Koalicionin për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF ka prezantuar të dhënat tregojnë për shkallë të lartë të dhunës të ushtruar ndaj fëmijëve në Kosovë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet në komunikatën e KOMF, rreth 61.4 për qind e fëmijëve të anketuar deri në moshën 14 vjeç, kanë deklaruar se kishin pësuar nga dhuna psikike apo ndëshkimi fizik nga anëtarët e ekonomisë familjare gjatë muajit të fundit nga data e intervistimit.
“Rreth 59 për qind e fëmijëve kishin pësuar nga dhuna psikike, përderisa 24 për qind kishin pësuar nga ndëshkimi fizik. Kjo për arsye se modelet e disiplinimit në Kosovë shpeshherë orientohen drejt dhunës fizike dhe emocionale”, thuhet në komunikatën e KOMF.
KOMF rekomandon rritjen e investimeve nga Qeveria dhe Komunat në krijimin e shërbimeve për parandalim, përfshirë krijimin e programeve për prindërit dhe profesionistët që janë në kontakt me fëmijët për metodat e disiplinimit pozitiv të fëmijëve.
Rekomandohet investimi për fuqizimin e mekanizmave për identifikim dhe raportim të rasteve të dhunës si dhe rritjen e efikasitetit të organeve të rendit dhe drejtësisë për trajtimin e rasteve të dhunës dhe abuzimit.