Deputetët e Listës Serbe i janë drejtuar të enjten Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së miratimit të Ligjit për Trepçën.
Deputeti Slavko Simiq, kryetar i Listës Serbe, e cila ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se me miratimin e këtij ligji janë shkelur mjaft dispozita të Kushtetutës, si dhe Rregullorja e Kuvendit.
Sipas tij, me miratimin e Ligjit për Trepçën, nuk janë respektuar interesat vitale të bashkësisë serbe dhe se ligji nuk është shqyrtuar në Komisionin Parlamentar për Komunitete dhe Këshilli Konsultativ për Komunitete.
Kjo, sipas Simiqit, paraqet shkelje të Kushtetutës së Kosovës, në nenet të cilat kanë të bëjnë me bashkësitë pakicë dhe të drejtat e bashkësisë serbe në Kosovë.
“Presim që Gjykata Kushtetuese të jetë krejtësisht profesionael dhe e paanshme kur bëhet fjalë për kërkesën tonë, që t’i marrë në konsideratë dhe t’i shqyrtojë të gjitha faktet e ofruara lidhur me shkeljen e Kushtetutës së Kosovës dhe që ligjin ta shpallë jo Kushtetues dhe ta shfuqizojë”, ka thënë Simiq.
Sipas tij, e rëndësishme është që për shkak të dorëzimit të kërkesës në Gjykatë Kushtetuese, ligji nuk mund të hyjë në fuqi, sepse presidenti i Kosovës nuk mund ta publikojë në gazetën zyrtare.
Në anën tjetër, Faton Abdullahu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, vlerëson se Lista Serbe ka shfrytëzuar të drejtën e saj ligjore që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, siç thotë ai, Qeveria e Kosovës, partner i së cilës është edhe Lista Serbe, konsideron se veprimi i kësaj të fundit, lidhur me Ligjin për Trepçën, nuk është konstruktiv.
“Ajo (Lista Serbe) konsideron se ka shkelje dhe mundohet ta justifikojë qasjen e saj, në forma të ndryshme, gjithsesi në institucione të Kosovës. Ne si qeveri, mendojmë se është bërë punë e gjatë dhe konstruktive, si dhe e dobishme për të gjithë, për të tashmen dhe të ardhmen e zhvillimit social dhe tjetër. Ne, gjithsesi besojmë që këto ankesa nga përfaqësuesit e komunitetit serb, nuk janë ato që do të duhej të ishin. Nuk janë konstruktive dhe aq më pak të dobishme”.
Kërkesën e Listës serbe ndaj Gjykatës Kushtetuese, profesori dhe eksperti i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka, e ka quajtur të pabazuar dhe pa mbështetje.
Nisur nga kjo, sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej ta pezullonte procedurën e mëtejme, e cila parasheh që Ligji për Trepçën të shkojë te presidenti i vendit, i cili do ta fuste në fuqi ligjin.
“Sa i përket Kushtetutshmërisë, këtu nuk ka shkelje kushtetuese, për shkak se nuk është cenuar asnjë parim dhe asnjë dispozitë e Kushtetutës. Në qoftë se Gjykata Kushtetuese, me vendim paraprak, do të kërkonte që të pezullohet procedura, atëherë ajo do të pezullohet. Por, unë nuk besoj që Gjykata Kushtetuese do të bie aq poshtë, sa që pa pasur bazë ta pezullojë procedimin e mëtejmë”, ka thënë Smaka.
Përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës e kanë “ngrirë” pjesëmarrjen e tyre në punën e këtyre institucioneve, pikërisht për shkak të Ligjit për Trepçën, të cilin Kuvendi i Kosovës e ka miratuar javën e kaluar.
Simiq ka theksuar se lidhur me vazhdimin e punës së tyre në institucione, paraprakisht do të bëhen konsultime brenda Listës serbe dhe me Qeverinë e Serbisë, por edhe me institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend.
“Presim një varg konsultimesh dhe ta tejkalojmë këtë sfidë të sapodalë, duke i thirrur për përgjegjësi edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, por edhe të gjithë përfaqësuesit politik relevant këtu në Prishtinë, në mënyrë që të kemi një konsensus të gjerë që me çështjen e Trepçës, të mos merren ata që thjeshtë nuk e njohin mjaftueshëm gjithë materien dhe që për çështjen e Trepçës të insistohet vetëm në bisedime dhe jo të paragjykohen të drejtat, statusi dhe pronësia”, ka thënë Simiq.
Por, Abdullahu, ka theksuar se Lista Serbe duhet t’i kthehet institucioneve dhe të kryej obligimin ndaj votuesve të vet.
“Lista Serbe duhet të jetë konstruktive, të ketë qasje ndryshe, t’i kthehet jetës institucionale, duke qenë e vetëdijshme se ajo ka obligim juridik dhe politik edhe ndaj atyre, të cilët e kanë votuar të jetë pjesëtare e institucioneve të Kosovës. Ne jemi të bindur se duke qenë pjesë e institucioneve të Kosovës, ata do të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë, të gjitha të drejtat, për të nxjerrë përfitime nga më të ndryshmet për komunitetin në përgjithësi, e në rastin konkret edhe për minatorët e Kosovës në atë anë (veri)”.
Sidoqoftë, Simiq ka theksuar se deputetët e Listës Serbe , javën që vjen, do t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së miratimit edhe të Ligjit për investime strategjike, i cili po ashtu është miratuar këtë javë nga Kuvendi i Kosovës.