Përplasjet, sjelljet joparimore, si dhe retorika arrogante e përfaqësuesve të partive politike dhe zyrtarëve institucional, të cilat janë prezente tash e dy vjet në skenën politike në Kosovë, nuk kanë të bëjnë me kulturën politike, por janë pasqyrim i modelit më të keq që mund t’i ofrohet të rinjve dhe shoqërisë në përgjithësi, vlerësojnë disa të rinj në Prishtinë.
Në rubrikën e përjavshme për të rinj, VOX, të Radios Evropa e Lirë, ata thonë se situata e krijuar në skenën politike në vend, i demotivon të rinjtë, i hedh në harresë problemet reale, si dhe krijon ndasi në vet shoqërinë.
Your browser doesn’t support HTML5
Rilind Gashi, student i arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, shpreh mendimin se askush nga të rinjtë nuk dëshiron t’i shoh pamjet gjatë përplasjeve verbale dhe fizike, të nxitura nga vet politikanët.
“Kjo ndikon negativisht te unë dhe besoj te çdo i ri këtu, sepse askush nuk dëshiron t’i shoh ato pamje në Kuvend. Përplasjet politike, unë më shumë i shoh ‘për karrige’ , si personale dhe më pak i shoh se bëhen për marrëveshjet. Ato janë më shumë për pozita, për ndikimin e tyre. Kanë ndodhur shumë gjëra. Ja edhe kjo puna e përgjimeve, që po vazhdojnë. Besimi i qytetarëve po venitet ndaj politikës. Situata është e rëndë për secilin”.
Ngjashëm shpreh mendimin dhe një i ri tjetër, Fidan Aliu nga Prishtina.
“Këto nuk reflektojnë mirë, por s’kemi çka të bëjmë. Ka gjuhë të ashpër dhe kjo nuk është mirë. Nuk ka nevojë për këtë gjuhë. Qëllimet, nuk i di. Mbase politike dhe për pushtet. Nuk janë shembull i mirë, hiq”.
Qëndresa Kabashi, studente e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, thotë se rrethanat aktuale, që sipas saj janë aspak të lakmueshme për vendin, i kanë sjellë të dyja palët, pushteti dhe opozita.
“Pushteti dhe opozita kanë sjellë rrethana pakënaqësie, si për ne të rinjtë, ashtu edhe për moshat tjera. Thjeshtë, kjo po na e cenon, sepse po harrohen ato që po ndodhin brenda fakulteteve tona, ku nuk është një gjendje e lakmueshme për studentë. Përderisa po i përcjellim këto rrethana, këto që po ndodhin, normalisht që bëhet edh debat në mes shoqërisë, studentëve. Po krijohet ndarja. Por, fundja, ajo që e kemi të përbashkët është se ne, në përgjithësi, po harrohemi”.
Albina Bicaj, studente në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, thotë se mënyra se si sillen politikanët muajt e fundit, krijon dyshimin se ata nuk e përfaqësojnë popullin.
“Përderisa po i shohim këto veprimet e fundit të politikanëve tonë, politikanët nuk janë shumë me popullin. Nuk na e mundësojnë ta shprehim mendimin tonë. Mendimi ynë është që jemi kundër Demarkacionit. Unë jam për protesta, por jo për dhunë".
"Jam kundër dhunës, por ata po e shohin interesin e tyre dhe jo edhe interesin tonë. Ne vazhdimisht flasim, debatojmë me shoqërinë, japim mendimet tona, në vend se të vendosim për të ardhmen tonë. Ne nuk jemi shumë të sigurt për të ardhmen tonë”.
Eron Morina, student në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se është i revoltuar me sjelljet e politikaneve dhe përplasjet e tyre.
“Mendoj se te e gjithë rinia është duke ndikuar njëjtë dhe shumë për të keq, sepse po e shohim se po përdorin mënyra të ndryshme, vetëm që ata t’i arrijnë synimet e tyre. Ana nuk e shohin të drejtën e personave tjerë, por përpiqen që me qejf ose pa qejf tonin, t’i arrijnë caqet e tyre. ne, të rinjtë, me një fjalë, nuk jemi të kënaqur fare".
"Sipas mendimit tim, e kanë keq të gjithë, sepse po shihet edhe nga thirrjet e përgjuara. Këtu asnjë nuk ngeli i mirë, të gjithë njëjtë janë. Kjo ka ndikuar shumë, sepse tash unë kam mendimin që studiove ose jo, prapë është e njëjta gjë. Dikush nuk ka para të studioj e mësoj, ndërkaq fëmijëte politikanëve, ndodhë që vetëm në dorë mbajnë orë të 50 mijë ose 100 mijë eurove”.
Jeton Uka, një i ri nga Prishtina, por që jeton në Zvicër, thotë se kur viziton vendlindjen, sheh se të rinjtë nuk meritojnë t’i kenë politikanët aktual pjesë të skenës politike.
“Këta janë duke ia dhënë një pasqyrë të keqe ose një shembull të keq rinisë. Mua më shumë më dhimbsen të rinjtë, sepse nuk kanë te kush të marrin shembull, se sa këta vet (politikanët). Sigurisht që fjala ‘i keq’, nuk besoj që mjafton".
"Mendoj se është më keq se keq. Unë e shoh që ata (politikanët e pushtetit dhe opozitës) janë përshtatur. Mendoj që nuk kanë shumë dallim ndërmjet tyre, janë të njëjtë. Mendoj që kjo nuk është kulturë dhe kur themi s nuk është kulturë, atëherë nuk është as politike e as njerëzore. Nuk është asgjë”. (REL)