Burgjet, terren i ri për përhapjen e radikalizmit fetar

Ilustrim

Përhapja e ideve ekstremiste dhe radikale në burgje nga personat që vuajnë dënimin për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin dhe radikalizmin fetar, nuk është fakt i ri nëpër vende të ndryshme të botës dhe rreziku nga ky fenomen ekziston edhe në Kosovë, thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohësit e rrethanave të sigurisë në vend.

Sipas tyre, Kosova aktualisht është duke punuar në drejtim të gjetjes së mënyrës për t’iu qasur këtij problemi.

Zëvendësministri i Drejtësisë i Qeverisë së Kosovës, Lirak Çelaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se në institucionet korrektuese në Kosovë, ekzistojnë mekanizmat për trajtimin e personave që vuajnë dënimin në këto institucione. Por, siç thotë ai, çështja e parandalimit të parandalimit të përhapjes së ideve ekstreme dhe radikale fetare, është specifike dhe kërkon qasje të re.

“Nuk është se ka ndodhur diçka për tu shqetësuar brenda burgjeve. Por, kjo është më shumë një temë, e cila është ngritur edhe në nivel global dhe jo vetëm në Kosovë, që ka të bëj me trajtimin, reintegrimin dhe deradikalizimin e personave të tillë".

"Natyrisht që burgu është një prej pikave ku ata mund ta keqpërdorin për qëllime të tyre, por është edhe një prej pikave ku ata mund t’iu jepet rasti që të reintegrohen dhe të rehabilitohen, do të thotë, të deradikalizohen nga ideologjitë e ndryshme ekstreme”.

Ditë më parë, çështjen e rrezikut të mundshëm nga fenomeni i përhapjes së ideve radikale dhe ekstreme nëpër burgje në Kosovë, e ka përmendur ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Skënder Hyseni.

“Unë qëllimisht e kam theksuar zëshëm këto ditë edhe pse ka pasur përpjekje, aty - këtu, që të mbahet si temë tabu se ‘jo nuk ndodhë’. Por, ndodhë. Nuk mund të jetë dukuri vetëm në Kosovë nesër, por ne duhet të jemi të përgatitur që ta parandalojmë, ta presim në rrënjë çdo tendencë të radikalizmit në burgje”.

Në anën tjetër, Skënder Perteshi, analist i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se për parandalimin e përhapjes së ideve ekstremiste dhe radikale nevojiten programe të posaçme.

“Duhet të themelohen ose krijohen programe të posaçme, programe shumë të kujdesshme dhe gjithëpërfshirëse, që si qëllim kryesor e kanë parandalimin e përhapjes së ideve ose ideologjive ekstremiste tek të burgosurit tjerë, që nuk janë pjesë e radikalizmit".

"Po ashtu, pjesë e këtyre programeve duhet të jenë edhe personat që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja në Siri dhe Irak dhe që ende janë të radikalizuar. Këta, së pari duhet t’i shkëpusim nga dhuna e pastaj të fillohet edhe deradikalizimi i tyre, nëse është i mundur”.

Por, në ç’masë është rreziku nga mundësia e përhapjes së radikalizmit dhe ekstremizmit fetar nëpër burgjet në Kosovë?

Zëvendësministri Çelaj, thotë se institucionet e Kosovës i janë qasur drejt këtij rreziku.

“Ne jemi të vetëdijshëm për rrezikun e mundshëm dhe në bashkëpunim edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kemi filluar disa hapa konkret në këtë drejtim, si dhe po veprojmë në bashkëpunim me ta për ta parandaluar një gjë të tillë”.

Por, analisti Perteshi thekson se rreziku nga përhapja e ideve që për bazë kanë përdorimin e dhunës në emër të fesë ose ideologjive tjera, është i mundshëm dhe lehtësisht mund të ndodhë në të gjitha burgjet, përfshirë edhe ato në Kosovë.

“Vetë ideja për tu krijuar shteti islam, ka lindur pikërisht në burgje dhe vet liderët kryesor që e kanë përhapur të ashtuquajturin ‘Shteti Islamik’, shumica e tyre kanë qenë të burgosur në burgjet amerikane, si dhe ka ndodhur në burgjet e Egjiptit, të Irakut, të Afganistanit dhe në plot vende".

"Po mendoj që mundësia është shumë e lehtë për tu përhapur këto ide, për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike, shpirtërore personale që e kanë ish të burgosurit ose personat që janë në burgje, që akuzohen për vepra të rënda penale. Sidomos, personat që u është shqiptuar dënimi për shumë vjet qëndrimi në burg. Po ashtu edhe ne nuk jemi përjashtim. Mundet shumë lehtë të ndodhë dhe nëse nuk merren masat edhe mund të ndodhë”, tha Perteshi.

Sido që të jetë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë theksuar se Kosova tashmë i është qasur parandalimit të përhapjes së ideve radikale dhe të ekstremizmit fetar në burgje dhe sipas tyre, tashmë institucionet janë duke vepruar në këtë drejtim.

Madje, sipas tyre, Kosova është një pioniere në këtë fushë që mund të jetë shembull edhe për vendet tjera që ballafaqohen me fenomenin e njëjtë. (REL)