A e shemb muri Asociacionin?

Your browser doesn’t support HTML5

Pamje të murit në Mitrovicë

Moszbatimi i marrëveshjeve të Brukselit nga Beogradi zyrtar, si dhe ngritja e murit në Mitrovicë të veriut, si një qasje me logjikë ndarëse, nuk krijojnë kushte që autoritetet e Kosovës t’i qasen në mënyrë konstruktive formimit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Reagimet e zyrtarëve të ekzekutivit të vendit vijnë një ditë pasi që autoritetet e Beogradit kanë porositur në formë ultimatumi se serbët e Kosovës, në bashkëpunim me Beogradin zyrtar do ta themelojnë vet Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Serbia nuk ka “asnjë rol në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.

Sipas saj, përfaqësuesit serbë nuk kanë autorizime për të bërë një gjë të tillë.

“Serbia nuk ka asnjë rol në këtë çështje. I dëgjova edhe unë disa kërcënime apo presione, gjoja për afate. Nuk është Serbia ajo që imponon apo mund të bëj presione“, tha ministrja Tahiri.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të hënën kanë zhvilluar një takim me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe pas bisedës së përbashkët, shefi i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se „gjatë javëve në vijim vet serbët e Kosovës dhe Beogradi zyrtar do ta themelojnë Asociacionin e komunave më shumicë serbe.

“Ne nuk do ta lusim askënd për zbatimin e asaj për të cilën jemi marrë vesh. Nëse në disa javët ardhshme nuk do të ketë hapa konkret për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe, atëherë përfaqësuesit serb në marrëveshje me shtetin e tyre, që nga 15 shkurti do të nisin që vet ta krijojnë Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë".

"Do të merren vesh se si do të duket ajo dhe kompetencat e saj, si dhe do të krijojnë institucionet që do të duhej të përfaqësojnë supozimin për mbijetesën dhe ruajtjen e popullit serb në Kosovë”, ka thënë Gjuriq.

Ai ka shtuar se me formimin e Asociacionit askujt nuk do t’i merren të drejtat apo që ato të drejta t’i ketë më të pakta, por që Asociacioni, sipas tij, të bëhet realitet, duke respektuar të gjitha marrëveshjet.

Por, ministrja Tahiri ka theksuar se Marrëveshja e Brukselit për themelimin e Asociacionin është një marrëveshje ndërkombëtare “me kompetencë ekskluzive të Republikës së Kosovës”.

Asociacioni, sipas saj, nuk mund të themelohet, përderisa Serbia po i shkel marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Shkelja e fundit që Serbia ia bën dialogut të Brukselit për normalizim ( të marrëdhënieve, ka ndërtuar edhe një mur në Mitrovicë. Porosia ime për ta është që fillimisht ta rrënojnë murin dhe të mos shkelin marrëveshjen e Brukselit. Në momentin kur të krijohet klima dhe kur të shihet se Serbia vërtetë po zbaton marrëveshjet, atëherë edhe Kosova do ta marrë përgjegjësitë dhe do të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin”, theksoi ministrja Tahiri.

Ajo ka shtuar se Serbia ende po e mban të bllokuar marrëveshjen për energjinë, si dhe ende po i mbanë një pjesë të strukturave paralele komunale, ndonëse me marrëveshjen e Brukselit, strukturat e tilla është dashur të shuhen.

Ministrja Tahiri theksoi se e gjithë udhëheqja politike e Kosovës e ka vërtetuar se krijimi i Asociacionit është obligim ndërkombëtar dhe se po kërkon momente të përshtatshme që kjo marrëveshje të zbatohet.

Lidhur me deklaratën e ministres Tahiri ka reaguar Goran Rakiq, kryetar i Komunës së Mitrovicës së veriut. Ai ka ripërsëritur qëndrimin, të cilin tashmë e kanë deklaruar autoritetet e Beogradit, lidhur me formimin e Asociacionit nga vet serbët. Sipas tij, ministrja Tahiri, moszbatimin e marrëveshjes për Asociacionin, “po e justifikon duke përdorur arsye margjinale”.

“Ajo po thotë se Bashkësia e komunave serbe nuk do të formohet derisa të mos shembet muri afër urës mbi Ibër në Mitrovicën e veriut. Kjo nuk mund të ndërlidhet në asnjë mënyrë".

"Bashkësia e komunave serbe ka të bëjë me të drejtat kolektive të serbëve, ndërkaq, muri është pjesë e marrëveshjes rreth urës mbi Ibër dhe ajo është nën përgjegjësinë e qeverisjes lokale, gjegjësisht të Mitrovicës veriore”, ka thënë Rakiq.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ekzekutivi i vendit është duke e shqyrtuar projektin për themelimin e Asociacionit, por zbatimi i kësaj marrëveshje është i pamundur në rast se nuk Serbia nuk është konstruktive në zbatimin e marrëveshjeve tjera.

“Si projekt, si plan, themelimi i Asociacionit është në duart tona. Merret, shqyrtohet dhe analizohet. Por, ne duhet të bindemi si qeveri se ka konstruktivitet nga pala tjetër për mos anashkalimin e jetësimit të marrëveshjeve të ndryshme që janë arritur e që nuk po zbatohen”.

Zyrtarët e qeverisë së Kosovës, kanë theksuar se marrëveshja e Brukselit për Asociacionin e bën të qartë se Asociacioni nuk ka përgjegjësi ekzekutive dhe as që do të jetë një nivel i tretë i pushtetit në Kosovë, por do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sipas tyre, procesi hartimit të statutit të Asociacionit nuk ka filluar ende, por gjithsesi hartimi i tij kurdo që do të fillojë, do të jetë në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit 2015.​ (REL)