Ndërlidhjet

Mospajtime ndërmjet pushtetit dhe opozitës për kodin e telefonisë


Ilustrim
Ilustrim

Seanca e të enjtes e Kuvendit të Kosovës, në të cilën kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është ftuar në interpelancë para deputetëve lidhur me kodin e telekomunikacionit shtetëror, është përcjellë me debat të ashpër ndërmjet partive në pushtet dhe atyre opozitare.

Deputeti Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt ky opozitar i cili ka kërkuar interpelancën e kryeministrit Mustafa, ka thënë se sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për kodin telefonik i ndahet Serbisë, sepse sipas tij, Kosova nuk po bëhet anëtare e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), ndërkaq që Serbia, siç ka thënë i po ia cakton këtë kod Kosovës dhe do të ishte ehe pronare e këtij kodi telefonik.

“Sa i takon vënies në përdorim të kodit telefonik, pra, botimit në buletinin e ITU-së thuhej se ‘teksti i buletinit të ITU-së, me pajtimin e administratës së republikës së Serbisë, drejtori i Telekom Serbia, i cakton kodin Kosovës kodin ndërkombëtar si në vijim’ dhe pastaj tregon për kodet që do të caktohen, aneksi nje i marrëveshjes. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur nga 111 vende të botës ose më shumë se gjysma e anëtarësisë së ITU-së. Serbia, jo vetëm që nuk e njeh, por kushtetuta e saj e konsideron Republikën e Kosovës të jetë territor i saj".

"Ky fakt e përjashton Serbinë për të pasur ndonjë rol në caktimin e numrave ndërkombëtarë për shërbimet telefonike për Republikën e Kosovës”.

Sipas, deputetit Ymeri, me marrëveshjen e arritur me Serbinë, kësaj të fundit i njihet kompetenca në qeverisjen me sektorin e telekomunikimit në Kosovë.

Por, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Republika e Kosovës ka forcuar sovranitetin shtetëror dhe integritetin e saj territorial, si dhe ka avancuar pozicionin e saj ndërkombëtar, sidomos në fushën e telekomunikacionit.

Ai ka thënë se kodin telefonik për Kosovën e ndanë Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit dhe ka hedhur poshtë mundësinë që këtë do ta bëjë Serbia. Kryeministri Mustafa ka theksuar se Austria në janar të këtij viti ka aplikuar në ITU për të kërkuar në emër të Kosovës kodin telefonik shtetëror.

“Arsyeja se pse është dashur që Austria të aplikojë, lidhet me faktin se Bashkimi Evropian, pas shqyrtimit të gjitha mundësive ligjore dhe politike që Kosova ta merrë kodin e saj telefonik nga ITU, ka ardhë në përfundim se në këtë mënyrë mund të largoheshin pengesat, sepse Kosova ende nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara".

"Ndërkaq, pengesat që mund t’i bënte Serbia janë hequr përmes marrëveshjes s Brukselit për telekomunikacionin. Kosova do të ketë të gjitha drejtat shtetërore që të administrojë me kodin e vet telefonik, sikurse të gjitha shtetet tjera”.

Kryeministri Mustafa ka shtuar se Autoriteti rregullator i Kosovës do të bashkëpunojë me ITU-në për realizimin e kodit telefonik për Kosovën. Sipas tij, me marrëveshjen për telekomunikacionin, shuhen të gjithë operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, por do të ofrohet një lejim i përkohshëm për një fushëveprim të kufizuar për një kompani të re që është regjistruar në Kosovë, e cila do të veprojë sipas ligjeve të Kosovës.

Ky lejim i përkohshëm, siç ka thënë kryeministri Mustafa, do të vlejë deri në hapjen e tenderit ndërkombëtarë për operatorin e tretë të telefonisë mobile në Kosovë.

Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shprehur qëndrimin që çështja e kodit shtetëror të Kosovës është në rrugë të mbarë që të zgjidhet përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel dhe nuk është çështje që mund të zgjidhet me vullnete dhe dëshira të njëanshme.

Mbështetje marrëveshjes për kodin shtetëror të telefonisë për Kosovën, i ka dhënë edhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Por, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se kjo marrëveshje nuk e ka mbështetjen e deputetëve të këtij subjekti opozitar.

“Marrëveshja për telekomunikimin e emëruar si plan aksionar, në mënyrë të qartë definon se rregullimi i telekomunikacionit në Republikën e Kosovës, sipas ligjeve të Kosovës, kalon në rregullimin e përbashkët të Kosovës dhe Serbisë. Kompetencat e rregullatorit të Kosovës i kalojnë grupeve të përbashkëta të rregullatorëve të Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, ne nuk do t’ju përkrahim në këto marrëveshje që janë në dëm të Republikës së Kosovës”.

Sido që të jetë, mospajtimet e saj lidhur me marrëveshjen për kodin e telefonisë për Kosovën, i kanë theksuar edhe deputetët e subjektit opozitar, nisma për Kosovën.

Ndërkaq, deputeti Ymeri ka propozuar që deputetët e Kuvendit ta votojnë një rezolutë, përmes së cilës, siç ka thënë ai “Kosova të sovranizohet në fushën e telekomunikimeve dhe që tregu i telekomunikacionit në Kosovë të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të interesave të Serbisë”.

Sipas tij, votimi i kësaj rezolute do të nënkuptonte kërkesën për aplikimin e kodit telefonik +355 për Republikën e Kosovës, kod telefonik i cili është i Republikës së Shqipërisë.

Por, rezoluta e propozuar nga Ymeri nuk është votuar për shkak të mungesës së kuorumit në këtë seancë. Votimi për ose kundër kësaj rezolute, siç është thënë, do të bëhet në seancën tjetër, të cilën do ta caktojë kryesia e Kuvendit të Kosovës. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG