Shqiptarët dhe serbët: Kosova pa demokraci të konsoliduar

Ilustrim

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë e cila po shënohet të enjten në botë, njohësit zhvillimeve politike dhe të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë, vlerësojnë se Kosova është ende larg konsolidimit të demokracisë së vërtetë.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se Kosova është ende në fazën fillestare të konsolidimit të demokracisë, pavarësisht se duke u përmendur shpesh fjalën “demokraci”,e madje siç thotë ai, edhe duke u keqpërdorur, sidomos nga ana e politikanëve.

Në këtë pikë, sipas tij, krijohet përshtypja e gabuar se qytetarët e Kosovës jetojnë në një demokraci të konsoliduar, që është shembull edhe për vendet tjera.

“Por, fatkeqësisht, nuk është kështu. Përshtypja ime është se, në përgjithësi, më shumë flitet se sa punohet për konsolidimin e demokracisë, gjë që nuk do të duhej të ishte kështu".

"Besoj që institucionet e vendit duhet të punojnë shumë në këtë aspekt, në mënyrë që njerëzit vërtetë ta ndjejnë se jetojnë në një shtet demokratik, në një shtet i cili funksionon në të mirë të tyre e jo në të mirë vetëm të një kaste të caktuar njerëzish. Kjo, fatkeqësisht, ende nuk po ndodhe. Unë nuk besoj që do të ndodhë edhe për vitet në vazhdim”, theksoi Mushkolaj.

Ai shton se një pjesë të, siç e quan ai, fajit për mos konsolidimin e demokracisë në Kosovë, e kanë edhe vet qytetarët e saj, të cilët, sipas tij,kanë krijuar iluzion se jetojnë në një demokraci të konsoliduar dhe nuk reagojnë kur u shkelen të drejtat e garantuara me ligj.

“Ju duket se vërtetë ata jetojnë në një shtet demokratik, se jetojnë në një demokraci, por në anën tjetër, në çdo hap gjatë jetës së tyre, çdo ditë, ata vërtetë e shohin se qasja e shtetit, qasja e institucioneve në përgjithësi, ndaj jetës së tyre, nuk është e tillë, nuk është demokratike. Përkundrazi, çdo ditë shohin se ju shkelen të drejtat e tyre, por në anën tjetër, nuk e ngritin zërin. Është e domosdoshme që reagimi të jetë sa më i zëshëm në këtë aspekt”, është shprehur Mushkolaj.

Dushan Radakoviq nga Qendra për përfaqësim të kulturës demokratike (ACDC) në Mitrovicë e veriut, duke folur për radion Evropa e Lirë, vlerëson se problemet me azilkërkuesit të cilat e kanë tronditur Bashkimin Evropian, si dhe problemet që bota ka me me vendet që janë vatra të konflikteve të dhunshme, e kanë frenuar vëmendjen dhe një ndihmë më të madhe nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Kosovës që ajo të arrijë standarde më të mira të demokracisë.

“Unë mendoj që Kosova tash e disa vite po stagnon në këtë drejtim. Ka pasur periudha që ka shkuar në rrugën e duhur, por tash, në disa vitet e fundit, Kosova nuk është në rrugë të mirë, për sa i përket demokracisë në përgjithësi”, ka thënë Radakoviq.

Ai ka shtuar se për të arritur standardet e lakmueshme të një demokracie të mirëfilltë, nevojitet një punë më e madhe, mund më i madh, si dhe hapa konkret.

“Duhet të heqim dorë nga disa çështje të mëdha politike dhe të fillojmë të punojmë në forcimin e institucioneve në përgjithësi dhe forcimin e demokracisë në shoqëri dhe vetëdijes për atë se çfarë nënkupton një vend demokratik. Kështu që, sa më pak politikë dhe sa më shumë ndërtim të kapaciteteve njerëzore në shoqërinë e Kosovës në përgjithësi”, tha Radakoviq.

Në anën tjetër, Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se shënimi i Ditës ndërkombëtare të demokracisë në Kosovë është, siç thotë ai, vetëm një datë protokollare.

Por, sipas tij, shënimi i kësaj dite, në njërën anë dhe në anën tjetër, krijimi i kushteve që do t’i jepte kuptim shënimit të kësaj date, janë larg njëra tjetrës në Kosovë.

“Kosova është një shtet që ka dalë nga lufta dhe i cili nuk k arritur ende të konsolidohet, sepse këtu ka shumë faktorë që në emër të konsolidimit të situatës, në fakt kanë kontribuar që situata të mbahet gjithmonë pezull, e tensionuar. Në emër të së drejtave të njeriut kanë krijuar më shumë mekanizma, të cilat i shkelin këto të drejta, se sa që i respektojnë apo i mbrojnë këto të drejta”, vlerësoi Shala.

Ai shton se në një vend si Kosova, ku varfëria dhe papunësia shënojnë shkallë shumë të lartë, ku ka pasiguri politike, e cila rrjedh nga pasiguria ekonomike, është iluzion që të flitet për të drejta të njeriut, e që janë baza e demokracisë.

“Ka demokraci, por kjo demokraci është sa për të mbijetuar. Nuk është një demokraci zhvillimore dhe nuk është një demokraci që e siguron një perspektivë”.

Dita ndërkombëtare e Demokracisë po shënohet edhe në Kosovë. Kuvendi i Kosovës, ka hapur dyert për vizitorët, në shenjë të shënimit të kësaj dite. (REL)