Një luftë fjalësh është përshkallëzuar ndërmjet kundërshtarëve të hidhur rajonalë, Iranit dhe Arabisë Saudite, përpara pelegrinazhit të haxhit këtë vit, nga i cili iranianët janë përjashtuar për herë të parë brenda dekadash.
Është kjo shenja e fundit e rritjes së tensioneve ndërmjet Riadit dhe Teheranit, që historikisht kanë bërë garë për të udhëhequr degët rivale të Islamit dhe së fundit janë në dy anët kundërshtare të konfliktit të përgjakshëm në Siri, Jemen e Irak. Gjithashtu kanë bërë luftë verbale pas ekzekutimit të një sheiku Shiit në muajin janar dhe pas sulmit të një turme mbi Ambasadën Saudite në Teheran, si kundërpërgjigje.
Por, tensionet ndërmjet Sunitëve shumicë në Arabinë Saudite dhe Iran, që ka popullatën më të madhe të myslimanëve Shiitë në botë, shumë shpesh rriten gjatë periudhës së haxhit, që zhvillohet në vendet e shenjta të Islamit, në Mekë dhe Medinë në Mbretërinë Saudite.
Teherani dhe Riadi janë përplasur fuqishëm rreth organizimit të ngjarjes më të madhe në kalendarin Islamik që kur afro 2,400 pelegrinë vdiqën gjatë një rrëmuje vitin e kaluar, në mesin e të cilëve edhe 400 iranianë.
Të dyja palët dështuan që të pajtohen rreth sigurisë dhe çështjeve logjistike, me gjasë duke shkaktuar përjashtimin e Iranit nga pelegrinazhi i 10 shtatorit, për herë të parë në afro tri dekada kur iranianët qenë ndaluar nga qasja në vendet e shenjta Islamike në Arabinë Saudite
Shkëmbimet e ashpra të pazakonta
Në një mesazh të publikuar më 5 shtator, lideri Suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, akuzoi autoritetet saudite për “vrasjen” e disa pelegrinëve që vdiqën në rrëmujën e vitit të kaluar në haxh.
“Hezitimi dhe dështimi për të shpëtuar gjysmë të vdekurit dhe të lënduarit…është gjithashtu evidente dhe e padiskutueshme. Ata i vranë”, shkroi Khamenei në faqen e tij.
Khmanei e përshkroi familjen mbretërore saudite si “Satanë të vegjël dhe të dobët që dridhen nga frika e rrezikimit të interesave të Satanait të Madh”, duke iu referuar SHBA-së.
Autoriteti më i lartë fetar i Arabisë Saudite, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetës saudite Makkah, tha se nuk çuditej me komentet e Khamenit.
“Duhet ta kuptojmë se ata nuk janë myslimanë”, Myftiu i Madh Abdulaziz al-Sheikh u citua të ketë thënë nga gazeta arabe. “Ata janë fëmijë të magi (magjistarëve) dhe armiqësia e tyre ndaj myslimanëve është e vjetër”.
Magi ose magus, i referohet përcjellësve të Zoroastrianizmit, një religjion monoteist që ishte i përhapur në Iran, Afganistan dhe në Azinë Qendrore përpara ngritjes së Islamit në shekullin VII. Ndonjëherë është përdorur nga arabët për të fyer iranianët.
Kjo ka provokuar përgjigje të ashpër në Twitter të ministrit të jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif, i njohur për diplomacinë e qetë të tij.
“Natyrisht; nuk ka ngjashmëri ndërmjet Islamit të Iranianëve e shumicës së myslimanëve dhe ekstremizmit fanatik që klerikët më të lartë Wahhabi dhe mjeshtrit e terrorit saudit e predikojnë”, shkruan Zarif.
Arabia Saudite është kritikuar për dështimin e saj në arrestimin e klerikëve brenda Mbretërisë që përhapin Wahhabizmin radikal dhe Teherani në të kaluarën ka akuzuar Riadin për mbështetjen e grupit ekstremist si Shteti Islamik.
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha më 7 shtator se vendet islamike duhet të marrin masa “ndëshkimi” ndaj Arabisë Saudite. Ai shtoi se “vendet rajonale dhe bota Islamike duhet të ndërmarrin masa të bashkërenduara për të dënuar qeverinë e Arabisë Saudite me qëllim që të kryhet një haxh real”.
Tensionet janë përshkallëzuar ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit në muajt e fundit – veçanërisht në muajin janar, kur protestuesit iranianë hynë në ambasadën Saudite dhe i vunë zjarrin, pasi autoritetet Saudite ekzekutuan një klerik të njohur Shiit, Nimr al-Nimr.
Historia e dhunës
Historia e mosdurimit ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit në shumë raste ka nisur me mosmarrëveshjet rreth haxhit, për të çuar drejt gjakderdhjes.
Në pelegrinazhin e vitit 1987, dhuna ndërmjet pelegrinëve Shiit të Iranit dhe forcave Saudite të sigurisë çoi drejt vdekjes të më shumë se 400 njerëzve, përfshirë edhe 275 iranianë.
Në fillim të viteve 1980, pelegrinët iranianë mbajtën demonstrate vjetore kundër Izraelit dhe SHBA-së në haxh. Në vitin 1987, policia saudite dhe garda kombëtare rrethuan një pjesë të rrugës së planifikuar të demonstratave, që çoi drejt konfrontimit. Kjo u shndërrua në përplasje të dhunshme, që u përcoll me rrëmujë vdekjeprurëse, ku vdiqën qindra dhe u plagosën mijëra të tjerë.
Pas incidentit, iranianët e zemëruar sulmuan Ambasadën Saudite në Teheran ndërkohë që Lideri Suprem Iranian, Ayatollah Ruhollah Khomeini, iu bëri thirrje qytetarëve sauditë të rrëzojnë familjen mbretërore saudite si hakmarrje për vdekjen e pelegrinëve. Zyrtarët iranianë bojkotuan haxhin për tri vitet e ardhshme. Arabia Saudite, ndërkohë, i përshkallëzoi marrëdhëniet e saj me Iranin dhe zvogëloi numrin e pelegrinëve iranianë që u lejuan të marrin pjesë në haxh nga 150 mijë, sa ishin para incidentit, në 45 mijë.
Ngjarjet më 1989 i rrënuan edhe më shumë marrëdhëniet, kur Arabia Saudite akuzoi Iranin për lidhjen me dy incidentet me bomba gjatë haxhit, me akuzat se po hakmerrej ndaj Sauditëve për ndalesat ndaj pelegrinëve iranianë. Dy bombat vranë një pelegrin dhe plagosën 16 të tjerë. Autoritetet saudite në fund vranë 16 Shiitë nga Kuvajti për bombat, pasi fillimisht akuzuan terroristët iranianë.
Në fillim të viteve 1990, marrëdhëniet diplomatike rinisën dhe një marrëveshje u arrit për të lejuar pelegrinët iranianë që të marrin pjesë në haxh. Demonstratat që atëherë janë lejuar nga autoritetet saudite vetëm në një hapësirë të posaçme në Mekë, me shumë pak incidente të njoftuara që atëherë.
Haxhi, një obligim fetar për myslimanët dhe një nga pelegrinazhet më të mëdha në botë, zakonisht mbledhë më shumë se 1.5 milion myslimanë nga e gjithë bota
Pelegrinët mblidhen në Mekë dhe kryejnë një varg të ritualeve përgjatë disa ditëve.
Ritualet përfundojnë pas tre ditë të ceremonive në gjithë botën, duke shënuar fillimin e Bajramit. (REL)