Rruga për t’u bërë luftëtar i një lufte të huaj, diku në Sirinë e largët, ishte rruga e pendimit për shumë nga ata, që të frymëzuar nga mediat sociale, ia mësynë frontit.
Nuk janë të paktë as personat nga Kosova, pjesëmarrës në luftën në Siri apo edhe në Irak, të cilat janë kthyer të zhgënjyer. Disa prej tyre, tani duan të kontribuojnë që askush nga shtetasit e Kosovës të mos ia mësyjë më kësaj rruge.
Liridon Kabashi është njëri prej tyre. Ai është dënuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj me 3 vjet heqje lirie. Aktualisht, Liridoni është në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit rreth dënimit të tij.
“Në Siri kam qenë nga shtatori deri në dhjetor të vitit 2013. Arsyeja pse kam shkuar ka qenë humanizimi... duke parë video, e mora një vendim që të solidarizohem me popullin sirian... qëllimi ka qenë humanizimi, por kur shkova atje e pash se nuk ishte në rregull... me të kuptuar se ku jam, në çfarë organizate, e mora vendimin që të kthehem në Kosovë”, thotë ai.
Liridoni së fundi i është bashkuar një Instituti për Integrim, Siguri dhe Deradikalizëm, institut ky që ka për qëllim ri-integrimin e personave të cilët janë kthyer nga lufta e Sirisë, si dhe vetëdijesimin e personave të cilat mund të jenë potencial për të shkuar në luftëra të huaja.
“Duke e kuptuar realitetin në Siri, duke e parë vetë çfarë dezinformata po rrjedhin, ne kemi menduar që përmes projekteve të ndryshme të parandalojmë radikalizmin, të ju tregojmë të tjerëve se çfarë i pret atje. Të ju tregojmë se atje nuk bëhet një luftë e shenjtë... atje bëhet një luftë e keqe”, thotë Kabashi.
Instituti për Siguri dhe Integrim, me seli në Prishtinë, i vendosur përballë zyrave të Drejtorisë kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, është licencuar në prill të vitit 2016 nga autoritetet kompetente.
Instituti përbëhet nga 7 anëtarë, katër prej tyre janë ekspertë të fushave të ndryshme; një ekonomist, një studiues i shkencave të sigurisë, një ekspert i fushës së integrimit, e po ashtu është edhe një psikolog.
Themelues i këtij Instituti është Albert Berisha, po ashtu pjesëmarrës në luftën në Siri. I zhgënjyer nga ajo çfarë ka përjetuar atje, ai ishte kthyer në Kosovë. Ai tregon se ideja për themelimin e Institutit është që të ndihmojnë personat e tjerë, në mënyrë që të mos arrijnë deri tek kjo çfarë kanë përjetuar ata.
“Po mendoj se ne jemi më të thirrur për tu marrë me këtë fenomen, për arsye se ne kemi qenë të involvuar direkt në këto ngjarje prej fillimit, shkuarjes në luftë, kthimit në Kosovë, arrestimit, gjykimit, persekutimit medial, stigmatizimit shoqëror."
"Ne mendojmë se më se miri e kuptojmë gjendjen e atyre personave që kanë qenë sikurse ne. Ne mendojmë se jemi personat e duhur, sepse ne flasim gjuhën e tyre, ne e ndjejmë dhembjen e tyre dhe ne mendojmë se do të krijojmë mirëbesim në mënyrë që të arrihet deri të deradikalizimi”, thotë ai
Berisha tregon se kanë kontakte edhe me disa nga familjarët e personave të cilët janë në luftërat në Siri dhe Irak, të cilëve do të ju kërkojnë që të kthehen dhe riintegrohen në shoqëri.
Për pjesëmarrjen në luftën në Siri dhe Irak, Albert Berisha është i dënuar me 3 vjet e gjysmë heqje lirie dhe është në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit rreth dënimit të tij.
Berisha konsideron se burgu dhe masat tjera të dhunshme nuk janë zgjidhje për personat që kanë marrë pjesë në luftën e Sirisë dhe Irakut. Burgimi i këtyre personave, shton ai, vetëm mund sa mund t’i radikalizojë ata dhe se radikalizmi mund të vazhdojë brenda burgut.
“Shpresoj të mos dënohemi, për arsye se ne kemi bërë një gabim dhe atë gabim po tentojmë ta rregullojmë, po mendojmë që të bëhemi të dobishëm për personat e tjerë dhe po mendojmë se kontributi jonë që mund ta japim është një kontribut më i madh sesa që mund të japim kontribut brenda burgut”, thekson Berisha.
Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës është e njoftuar për hapjen e këtij Instituti nga persona të cilët kanë qenë pjesë e luftërave në Siri e Irak, të cilët janë në procedura gjyqësore.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se beson që autoritetet kompetente në dhënien e licencës për veprim të kësaj organizate të kenë vepruar kujdesshëm.
“Masat që ndërmerren ndaj tyre (të kthyerve nga Siria të cilët janë në procedura gjyqësore), merren në bazë të një ligji dhe duhet të respektohen edhe të drejtat e tyre...nuk mund të jemi arbitrar në këtë kuptim."
"Për rastin në fjalë ne jemi në dijeni... ai ka shfrytëzuar të drejtën e tij të ankesës dhe derisa nuk shtjerren të gjitha shkallët në procedurën gjyqësore dhe nuk kemi një vendim të formës së prerë, ai nuk mund të konsiderohet i dënuar, dhe në këtë kontekst besoj e kanë pas parasysh autoritetet të cilat e kanë kanë miratuar hapjen e një OJQ-je nga personi në fjalë”, thekson Hoxha.
Që nga rasti i parë i shkuarjes së shqiptarëve të Kosovës në luftën në Siri dhe Irak, në vitin 2012, deri më tani, janë regjistruar mbi 300 luftëtarë nga Kosova që kanë shkuar në atë zonë.
Për disa prej personave të kthyer, Polica e Kosovës ka hapur hetime, disa janë arrestuar, derisa janë dënuar 35 prej tyre.
Autoritetet në Kosovë vlerësojnë se kanë shënuar përparime të mëdha në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit ekstrem fetar.
Që nga shatori i vitit të kaluar deri në shtator të këtij viti nuk ishin shënuar shkuarje të reja në frontet e luftës në Irak e Siri, por së fundi Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se janë evidentuar gjashtë raste si nisje të qytetarëve nga Kosova për në frontet e luftës në Siri apo Irak. (REL)