Lufta e harruar e Shtetit Islamik në Irak

Ilustrim

Armëpushimi në Siri, midis forcave të presidentit Bashar al-Assad dhe grupeve opozitare, ka hyrë në fuqi më 12 shtator.

Sipas ndërmjetësuesve të marrëveshjes, Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, armëpushimi do të mundësojë bashkëpunimin në mposhtjen e grupit ekstremist Shteti Islamik dhe të grupeve të tjera xhihadiste.

Armëpushimi, i nisur në ditën e parë të Kurban Bajramit, ka ardhur në kohën e luftimeve intensive për qytetin e ndarë të Alepos. Optimistët shpresojnë se së paku do të mundësojë dërgimin e ndihmave në qytetin e rrethuar. Askush nuk mendon se do të zgjasë për kohë të gjatë.

Por, derisa sytë janë përqendruar te Shteti Islamik në Siri, zhvillimet në Irak duken të njëjta, nëse jo edhe më pesimiste.

Iraku ka qenë vazhdimisht qendra për Shtetin Islamik, për të shtyrë përpara qëllimet e tij ideologjike. Vetëm kur ka marrë kontrollin e Mosulit, në verën e vitit 2014, lideri i grupit ekstremist, Abu Bakr al-Baghdadi, ka thënë se ka realizuar synimin e tij: shpalljen e kalifatit islamik, që shtrihet nëpër Siri dhe Irak.

Në vitin 2014, Shteti Islamik ka kontrolluar një zonë më të madhe se Britania e Madhe. Dy vjet më vonë, gjërat duken më ndryshe. Me luftën e forcave irakiane dhe kurde, si dhe të milicive shiite të mbështetura nga Irani, Shteti Islamik ka humbur gjysmën e territorit që ka pasur në kulmin e tij, përfshirë edhe fusha jetike të naftës. Sipas agjencisë Reuters, grupi ka humbur tri nga pesë fusha të naftës që ka pasur nën kontroll.

I dobësuar financiarisht dhe nën rrethim, Shteti Islamik tani përballet me kërcënimin e humbjes së Mosulit, i cili, së bashku me Rakan në Siri, është njëri nga simbolet e kalifatit të pretenduar.

Forcat qeveritare dhe milicitë kanë shënuar fitore të madhe ndaj Shtetit Islamik kur kanë kapur bazën ajrore Kajara, vetëm 65 kilometra në jug të Mosulit, këtë verë. Sipas komandantëve, një “hap i madh” për qytetin mund të ndodhë muajin e ardhshëm.

Por, jo çdo gjë po shkon mirë në luftën kundër ekstremistëve. Një arsye për rritjen e Shtetit Islamik në Irak ka qenë sektarizmi vicios i ish-kryeministrit shiit të Irakut, Nuri al-Maliki, i cili ka shtyrë shumë sunitë të përndjekur, pa dëshirë, në duart e Shtetit Islamik. Ky është një problem që vazhdon.

Përndjekja e sunitëve i ka mundësuar Shtetit Islamik ta paraqesë veten si alternativë reale dhe efektive. Bagdadi mund të shënojë fitore të mëtejshme në terren, por sulmet e kryengritësve mund të mos ndalen.

Në Irak mund të ndodhë shfaqja e Shteti Islamik 2. Pavarësisht prapësimeve, siç ka thënë edhe zëdhënësi i grupit, Abu Muhammad al-Adnani, i vrarë së voni: “Lufta e të motivuarve mbetet”. (REL)

Përgatiti: Valona Tela