Viktimat e krimit duhet të trajtohen me profesionalizëm dhe dinjitet, duke ruajtur jetën private të tyre, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Këto komente Thaçi i ka bërë gjatë një organizimi për shënimin e “Javës për të drejtat e viktimave të krimit”.
Thaçi ka deklaruar se thirrja e popullit të Kosovës për të ndërtuar një ardhmëri si një vend i lirë e i sigurt është orientuar qartë që nga shpallja e pavarësisë së vendit.
Tutje, ai ka potencuar se qëllim është funksionalizimi i së drejtës me anë të miratimit të ligjit që do të mundësonte kompensimin e viktimave të krimit.
“Në vazhdën e masave të shumta që ka ndërmarrë Republika e Kosovës, është edhe nxjerrja e ligjit për kompensimin e viktimave të krimi’’, ka theksuar Thaçi.
Ndërkaq, kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, ka deklaruar se pavarësisht nga simbolika, drejtësia dhe rimëkëmbja e viktimave nuk është veprimtari përkujtimore, por është obligim i shtetit.
“Të drejtat e viktimave të krimit janë të mbrojtura me anë të Kushtetutës”, ka thënë Lumezi. Sipas tij, tashmë në të gjitha prokuroritë janë caktuar prokurorë të cilët do të merren me viktimat e krimit.
“Krimi i cili nuk ndëshkohet përsëritet. Institucionet e drejtësisë duhet të udhëhiqen nga njerëz me integritet moral. Ju duhet kohë për të peshuar të drejtën, por kjo është kohë e shkurtër për viktimat e krimit”, ka theksuar Lumezi.
Në konferencë ka marrë pjesë dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, i cili i ka inkurajuar autoritetet vendore që t’i trajtojë viktimat e krimit me respekt dhe dinjitet.
“Kur sigurohemi se viktimat kompensohen, ne sigurohemi se atyre ju paguhet shërimi dhe ndikon në mos përsëritjen e krimit. Këtë javë të gjithë nderojmë viktimat e krimit’’, ka thënë Delawie.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka thënë se një nga testet e sistemit juridik është edhe ai se si një shtet i trajton viktimat e krimit.
Konferenca “Drejtësi dhe rimëkëmbje për viktimat”, sivjet mban sloganin “1 javë vetëdijesim, 365 ditë shërbim”. (REL)