Një shtetas i Kosovës është dënuar të premten me 20 vjet burgim për vjedhje të të dhënave personale të mbi 1,000 pjesëtarëve të ushtrisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe kalimin e tyre te militantët e Shtetit Islamik.
Ardit Ferizi, 20 vjeç, është arrestuar në Malajzi vitin e kaluar dhe është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara.
Ai e ka pranuar fajësinë në gjykatën federale të Virxhinias, në muajin qershor.
“Ky rast paraqet herën e parë që kemi parë një kërcënim shumë real dhe të rrezikshëm për sigurinë kombëtare, i cili ka rezultuar nga kombinimi i terrorizmit dhe shkeljeve kibernetike”, tha Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Ferizi, vitin e kaluar, ka depërtuar në të dhënat e një kompanie private dhe ka siguruar emrat, fjalëkalimet e emaileve dhe numrat e telefonit të 1,351 ushtarëve dhe zyrtarëve amerikanë.
Shteti Islamik më pas i ka publikuar këto të dhëna në Twitter, së bashku me kërcënime kundër ushtarëve. (v.tela)
Facebook Forum