Arrestimet e qytetarëve të Kosovës - që kanë ndodhur kohët e fundit nga autoritetet e Serbisë, derisa ata po kalonin nëpër territorin e këtij shteti - janë të papranueshme, joligjore dhe janë shenja hakmarrëse të Qeverisë së Serbisë, për t'i bërë presion Kosovës dhe ta shtyjë në sjellje destruktive, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Javë më parë, autoritetet serbe patën arrestuar nënkolonelin e Policisë së Kosovës, Nehat Thaçin, me dyshimet dhe akuzat për krime lufte. Ai është liruar të martën, pas më shumë se një muaj qëndrimi në paraburgim. Ndërkaq, ditë më parë, me dyshime dhe akuza të njëjta, është arrestuar edhe qytetari tjetër nga Kosova, Hilmi Kelmendi.
Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë së Kosovës ka reaguar, duke i quajtur këto arrestime të papranueshme dhe që “rrezikojnë shumë proceset e arritura gjatë periudhës së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”. Njëherit, kjo ministri u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve të Kosovës - të cilët për çfarëdo arsye e zgjedhin Serbinë si vend transit gjatë muajve të ardhshëm - ta shmangin atë maksimalisht.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Valon Murtezaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzekutivi i vendit po e shqyrton situatën lidhur me arrestimet e shtetasve të saj, si dhe mundësitë e veprimeve në përputhje me situatën.
“Nëse këto sjellje destruktive, joligjore, vazhdojnë edhe në të ardhmen, duket se edhe Qeveria e Kosovës do të jetë e shtrënguar që të marrë të tjera masa apo të tregojë të tjera sjellje në kuptimin e aspektit të qasjes që e ka pasur deri më tani në përgjithësi, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë”, thotë Murtezaj.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Ramadani, profesor i Sigurisë Kombëtare në Kolegjin ISPE, thotë për Radion Evropa e Lirë se rekomandimi për qytetarët i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, që ta shmangin sa më shumë që të jetë e mundur kalimin nëpër Serbi, është i pamjaftueshëm si masë.
“Do të duhej që të ketë një lloj ofensive diplomatike dhe gjithështetërore për të ngritur vetëdijesimin rajonal dhe ndërkombëtar ndaj një logjike të tillë të stërkequr të Serbisë në raport me shtetasit e Kosovës, logjikë e cila e dëmton në mënyrë tepër të dukshme mundësinë e normalizimit të raporteve midis dy shteteve, mundësinë e arritjes së një stadi të bashkëpunimit midis dy shteteve. Mbi të gjitha, e minon definitivisht procesin ndërkombëtar të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Ramadani.
Në anën tjetër, zëvendësministri i jashtëm, Murtezaj, thotë se Qeveria e Kosovës është duke komunikuar me Brukselin, lidhur me rastet e arrestimeve të shtetasve të Kosovës nga ana e autoriteteve të Serbisë, si dhe për situatën e mundshme që mund të prodhojë kjo sjellje e shtetit serb.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë e përkushtuar dhe vazhdimisht, sidomos ditëve të fundit, është në komunikim të ngushtë me të gjithë partnerët, me qeveritë, qoftë në formë bilaterale apo në komunikim tjetër me Brukselin, për të influencuar apo për të kërkuar nga Brukseli që të stopojë sjelljen e tillë të Qeverisë së Serbisë”, shprehet Murtezaj.
Sido që të jetë, profesor Ramadani ka theksuar se, në situatën e krijuar, logjika institucionale e Kosovës në asnjë variant nuk do të duhej të ketë qasje hakmarrëse ndaj Serbisë, me aktakuza politike ndaj serbëve të Kosovës e as të Serbisë, për faktin se të njëjtën po e bën vet kjo e fundit.
Sipas tij, Kosova vetëm duhet të ndikojë në krijimin e një presioni ndërkombëtar, pikërisht duke u thirrur në faktin se aktakuzat e autoriteteve serbe ndaj shtetasve të arrestuar të Kosovës janë plotësisht politike dhe se një vend që bën aktakuza politike, sipas tij, është shumë larg demokratizimit dhe rrugës për në Bashkimin Evropian. (REL)