Meshë kushtuar shenjtërimit të Nënë Terezës

Your browser doesn’t support HTML5

Meshë kushtuar shenjtërimit të Nënë Terezës

Mesha e së dielës në Katedralen në Prishtinë, i është kushtuar momentit të shenjtërimit të Nënë Terezës, tashmë Shën Tereza, emrin e së cilës e bart edhe vetë katedralja ku u mbajt mesha.

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka thënë se Nëna Terezë duhet të jetë frymëzim për të gjithë, pasi ajo mundohej t'i mësonte njerëzit të jetojnë në paqe.

"Nderimi ynë për Nënë Terezën është i shumëfishtë, sepse nuk kemi dhuratë më të madhe sesa Nënë Terezën. Vëllezër dhe motra, fort të dashur, nderimi ndaj Nënës Terezë nga njëra anë është nderim qytetar dhe shoqëror i të gjithë njerëzve vullnetmirë në Kosovë dhe në botë, si dhe në të gjitha trojet tona shqiptare", është shprehur Gjergji.

Dodë Gjergji ka thënë, po ashtu, se nderimi për Nënë Terezën është i shumëfishtë dhe shqiptarët nuk kanë dhurata më të mëdha se Nëna Terezë.

Kisha dhe besimtarët e saj, sipas Gjergjit, nuk krenohen me faktin se politika, media po e nderojnë Nënën Terezë, por, është shprehur ai, "falënderojmë Zotin, sepse shohim se gjithë bota ka një vullnet të mirë për të vlerësuar një veprim të mirë dhe një grua siç ishte Nëna Terezë.

"Ne, siç kam thënë edhe në Vatikan, ky trung i vjetër, është këputur ky filiz, bashkëkombësit e saj ndihemi të lumtur që kombi ynë i ka dhënë botës një grua shenjtëreshë kaq të madhe dhe kaq të respektuar nga të gjithë", ka theksuar Gjergji.

Në këtë meshë falënderimi për shenjtërimin e Nënës Terezë, morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, dhe përfaqësues të subjekteve politike.

Në meshën së dielës u bë edhe shugurimi i dy meshtarëve të rinj.

"Falënderojmë të gjithë njerëzit dhe falënderojmë kishën tonë për këta dy djem që do t'i kushtohen hyjit. Në ditën e falënderimit të kishës sonë, për shenjtërimin e Nënës Terezë, këta dy djem i kanë shërbyer Papës, njëri në anën e majtë e tjetri në të djathtën në meshën e shenjtërimit", ka bërë të ditur ai.

Qindra mijëra pelegrinë ishin mbledhur në Romë për të parë kanonizimin e Nënës Terezë, murgeshës që tërë jetën e saj ia kushtoi ndihmës për të varfrit në Indi.

Mesha e kanonizimit, ishte udhëhequr nga Papa Françesku, në mëngjesin e 4 shtatorit në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Një numër i peshkopëve nga Shqipëria, dhe nga India kanë marrë pjesë, sikurse dhe liderë shtetërorë.

Papa Françesku ka shpallur Nënën Terezë të shenjtë, duke e bërë modelin e Vitit të tij Jubilar të Mëshirës dhe në një mënyrë të të gjithë Papatit.

Për Papën, Nënë Tereza i ktheu në vepra idealet e tij për kishën që të jetë “një spital fushor” i mëshirës për të varfrit, ata që vuajnë edhe nga varfëria materiale edhe nga ajo shpirtërore.

Nëna Terezë, e cila u lind në vitin 1910 në Shkup, nga prindër shqiptarë, me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ishte murgeshë katolike dhe misionare, e cila pjesën më të madhe të jetës së saj e kaloi në Kalkutë të Indisë, ku themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur 'Misionaret e Bamirësisë'.

Fituesja e çmimit Nobel për Paqe ndërroi jetë në vitin 1997, në Kalkutë.(REL)