Abuzimet, sulmet dhe ngacmimet seksuale ndaj nxënësve në shkolla janë fenomene mjaft shqetësuese dhe jo pak të shprehura, thonë përfaqësues të organizatave që merren me të drejtat e fëmijëve.
Sipas autoriteteve të rendit, gjatë këtij viti janë raportuar pesë raste të ngacmimeve seksuale në institucionet shkollore.
Donjeta Kelmendi, nga Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, beson se rastet e ngacmimeve apo edhe sulmeve seksuale janë më të shpeshta, por ato nuk raportohen.
“KOMF ka rekomanduar edukimin e fëmijëve për format e abuzimit, rreziqet, pasojat, raportimin dhe institucionet e mandatuara për mbrojtjen e fëmijëve. Po ashtu edhe prezantimin me zyrat përkatëse ku abuzimi mund të raportohet, si dhe dhënien e të gjitha kontakteve për të pasur qasje në këto sisteme të referimit dhe garantimi mbi ruajtjen e konfidencialitetit”.
“Abuzimi seksual mbetet forma më e rëndë e abuzimit. Kjo për shkak të pasojave që lë tek fëmijët. Njëherësh, abuzimet seksuale nuk raportohen në nivelin e duhur. Kjo nga frika e stigmatizimit të viktimës, por edhe e familjes në shoqëri”, ka thënë Kelmendi.
Në Policinë e Kosovës thonë se varësisht prej rasteve të raportuara apo incidenteve që paraqiten, në bashkëpunim me prokuroritë kompetente, merren veprimet ligjore duke u bazuar në kodin penal dhe të proceduarës penale, për trajtimin e rasteve të tilla, në mënyrë që ato të procedohen tek organet e drejtësisë për vendime adekuate sipas ligjit.
Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, tregon në lidhje me statistikat dhe aktivitetet e policisë për trajtimin e këtyre rasteve.
“Raste të ngacmimeve seksuale nëpër shkolla gjatë periudhës Janar-Shtator 2016 janë gjithsej 5 sosh, të raportuara. Policia e Kosovës është e përkushtuar në garantimin e një sigurie të përgjithshme në vend. Në këtë kontekst jemi të përkushtuar edhe në krijimin e ambientit të sigurt edhe nëpër institucione arsimore apo përreth tyre”.
"Për trajtimin e rasteve të tilla në mënyrë adekuate Policia e Kosovës ka një bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet relevante, drejtoritë përkatëse komunale të arsimit, menaxhmentin e shkollave, qendrat për punë sociale dhe akterë tjerë të rëndësishëm në këtë proces”, ka thënë Hoxha.
Ndërkaq, sipas zonjës Kelmendi, duke u nisur nga rastet e shumta të ngacmimeve, sulmeve dhe abuzimeve seksuale, KOMF ka ngritur shqetësimin për rastet e tilla, duke ofruar rekomandime për institucionet publike, sikurse institucionet arsimore, Ministrinë e Arsimit, Qendrat për Punë Sociale, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe organet e rendit dhe drejtësisë.
“KOMF u ka rekomanduar drejtorive të shkollave që të punohet në parandalimin e rasteve dhe në rastet kur dyshohen ose konstatohen të kenë ndodhur ato, si dhe të njëjtat të denoncohen menjëherë në organet përkatëse. Ministria e Arsimit duhet të angazhojë inspektorët e arsimit në mënyrë që të jenë me aktiv në terren për identifikimin dhe parandalimin e fenomenit të ngacmimit, sulmit dhe abuzimeve seksuale’’, ka thënë Kelmendi.
Kurse, Majlinda Lulaj, zyrtare për informim në institucionin e Avokatit të Popullit, ka thënë se gjatë aktiviteteve të tyre, si institucion, janë vizituar edhe shkollat, e që ka dalë se në to ushtrohet dhunë, qoftë fizike, psikologjike apo edhe raste të ngacmimeve seksuale.
“Është iniciuar prej shpërfaqjes së rasteve që është ushtruar dhunë ndaj fëmijëve, duke përfshirë edhe rastet e ngacmimeve seksuale. Në kuadër të aktiviteteve që ky institucione bën janë edhe shkollat ku fëmijët kanë pohuar që ata dinë që ushtrohet dhunë, qoftë fizike, psikologjike, por edhe ngacmime seksuale”.
“Të gjitha këto na kanë shtyrë që të shihet nga prizmi i pasojave dhe efekteve psikologjike që ka dhuna në përgjithësi ndaj fëmijëve, e që është konstatuar që efektet do të shihen edhe në moshën e rritur, pasi dhuna prodhon dhunë", ka thënë Lulaj.
Ndryshe, në trajtimin e kësaj teme, psikologë të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë kishin potencuar faktin se “ka dhunë seksuale në shkolla, por që mbetet si temë tabu dhe nuk diskutohet rreth kësaj çështje aq sa ka nevojë”.
“Sa u përket pasojave që mund të ketë fëmija që përjeton dhunë seksuale, një fëmijë apo adoleshent, fillon të ndjejë ndjenjën e fajit për atë çka ka ndodhur, pastaj mund të kalojë në gjendje depresive dhe shpesh mund të ketë edhe pasoja me vetëvrasjes", kanë vlerësuar psikologët.
Sidoqoftë, sipas statistikave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për periudhën janar 2015 - shkurt 2016, nga gjithsej 111 lëndë të veprave penale kundër integritetit seksual të shkaktuar ndaj të miturve, vetëm 38 raste të tilla janë zgjidhur. (REL)