Përplasje për identitet, kosovar apo shqiptar

Ilustrim

Pretendimet se me krijimin e Kosovës si shtet i pavarur është krijuar ose po krijohet edhe kombi kosovar vite më parë ishin shndërruar në debat individësh në rrjete sociale, të cilat i ishin lënë stihisë.

Por, me pranimin e Kosovës në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe Federatën Botërore të Futbollit (FIFA), si dhe me largimin e disa lojtarëve me prejardhje nga Kosova nga kombëtarja e Shqipërisë, për të luajtur për përfaqësuesen e futbollit të Kosovës, ka nxitur debatin në medie sociale, sërish mbi pretendimet nëse po krijohet një identitet i ri apo komb kosovar.

Debati është ashpërsuar edhe më tej, pas vizitës në Serbi të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, vizitë e cila në qarqet politike dhe mediatike në Kosovë është parë si tendencë për përfaqësim të të gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe ata të Kosovës.

Në këtë rrafsh, përfaqësues të institucioneve të larta të Kosovës, por edhe një numër opinionistësh, kanë theksuar se Kosova i ka institucionet e saj, të cilat e përfaqësojnë atë.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, thotë për Radion Evropa e Lirë se termi ‘kosovar’ është i papranueshëm për liderët politik të Serbisë, për faktin se duke mohuar këtë term, mohojnë edhe shtetin e Kosovës. Në rrjedhën e kësaj, sipas tij, politika serbe i njeh si komb vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, ndërkaq, shqiptarët e Kosovës, i shohin si pakicë etnike.

Në këtë kurth, siç e quan Matoshi, ka rënë edhe kryeministri Rama. Sipas tij, ai ka të drejtë të takohet me zyrtarët serbë, të flas për marrëdhënie bilaterale, të flas edhe për Kosovën, por, jo në emër të Kosovës.

“Nuk e ka të drejtën që të vendos në emër të Kosovës ose të flas në emër të saj, sepse Kosova tashmë është një shtet i pavarur dhe e ka një qeveri të ligjshme. Kjo do të thotë se duhet ta respektojë sovranitetin e shtetit dhe të mos përzihet në raportet politike, në punët e brendshme, sepse kjo e ka shijen e një paternalizmi ose madje edhe të një imperializmi të vonuar shumë në histori”, thotë Matoshi.

Njohësi i zhvillimeve në Kosovë, Milazim Krasniqi, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se debati i ndezur, siç e quan ai, me arsye, është rezultat i mungesës së koordinimit të politikave ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos në raport me Serbinë.

“Deklaratat e Edi Ramës në Beograd se i adhuron Emir Kosturicën (regjisor serb), Ivo Andriqin (shkrimtar serb), pra, figura morbide antishqiptare, me të cilat Kosova ende ka trauma të freskëta, sinqerisht nuk i kontribuojnë mirëbesimit ndërmjet elitave tona - ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”.

“Prandaj, në këtë aspekt, po them se do të duhej të rikthehej praktika e koordinimit të raporteve, e veçmas në rastet e ndjeshme të raporteve ballkanike, e posaçërisht me Serbinë”, thotë Krasniqi.

Por, megjithatë, një numër opinionistësh në Kosovë, tash e disa vjet, kanë nisur idenë se pas pavarësimit të Kosovës është duke u krijuar dhe formësuar kombi ‘kosovar’, pretendime të cilat kundërshtohen nga një grup tjetër opinionistësh.

Analisti Matoshi i takon taborit të atyre që mendojnë se kombi ‘kosovar’ është në ngritje e sipër. Sipas tij, shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha trojet ku ata jetojnë, janë shqiptarë etnik. Por, sipas tij, etnia është një konstantë, ndërkaq që kombi, siç thotë ai, është bashkësi njerëzore e konstruktuar politikisht.

“Pas krijimit të kombit shqiptar, më 1912 dhe 1913 dhe njohjes së tij ndërkombëtare, etnia shqiptare e ka krijuar edhe një komb tjetër, të vullnetit politik do të thosha, kombin kosovar. Etni shqiptare, si shumicë, është titullare e kombit në Kosovë dhe këtu nuk duhet të ketë kurrfarë konfuzioni. Ajo e ka në pronësi të vet shtetin kosovar. Kjo do të thotë, një shtet, i cili ka gjasa të bëhet shtet shumëtnik, nëse pakicat në Kosovë e pranojnë nën identitetin e quajtur ‘kosovar’”, thotë Matoshi.

Por, profesor Krasniqi, nuk pajtohet në këtë pikë. Sipas tij, kombi shqiptar është një komb unik dhe nuk ka asnjë krizë të identitetit, por tashmë ekziston realiteti se ai jeton në dy shtete të ndryshme, por edhe në territore tjera jashtë këtyre dy shteteve.

“Jam i bindur që kombi shqiptar, ky që është tash, është unik, vital dhe dinamik, si dhe nuk ka asnjë tendencë serioze, që duket në horizont, se do të ndahet një fraksion i tillë dhe të shndërrohet në komb tjetër.”

“Por, tashmë kanë filluar të shfaqen interesat e ndryshme të dy shteteve, në këtë rast, Shqipërisë dhe Kosovës, dhe kjo pastaj bën që të keqpërdoret tema e identitetit kombëtar për të kënaqur idetë paternaliste që vijnë kryesisht nga Shqipëria, të elitave politike ose eventualisht edhe ato ‘separate’ në raport me Shqipërinë, që mund të gëlojnë në Kosovë”, thotë Krasniqi.

Megjithatë, të dy këta njohës të zhvillimeve në Kosovë vlerësojnë se ideja e një bashkimi kombëtar, që do të nënkuptonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, mbetet vetëm në suazat e retorikës.

Matoshi thotë se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe po kalon nëpër procesin që çon drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Të njëjtat synime, sipas tij,i ka edhe Kosova. Ndërkaq, Krasniqi vlerëson se kombi shqiptar -asnjëherë në historinë e tij - nuk ka qenë më i lirë dhe më i sigurt dhe se ai ose një pjesë e tij nuk është në situatë që nën ndonjë presion ta ndërrojë identitetin. Por, sipas tij, shqiptarët janë në situatën që identitetin e tyre dhe vlerat e këtij identiteti t’i valorizojnë në kuadër të familjes së kombeve të lira evropiane. (REL)