Ndotja e ajrit në Kosovë ka arritur në nivele alarmante, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë.
Organizata PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim, me mbështetjen e Komisionit Evropian, kanë organizuar të premten një fushatë në sheshet kryesore të Prishtinës, kundër ndotjes së ajrit.
Përmes aksioneve simbolike, këto organizata kanë bërë vendosjen e kukullave me maska kundër ndotjes së ajrit, të cilat mbanin mbishkrime sensibilizuese. Në kuadër të aktivitetit janë bërë matje të drejtpërdrejta të cilësisë së ajrit, nga anëtarët e projektit. Gjithashtu janë ofruar broshura dhe maska kundër ndotjes.
Trim Ilazi, përfaqësues i organizatës PEN, thotë se përmes fushatave të tilla synojnë ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për cilësinë e ajrit, e në të njëjtën kohë kërkojnë reagim nga institucionet përkatëse.
“Detyrë e institucioneve është – kur gjendja është alarmante sikurse tash – të ndërmarrin masa të drejtpërdrejta dhe emergjente. Në këtë rast, ndotësit kryesorë i kemi termocentralet, veturat dhe ngrohjet me qymyr nga qytetarët.”
“Kështu që, duke i ditur burimet që i kemi, Ministria mund t’u jap udhëzime qytetarëve apo edhe termocentraleve, për t’i reduktuar këto ndotje”, thotë Trim Ilazi nga organizata PEN.
Qytetarët thonë se aksione të këtilla janë të mirëseardhura, meqë edhe ata janë të shqetësuar për cilësinë e ajrit, e veçanërisht nivelin alarmant të ndotjes gjatë ditëve të fundit.
“Sidomos prej tetorit, kur qytetarët fillojnë të ngrohen me dru dhe me mjete të tjera djegëse, po e vërejmë që po rritet mjaft shumë ndotja e ajrit”, thotë qytetarja Teuta Gërguri.
Ngjashëm mendon edhe Drin Aliu nga Prishtina.
“Një gjë tjetër është edhe komunikacioni i dendur, e veçanërisht në kryeqytetin tonë kemi një komunikacion shumë të dendur, dhe si pasojë lirohen shumë gazra që janë shumë të dëmshme për ajrin, por në të njëjtën kohë edhe për faktorin njeri”, thotë Drin Aliu, qytetar i Prishtinës.
Në kuadër të aktivitetit të së premtes, këto organizata zhvilluan edhe aksionin “Mbroni fëmijët tuaj nga vrasësi i padukshëm”, në hyrje të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Aksioni i organizuar para Ministrisë, sipas organizatorëve, tenton që ta thyejë heshtjen e këtij institucioni ndaj problemit të ndotjes së ajrit në Prishtinë, si dhe të kërkojë më shumë transparencë dhe përgjegjësi nga ky institucion.
Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit në Kosovë tregon se ditëve të fundit, në kohë të caktuara të ditës, janë regjistruar tejkalime të vlerave kufitare të ndotjes së ajrit.
Kryeshefi i kësaj Agjencie, Ilir Morina, thotë se kjo vjen për shkak të stinës, parametrave meteorologjikë, si dhe shkaktarëve të tjerë, si emetimi i mbetjeve të zjarreve, pastaj komunikacioni e termocentralet. Por, sipas tij, gjendja nuk është alarmante.
“Momentalisht ne jemi në një fazë të ndotjes mesatare, duke prekur vijën e ndotjes së pashëndetshme për grupet e ndjeshme. Nuk është gjendja alarmante, sepse ne do të alarmojmë me kohë, mirëpo mesatarja ditore sillet diku 46, 8 mijë mikrogramë për metër kub, dhe 50 është e lejuar”, thotë Morina.
Ndërkohë, Qendra për matjen e cilësisë së ajrit, e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, në fillim të kësaj jave tregonte se cilësia e ajrit ka arritur në shkallën më të lartë, e cilësuar si “Shumë e pashëndetshme”, me 242 ppm.
Banorët e Kosovës kërcënohen nga mjedisi i ndotur jetësor, i cili po ndikon në rritjen e numrit të të sëmurëve nga mushkëritë dhe sëmundjet tjera respiratore, e madje edhe shkakton vdekjen e njerëzve. Kështu thonë ekspertë të çështjeve të ruajtjes së ambientit.
Ndotja e mjedisit në Kosovë, përveç që shkaktohet nga kompanitë e mëdha të industrisë së rëndë, vjen edhe nga numri i madh i veturave. Në Kosovë llogaritet të jenë afër 385 mijë vetura, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vite. (REL)