Bashkëpunimi rajonal konsiderohet pikë kyçe e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Në këto nisma rajonale, Kosova është treguar bashkëpunuese, por në të shumtën e rasteve nuk ka qenë përfituese aq sa kanë qenë vendet e rajonit, vlerësojnë përfaqësues të organizatave ekonomike në vend.
Janë disa projekte ndërkombëtare, të cilat janë krijuar nga Bashkimi Evropian, me qëllim të thellimit të integrimit ekonomik me vendet e rajonit.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet e Evropës Qendrore, e njohur me shkurtesën CEFTA, ishte njëri nga projektet e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, që nuk solli përfitime për Kosovën, për shkak se, siç është thënë, “Kosova nuk kishte të zhvilluar sektorin e prodhimtarisë për të depërtuar në tregjet rajonale”.
Ndërkohë, dy nga projektet kryesore rajonale në fushën e infrastrukturës të përfolura së fundi, e të cilat përkrahen nga Bashkimi Evropian janë autostrada Durrës – Prishtinë – Nish dhe rehabilitimi i linjës hekurudhore prej kufirit me Serbinë në veri, e deri në jug me kufirin me Maqedoninë.
Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku, këto projekte i konsideron të një rëndësie të veçantë për Kosovën.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ai thotë se Kosova në projektet rajonale, është e barabartë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ka trajtimin sikur të gjitha shtetet tjera.
“Në kuadër të forumit që njihet si Ballkani Perëndimor (që njihet si Procesi i Berlinit), të gjitha vendet janë të barabarta. Kosova është shtet i barabartë në të gjitha këto projekte në kuadër të Procesit të Berlinit, janë projekte që përkrahen nga Komisioni Evropian. Rëndësia është e madhe në veçanti autostrada”, thekson Zharku.
Ai shton se Qeveria e Kosovës dhe populli, është e përkushtuar për bashkëpunimet dhe integrimet rajonale. Me përfundimin e këtyre projekteve në infrastrukturë, thekson ministri Zharku, Kosova do të shërbejë si vend transit për mallra dhe udhëtarë.
“Me përfundimin e pjesës sonë dhe me vazhdimin e autostradës deri në Nish do të rritet qarkullimi i mallrave dhe udhëtarëve nga Evropa Lindore për në Evropën Perëndimore dhe Kosova do të shërbejë si vend transit për këto mallra dhe udhëtarët”.
“Është i rëndësisë së veçantë, po ashtu, investimi në infrastrukturën hekurudhore. Ngritja e nivelit të hekurudhës do të bëjë që të riaktivizohen linjat e vjetra hekurudhore që do të bëjnë lidhjen e Greqisë me vendet e Evropës”, thekson Zharku.
Në një periudhë të ish-Jugosllavisë, hekurudha Athinë-Shkup-Prishtinë dhe deri në Munich, ishte lidhja edhe e Kosovës me vendet e tjera në Evropë.
Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë - Pejë, Hani i Elezit - Fushë Kosovë dhe anasjelltas.
Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës kanë një tren të rregullt, që quhet treni i shpejtë, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë - Shkup - Prishtinë.
Projektet e bashkëpunimit rajonal, të cilat janë iniciuar nga Bashkimi Evropian, siç janë infrastruktura rrugore dhe ajo hekurudhore, sipas përfaqësuesve të organizatave ekonomike në Kosovë, mund të rrisin bashkëpunimin rajonal.
Bashkëpunimi rajonal në infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, do t’u mundësonte shteteve të rajonit të jenë të rëndësishme në tregjet e treta, duke ofruar shërbime dhe prodhime të rajonit.
“Bashkëpunimi rajonal, forcimi i imazhit të rajonit do të jetë objektiv i të gjithëve në këtë drejtim. Nëse bëjmë një paralele para katër vjetëve ka pasur përmirësime, por kjo nuk mjafton, duhet të bëhet më tepër në eliminimin e barrierave".
"Duhet të bëhet më tepër në avancimin e dialogut, të bëhet më shumë në krijimin e kompanive të përbashkëta dhe të mos bisedohet më vetëm për bashkëpunim bilateral dhe rajonal, po të bisedohet në avancimin në format moderne të bashkëpunimit ekonomik”, vlerëson Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.
Vendet e rajonit kanë përfituar, gjithashtu, edhe nga nënshkrimi i marrëveshjeve tregtare me Kosovën, derisa kjo e fundit nuk ka arritur një gjë të tillë.
Sektori i pazhvilluar i prodhimtarisë, kishin thënë ekspertët e ekonomisë, ka bërë që Kosova të mos jetë përfituese e madhe e këtyre marrëveshjeve.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thekson se bashkëpunimi rajonal, deri më tani më shumë ka qenë një bashkëpunim sikur të ishte, siç thotë ai, “një rrugë njëdrejtimëshe”.
Ai thekson se derisa Kosova ka ofruar mundësi për eksport, në disa vendet të rajonit ka pasur probleme të ndryshme burokratike, të cilat janë pengesë e zhvillimit të bashkëpunimit në dy drejtime.
Por, sipas tij, projektet e Bashkimit Evropian që kanë për qëllim thellimin e integrimit ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor, mund të jenë më të suksesshme.
“Kosova është një nga vendet e rralla në Ballkanin Perëndimor që ka hapur dyert për bashkëpunim me të gjitha shtetet e Ballkanit dhe për vendet e treta, por një gjë e tillë nuk është e hapur për Kosovën nga disa tregje të rajonit”.
“Nismat për bashkëpunim rajonal që ka marrë BE-ja, janë nisma të mira e që kanë synimin rritjen e bashkëpunimit, e nga kjo mund të përfitojë Kosova, pasi që Kosova ka pengesa me disa vende rajonale për eksport, në veçanti me Serbinë. Besoj që Kosova do të përfitojë nga këto, do të përfitojë qytetari i Kosovës, prodhuesi, duke ofruar mundësi për rritjen e prodhimit dhe eksportit”, thekson Shahini.
Vendet e rajonit, sipas Shahinit, kanë përfituar nga këta nisma rajonale, të cilat janë bërë deri më tani. Bashkëpunimet rajonale, shton ai, kanë rritur performancën e disa shteteve, por jo të Kosovës.
Shahini konsideron se Kosovës, shumë herë i është mohuar e drejta për të qenë pjesë e këtyre bashkëpunimeve rajonale, gjë që, siç thotë ai, ka bërë që Kosova të mbetet edhe një nga vendet më të varfra në rajon.
Përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë vazhdimisht kanë theksuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zhvillojnë projekte të përbashkëta të standardeve evropiane, qofshin ato rrugore, hekurudhore dhe doganore, për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.