Me krijimin e infrastrukturës ligjore, Forca e Sigurisë së Kosovës do të kalojë përmes një tranzicioni prej 10 vitesh deri në transformimin e plotë në Forca të Armatosura. Kështu ka deklaruar ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ndërsa po raportonte para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme.
Aktualisht, procesi i themelimit të Forcave të Armatosura apo Ushtrisë së Kosovës ka mbetur i bllokuar për shkak të mungesës së përkrahjes nga deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës.
Për t’u realizuar ky transformim nevojiten ndryshimet kushtetuese, të cilat nuk mund të bëhen pa mbështetjen me votat e dy të tretave të deputetëve nga radhët e komuniteteve.
Mungesa e kësaj mbështetje, besohet se ka karakterin politik, ngaqë, sipas ministrit Demolli, përfaqësuesit politik nga Lista Serbe nuk kanë paraqitur ndonjë kërkesë specifike, e cila mund të jetë refuzuar dhe më pas të përdoret si shkas për mos përkrahjen e themelimit të Forcave të Armatosura.
Demolli e ka mohuar që përfaqësuesit serbë kanë kërkuar të kenë postin e zëvendëskomandantit të Forcave të Armatosura, apo edhe të formohet ndonjë njësi e veçantë për veriun e Kosovës.
"Unë vërtetë kam dëgjuar në media që është përfolur për dy kërkesa: njëra për zëvendëskomandantin dhe tjetra për një njësi regjionale mono-etnike. Të jeni të bindur që në takimet e tilla nuk kemi pasur kërkesa të tilla", tha Demolli.
Ministri Demolli tha po ashtu se e përkrah vetëm formën e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura përmes amandamentimit të Kushtetutës dhe jo përmes modifikimit të ligjit aktual. Sipas tij, transformimi do ta respektojnë elementin gjinor, atë shumë-etnik dhe do të zhvillohet duke respektuar standardet e NATO-s .
“Ushtria do të jetë jo voluminoze, por bashkëkohore dhe do të jetë sipas kritereve të NATO-s dhe nuk do të paraqesë asnjë shqetësim në rajon. Do të respektojë elementin gjinor dhe do të jetë multi-etnike. Do të jetë e pajisur me kapacitetet e saj mbrojtëse. Ajo Forcë nuk do të paraqes kërcënime për asnjë vend në rajon”, ka thënë Demolli.
Forcat e Armatosura, ka theksuar ai, do të jenë garantuese dhe kontribuuese të stabilitetit, si në vend ashtu edhe në rajon.
Lidhur me shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosur ka folur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai tha se për faktin se FSK-ja ka arritur standardet më të larta të kërkuara nga NATO, tani është gati të jetë pjesë e saj.
“FSK-ja është gati dhe shpejt do të bëhet Ushtria e Kosovës. Ushtria e Kosovës është element i domosdoshëm në arkitekturën e sigurisë nacionale, rajonale dhe më gjerë. Shpejt do ta kemi këtë ushtri, partnere të denjë të Aleancës Veriatlantike, emblemë krenare të Kosovës së zhvilluar dhe të integruar në Bashkimin Evropian”, ka theksuar kryeparlamentari Veseli, deri sa ka vizituar Kazermën e FSK-së në Mitrovicë, ku takoi pjesëtarët e Brigadës së Reagimit të Shpejtë.
Ndërkohë, deputeti Rexhep Selimi nga radhët e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, i cili mori pjesë në raportimin e ministrit Demolli, tha se në pamundësi të miratimit të ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura, Kuvendi dhe Qeveria duhet të këmbëngulin që FSK-ja të ketë një buxhet të mirë dhe stabil, i cili do ta bënte më të lehtë edhe vet fazën e transformimit në të ardhmen.
"Nëse Qeveria dëshiron ta ndihmojë FSK-në, nëse Kuvendi dëshiron ta ndihmojë FSK-në, hajde ta bëjmë hapin e parë, po shkojmë drejt aprovimit të buxhetit, t'ia rrisim buxhetin. Sepse pa buxhet ne kërkojmë kot prej tyre", tha Selimi.
Kadetët e FSK-së, sipas ministrit Haki Demolli, po shkollohen në SHBA, Britani të Madhe, Gjermani, Turqi, Kroaci e Maqedoni. Po ashtu, sipas tij, për herë të parë KFOR-i ka ftuar kadetët që të marrin pjesë edhe në ushtrime ushtarake.
Pa mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të bashkësive pakicë, është e pamundur që të miratohen ndryshimet kushtetuese, të cilat do t’i hapnin rrugë formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.
Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës pritet të prezantohet në Kuvend nga Qeveria, nëpërmjet projektligjit që përcakton ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat do të diktojnë edhe nevojën e ndryshimeve kushtetuese.
Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë pasardhëse të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të cilat kanë më shumë kompetenca të ndërhyrjeve emergjente sesa ushtarake. (REL)