë të instaluar brenda BIK-ut qoftë në xhami qoftë në institucionet e tjera që janë nën menaxhimin e BIK-ut", tha Bilalli.

Ndërkohë, Bashkësia Islame e Kosovës nuk e përjashtoi pohimin se “persona që kanë punuar në organizata të ndryshme joqeveritare e që janë mbyllur, janë ose mund të kenë qenë pjesë të tij”.

"Kemi pasur edhe raste kur imamët tanë kanë punuar me shoqata të ndryshme, të cilat kanë vepruar këtu deri tash në mënyrë legale. Por, pas ndalimit me ligj unë besoj se pushon veprimtaria dhe puna e tyre dhe këto gjëra do t'i rregullojmë të gjithë edhe ne si institucion", tha Ahmet Sadriu zëdhënës i BIK-ut, në një përgjgije për Radion Evropa e Lirë.

Një numër organizatash joqeveritare, nga vende të ndryshme të botës, e kanë ndihmuar Kosovën në procesin e rimëkëmbjes së saj dhe në fazën e emergjencës, disa vite pas përfundimit të luftës.

Autoritetet ndërkombëtare dhe më pas edhe autoritetet e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë më 2008, kanë ndaluar një numër syresh që të veprojnë në Kosovë, për shkak të siç thuhet, ‘veprimtarisë së paligjshme dhe rënies ndesh me ligjin’.

Zyrtarët në Kosovë thonë se një numër i OJQ-ve, patën shtrirë ndikimin e tyre dhe kanë “ndihmuar” në, siç thuhet, “rekrutimin e të rinjëve nga Kosova për në zonat e luftës në Lindjen e Mesme”. (REL)