Përmirësimi i regjistrit me rastet e dënuara për krim të organizuar dhe korrupsion, si dhe ratifikimi i marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës, mbeten dy kushtet e paplotësuara nga Kosova për marrjen e liberalizimit të vizave.
Këto dy kushte janë ritheksuar sërish nga nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja për Kosovën pranë Komisionit të Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, e cila ka qëndruar sot në Prishtinë.
Lunaçek ka theksuar se i nxitë Kuvendin e Kosovës dhe politikanët e Kosovës që ta kryejnë pjesën e tyre të punës, sepse për ta marrë sinjalin e gjelbër Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, topi është në fushën e tyre dhe çelësi në duart e tyre.
“Unë fuqishëm kërkoj nga politikanët e Kosovës që t’i realizojnë premtimet që i kanë dhënë apo që i kanë nënshkruar”, ka thënë Lunaçek, duke iu referuar dy kushteve që kanë mbetur për liberalizimin e vizave.
Ajo ka thënë gjithashtu se nuk ekzistojnë garanci të qind për qindta se Kosova mund ta marrë liberalizimin e vizave në rast se i përmbushë dy kushtet e fundit, por në rast se ato përmbushen, përkrahësit e Kosovës në procesin drejt liberalizimit të vizave do t’i kenë argumentet e forta kur kjo çështje do të shtrohet në Këshillin e Ministrave të Punëve të Brendshme të vendeve të BE-së.
Lunaçek, gjithashtu, ka komentuar edhe deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili të mërkurën kishte shkruar në rrjetin social “Facebook” se Bashkimi Evropian është i paqartë rreth të ardhmes evropiane të Kosovës dhe se kjo është arsyeja e e theksimit të shumë ngecjeve në Raportin e fundit të Progresit për Kosovën të Bashkimit Evropian.
“E ardhmja Evropiane e Kosovës është diçka që ekziston ende aty, jo vetëm në letra, por në mesin e shumicës së madhe të qeverive, në Komisionin dhe Parlamentin Evropian. Por, të dyja anët duhet t’i kryejnë punët e tyre. Nëse Kosova nuk i kryen punët e saj, atëherë as ne nuk mund të vazhdojmë t’i kryejmë punët tona. Nëse e fajësojmë palën tjetër, kjo nuk ndihmon”, ka thënë Lunaçek.
Vizita e Lunaçek në Kosovë po zhvillohet pas publikimit të Raportit të Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian, raport që evidenton hapat pozitiv të Kosovës, por edhe kriteret që duhen përmbushur për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave.
Gjatë vitit 2016 marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian kanë shënuar përparim në aspektin politik, por në aspektin e reformave të rekomanduara nga kjo e fundit, Kosova vazhdon të ngecë, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane.
Sipas tyre, këto fakte reflektohen edhe në Raportin e fundit të Progresit për Kosovën të Bashkimit Evropian, i cili është publikuar të mërkurën.
Në raport thuhet se Kosova mbetet vend që duhet të punojë më shumë për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit, të gjejë gjuhë të përbashkët për marrjen e vendimeve politike në Kuvend dhe të angazhohet më shumë në reformat ekonomike dhe dialog me Serbinë.
Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se këto elemente kyçe, që sipas tij janë të interpretuara në formë politike, janë porosi që duhet të kuptohen se Kosova po sfidohet dhe po vazhdon të dështojë të ndërmarrë reforma evropiane esenciale, për mungesë të vullnetit politik.
Siç thotë ai, në aspektin politik Kosova lavdërohet të ketë shënuar përparim me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, me rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën, si dhe përparimet e shënuara që ndërlidhen me Dhomat e veçanta të Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë.
“Por, sa i përket reformave, funksionimit të shtetit, të institucioneve, mirëqenies së individëve, të punësimit, të ekonomisë, mbesim larg, tepër larg. Mundem lirisht të konkludoj që kjo qeverisje nuk ka funksionuar dhe nuk ka bërë asnjë ndryshim substancial sa i përket ndërmarrjes së reformave për ta afruar Kosovën më afër BE-së”, thotë Muharremi.
Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se bazuar në gjetjet e monitorimit të këtij instituti, vlerësimet e Raportit të progresit të BE-së janë reale, por nuk janë të paraqitura të gjitha që në të vërtetë ekzistojnë si shkelje, sidomos përbrenda sistemit të drejtësisë.
“Ka ende shumë gjëra që duhet të evidentohen dhe të thuhen saktë ashtu siç janë. Por, ajo që është tashmë shqetësuese, është se ky Raport i Progresit është duke u përsëritur, është duke u kopjuar pothuajse i njëjti, prej vitit në vit. Në segmente të caktuara madje është duke shkuar edhe më keq dhe kjo është tepër shqetësuese, sepse është sinjal që vërtetë politikbërësit dhe zbatuesit e ligjit në Kosovë, nuk janë duke i adresuar çështjet, të cilat po ngriten me shqetësim nga Raporti i Progresit”, thotë Musliu.
Muharremi ka theksuar se mungesa e angazhim të ekzekutivit të vendit për t’i rritur investimet në fushën e drejtësisë është fakt. Po ashtu, siç thotë ai, ende nuk është parë vullnet politik nga partitë politike që të lejohet sistemi i drejtësisë, që të funksionojë paanshëm.
“Është fakt që ne i kemi 400 mijë lëndë në drejtësi. Në krahasim me vendet tjera, thuhet që është bërë një përparim sa i përket aprovimit të kornizës legjislative, por tash na duhet praktikisht të ndërmarrim hapa që të funksionalizohet dhe që drejtësia të jetë më efektive. Drejtësia lidhet me shumë agjenda tjera, lidhet edhe me zhvillimin ekonomik, me investimet e huaja, me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë aspekt, Kosova po vazhdon të mbetet ndoshta një ndër vendet më të dobëta sa i përket drejtësisë në Evropë”, thotë Muharremi.
Në Prishtinë, sot është duke qëndruar Ulrike Lunaçek, nënkryetare e Parlamentit Evropian dhe Raportuese për Kosovën pranë Komisionit të Parlamentit Evropian për Kosovën.
Në Raportit e fundit të Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian thuhet se Kosova mbetet vend që duhet të punojë më shumë për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit, të gjejë gjuhë të përbashkët për marrjen e vendimeve politike në Kuvend dhe të angazhohet më shumë në reformat ekonomike dhe dialog me Serbinë. (REL)