Rruga e gjatë deri te kodi telefonik i Kosovës

Ilustrim

Pas betejës politike prej gjashtë vjetësh, më 15 dhjetor të këtij viti përfundimisht do të shihet nëse Kosova do të marrë kodin telefonik shtetëror. Kjo do të bëhet e qartë nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU), i cili është thënë se do t’ia alokojë kodin +383 Kosovës.

Bisedimet për telekomunikacionin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, u përmbyllën në fund të javës së kaluar.

Por, marrëveshja e arritur, më pas ngriti dilema të shumta në Kosovë dhe në Serbi. Derisa, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës u deklaruan se bëhet fjalë për kod shtetëror, sikur edhe të shteteve tjera, zyrtarë në Beograd e cilësuan atë vetëm si kod gjeografik, pasi që ai është thënë se i takon Serbisë dhe vetëm i është lëshuar në shfrytëzim Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes së arritur thuhet se nga 15 dhjetori, Kosova do të marrë kodin ndërkombëtar +383, i cili do t’i alokohet ITU-së, në bazë të një kërkesë që do të parashtrojë Serbia.

Kosova obligohet që të japë një leje përkohshme dhe të kufizuar për një operator të telefonisë mobile serbe, MTS.d.o. Kjo kompani do të duhet të regjistrohet sipas Ligjeve të Republikës së Kosovës.

Por, pse u desh që kjo letër të dërgohet nga Serbia për në ITU, ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka dhënë detaje rreth kësaj.

“Është fjala që Serbia të mos bëjë lobizime negative me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, e që janë anëtare të ITU-së, sepse për Kosovën votohet në ITU me shumicë votash dhe kjo letër siguron që të mos ndodh skenari i UNESCO-s, pasi që ne e dimë të gjithë që ishte pikërisht Serbia që më lobime negative ne nuk arritëm që të bëhemi anëtarë të UNESCO-s”, ka sqaruar Tahiri.

Kjo letër, shton ministrja Tahiri, siguron zotimin e Serbisë se nuk do ta pengojë Kosovën në marrjen e kodit telefonik.

Aplikimin për kodin telefonik për Kosovën tashmë e ka bërë Austria, e cila kishte dalë si vullnetare për ta ndihmuar Kosovën në këtë fushë.

Kodi shtetëror telefonik +383, sipas marrëveshjes së arritur do të administrohet nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, dhe institucionet e Kosovës do të kenë përgjegjësinë për implementimin e tij.

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Kreshnik Gashi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, marrjen e kodit telefonik e quan krijim të identitetit shtetëror të Kosovës në fushën e telekomunikacionit.

“Janë gjashtë vite që janë debatuar për kodin dhe gjitha këto gjashtë vite, sikur të ishte arritur kjo marrëveshje në vitin e parë, deri më tani ishte përmbyllur gjithçka dhe operimet ilegale do të kishin përfunduar dhe ai dyvjeçari që parashihet që të kemi një operator të përkohshëm, do të kishte përfunduar. Mirëpo, Serbia nuk ka qenë e interesuar ta implementojë këtë marrëveshje, e ka zbatuar vetëm kur ka pasur presion të madh”, thekson ai.

Gashi sqaron se me publikimin e kodit telefonik të Kosovës nga ITU-ja, Kosova zyrtarisht e pranon kodin telefonik +383 dhe fillon zbatimi i tij, dhe në këtë rast, shton ai, u jepet fund operimeve ilegale, të cilat kanë vepruar në zona të caktuara të Kosovës qysh nga viti 1999 deri më tani.

Ai konsideron se me kodin e ri telefonik, Kosova do të ketë përfitime të shumta si në aspektin ekonomik,përftim i cili reflektohet edhe te qytetarët, si dhe përftime në nivel shtetëror.

“Në të dy anët kemi përftime - në rend të parë, e marrim kodin, dhe në rend të dytë e kemi një kompani, e cila do të veprojë sipas ligjeve të Kosovës, do të paguajë taksa në Kosovë dhe do të jetë e detyruar të mbyllet në momentin që ne themi”, sqaron Gashi.

Por, ndryshe është komentuar kjo marrëveshje nga zyrtarët në Beograd.

Drejtori për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se “marrëveshja mundëson funksionim të papenguar të “Telekomit të Serbisë” në Kosovë dhe se prona e tij transferohet në kompaninë “MTS. d.o.” që do të punojë në Kosovë me licencë të përkohshme”.

Më pastaj, sipas tij, në bazë të tenderit, do të fitojë edhe licencën e punës si operatori i tretë në Kosovë.

Eksperti i telekomunikacionit, Agron Dida, ndërkohë e sheh diçka shumë të dëmshme sa i përket licencimit të një kompanie të tillë. Derisa, kodin telefonik ai e sheh si arritje të mëdha për Kosovën.

“Roli i rregullatorit të ITU –së, është të ndihmojë tregun e telekomunikacionit ndërkombëtar dhe të brendshëm, nëse e shohim në këtë prizëm, atëherë ne do të kemi benefite të mëdha, është njëjtë si të jesh anëtarë i UNESCO-s që nuk arritëm të jemi. ITU-ja ka detyrë që bizneset e telekomit në vend dhe jashtë vendit, dhe raportet e këtyre bizneseve të harmonizohen që të mos ketë shkelje për konsumatorin”, sqaron Dida.

Me fillimin e zbatimit të kodit të ri, ai do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse, të cilët veprojnë në Republikën e Kosovës, ndërsa kodet aktuale që përdoren nga operatorët do të përdoren në mënyrë paralele për një kohë deri në zbatimin e plotë të kodit +383, në mënyrë që qytetarët të mos kenë pengesa në pranimin e thirrjeve hyrëse dhe dalëse.

Ky proces do të marrë kohë nga një deri në dy vjet.

Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare.

Telefonia mobile "Vala" shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë, e për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.

Të dhënat e Qeverisë së Kosovës kanë treguar se kostoja e përgjithshme e shkaktuar deri më tani nga mungesa e kodit telefonik ka arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.(REL)