Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, me të cilën kërkon lirimin e menjëhershëm të Drejtorit rajonal të Policisë, Nehat Thaçi, i cili po mbahet nën masën e arrestit në Serbi.
Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, janë propozuar dy tekste të rezolutës. Njëri tekst është propozuar nga dy partitë në pushtet, LDK dhe PDK, si dhe grupi 6 plus.
Ndërkaq, teksti tjetër është propozuar nga partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Pas debatit, i cili kishte nisur të martën, Kuvendi i Kosovës, ka miratuar me shumicë votash rezolutën e paraqitur nga partitë në pushtet, teksti i së cilës përmban 6 pika.
Me këtë rezolutë “Kuvendi i Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të zotit Nehat Thaçi, epror i Policisë së Republikës së Kosovës”.
Përmes kësaj rezolute, Kuvendi i Kosovës ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që përmes mekanizmave të saj detyrues të ndërhyjë te Qeveria e Serbisë që të lirohet zoti Nehat Thaçi.
Përmes rezolutës, Kuvendi ka kërkuar që çdo komunikim i Qeverisë së Kosovës për lirimin e zoti Thaçi, të bëhet përmes zyrës së Federica Mogherinit, përfaqësuese e lartë e BE-së.
Po ashtu është kërkuar edhe që Qeveria e Kosovës t’ia bëjë me dije BE-së se veprimet e tilla të Serbisë në raport me institucionet dhe qytetarët e Kosovës, e rrezikojnë thellë përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe dialogun ndërmjet dy vendeve, duke e detyruar Kosovën për reciprocitet.
Gjithashtu, Kuvendi ka kërkuar që misioni i EULEX-it të deklarohet për rastin e Thaçit dhe është kërkuar angazhim i drejtpërdrejtë, si mision me kompetenca të veçanta.
Nga Interpoli është kërkuar që Policia e Kosovës të bëhet pjesë e kësaj organizate dhe është insistuar që fletë-arrestet politike të shpallura nga Serbia, të largohen nga sistemi i tyre ligjor. (REL)