Në prag të festave të fundvitit, zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë theksuar se situata e sigurisë në vend vlerësohet te jete e qetë dhe e qëndrueshme. Por, megjithatë, sipas tyre, organet e rendit do ta kenë një plan veprimi, si dhe një vigjilencë më të shtuar, gjatë kohës kur qytetarët do të kremtojnë, qoftë festën e Krishtlindjeve, qoftë festën e Vitit të ri.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se angazhimi i policisë do të jetë sikurse edhe viteve tjera, në festat e fundvitit.
“Policia edhe këtë fundvit, sikurse viteve te kaluara, do te kujdeset për mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend, shtimin e vigjilencës dhe prezencës policore në rrugë, kontrollin e rrjedhës në trafik, si dhe monitorimin e masës së qytetarëve të cilët dalin në rrugë, sheshe apo lokacionet tjera të hapura, për pritje të ndërrimit të moteve."
"Po ashtu, PK-ja do te ndërmarrë masat e nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundër ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe parandalimit të rasteve të çfarëdo natyre, ku do të ketë prezencë dhe vigjilencë më të shtuar policore”, thotë Hoxha.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Valdet Hoxha, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në fundvit, kur parashihet mbledhja e turmave për festime të ndryshme, mekanizmat e sigurisë, përfshirë edhe policinë, bëjnë plane të veçanta operative për të menaxhuar situatat.
“Natyrisht që ky vit është pak më specifik për shkak edhe të zhvillimeve globale, kryesisht në aspektin e radikalizmit dhe për shkak të ngjarjeve që të gjithë ne i dimë tash së fundmi. Natyrisht që kjo nuk ka kaluar pa u futur në planet tona të veprimit dhe hartimin e planeve të reja për përballje me situata të mundshme”, ka thënë zëvendësministri Hoxha.
Në anën tjetër, njohësi i rrethanave të sigurisë në vend, Burim Ramadani, profesor i Sigurisë Kombëtare në Kolegjin ISPE, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri më tash nuk ka pasur raste që të kenë shkaktuar prishjen e stabilitetit, sigurisë publike apo të përgjithshme në Kosovë, në këto lloj festash. Por, sipas tij, megjithatë, institucionet e sigurisë duhet ta kenë të qartë se në çfarë niveli duhet ta rrisin nivelin e sigurisë.
“Festat e fundvitit janë një prej targeteve ose periudhave target që e kanë shfrytëzuar organizatat e ndryshme terroriste nëpër vende të ndryshme nëpër botë. Besoj që kjo nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me Kosovën. Por, nuk besoj që duhet të përjashtohet nevoja për analizimin e saktë dhe të qartë të nivelit të rrezikshmërisë”, ka thënë profesor Ramadani.
Ai ka shtuar se është tepër e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të jenë të informuar për vlerësimet që bëjnë institucionet e sigurisë.
Zëvendësminsitri Hoxha thotë se të gjitha informacionet eventuale për cenim të sigurisë trajtohen seriozisht nga mekanizmat e sigurisë.
“Nuk ka ndonjë indikacion shqetësues, të paktën, të ditur deri më tani. Por, këto ngjarjet e fundit janë trajtuar me seriozitetin më të madh dhe kryesisht janë hartuar planet, në kuptimin e preventivës, por edhe që të jemi të gatshëm për çdo situatë, sepse, në akte të tilla, natyrisht që edhe vendet me një konsolidim bukur të mirë të mekanizmave të sigurisë, po e shihni që po përballen me akte të ndryshme. Kështu që nuk ka se si të jemi imunë edhe ne ndaj kësaj, por që ne po i bëjmë përgatitjet dhe fatmirësisht, mekanizmat e sigurisë janë në nivel të detyrës”, thotë ai.
Në vitin 2014, gjatë festave të fundvitit, gjegjësisht më 26 dhjetor, Policia e Kosovës pati kapur shtetasin serb, Slobodan Gavriq, i cili në veturën e tij po barte 12 kilogramë material shpërthyes. Gavriq është dënuar nga një Gjykatë në Prishtinë, me 13 vjet heqje lirie, nën akuzën për vepër terroriste. (REL)