Një liqen që ndanë malin përgjysmë dhe livadhe që janë shfrytëzuar nga banorë të fshatrave përreth për kullota të bagëtive, kanë bërë bashkë Kosovën dhe Malin e Zi, me shekuj.
Këtu kufiri nuk ka pasur asnjëherë kuptim.
Një vijë e hollë mund t’i ketë ndarë dy vendet, që dikur kanë qenë pjesë e një bashkësie të përbashkët të popujve, por banorët shqiptarë, që jetojnë në këtë pjesë malore të Kosovës thonë se gjithnjë e kanë shfrytëzuar si pjesën e tyre.
"75 vjet i kam, prej 6-7 vjet kam ruajtur bagëtinë këtu. Prej atëherë e ditën e sotme e di mexhën andej. Kurrë mexhë nuk ka pas dhe askush nuk ka matë as kurr nuk kemi parë”.
Ramiz Dreshajn një fshatar i brezit kufitar e përcakton qartë vijën ndarëse me Malin e Zi, bazuar në historinë e të parëve të tij.
Vijën e re ndarëse, të përkufizuar me Marrëveshjen për Demarkacion ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, Dreshaj e konsideron të papranueshme, sepse thotë se ajo lë jashtë pjesën e tokave të familjes dhe të banorëve të fshatit.
"Ja ku është mexha - këtu shkon lartë e ndan liqenin për mes dhe nuk na ka mbetur tokë as për kullosjen e dhenve. Nëse përfundon kështu është katastrofa e Zotit. Po ju tregoj është katastrofë njerëzit do ta bëjnë një përzierje të madhe, por ndoshta i kanë mendët, dinë ma mirë se unë e nuk e ratifikojnë [marrëveshjen]. Le të vinë në të tjera mënyra, le të shikojnë le të pyesin ka njerëz të vjetër, të shkojnë në fshatra dhe jo nga tavolina me vizore të bëjnë vija kufitare, kjo është shumë rrezik", tha Dreshaj për Radion Evropa e Lirë, që vizitoi brezin kufitar me Malin e Zi.
Afro një vit është mbushur që kur marrëveshja e nënshkruar me Malin e Zi për kufirin, është kundërshtuar me forcë nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës por edhe jashtë tij.
Opozita ka përdorur gazin lotsjellës për të penguar votimin e ratifikimit të marrëveshjes, që sipas saj lë jashtë territorit të vendit afro 8000 hektarë tokë.
Në rrugë protestuesit për javë të tëra janë përplasur me policinë e Kosovës që ka reaguar me forcë për të parandaluar eskalimin e dhunës.
Por, Qeveria ka thënë se Kosova nuk humb asnjë pjesë të territorit të saj dhe ka mbrojtur me përkushtim idenë se Demarkacioni është kryer në mënyrë profesionale.
Por, banorët e brezit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi thonë se me marrëveshjen për kufirin Kosova humb pjesë të territorit të saj.
Zeqir Halili, tetëdhjetepesë vjeçar i cili jeton në afërsi të kufirit me Malin e Zi, thotë se marrëveshja është e gabueshme dhe si e tillë nuk do të pranohet pasi, sipas tij "është në dëm të Kosovës"
“Malit të Zi nuk i duhet toka e huaj , ka tokë boll. Mali e Zi e ka pjesën e vet para Çakorrit, ne e kemi ktej Çakorrit. I gjithë populli ka porosi që me këto gjera të mos luhet se aty mund të bëhet katastrofë e nuk kanë nevojë me na nxjerr punë, mund të bëhet edhe një punë e keqe. Lufta e madhe ka përfunduar, mos të nxjerr luftë të vogël qeveria se nuk kanë nevojë", tha Halili për Radion Evropa e Lirë.
Halili thotë se posedojnë dokumentet që tregojnë se toka që pretendohet t'i kaloj shteti të Malit të Zi është e shtetit të Kosovës.
"Ne i kemi dokumentet nga Cakorri i këndej është i Kosovës. Mali i Zi nuk ka dokumentet veç deri ne Cakorr. (Od Cakorra do Kotorra, od Kotorra do mora)", thotë Zeqir Halili.
Tensionet në Kosovë u mendua se u kaluan me një tryezë të organizuar nga Kuvendi i Kosovës në fillim të gushtit, me pjesëmarrjen e deputetëve dhe ekspertëve të fushës. Por, rezultati mbeti po i njejtë: opozita kundërshtoi ndërkohë që qeveria mbrojti vendimin e saj për Demarkacionin.
Marrëveshja e debatueshme për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, është paralajmëruar të votohet në Kuvendin e Kosovës më 1 shtator, pavarësisht qëndrimeve të opozitës por edhe banorëve të brezit kufitar.
Vendimi i Kuvendit të Kosovës do të mund të hap rrugën për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit, një kusht ky i vënë nga Komisioni Evropian.
Por, opozita ka paralajmëruar protesta dhe përshkallëzim të situatës nëse Kuvendi do të votojë për ratifikim që sipas banorëve të brezit kufitar lë jashtë përvec mijëra hektare toke edhe një liqe.
"Të parët tanë, gjyshi baballarët tanë na ka treguar kur kemi dal për pushime këtu se kjo është pjesë e jona. Këtu janë bërë pushime këtu janë relaksuar. Ne kurrsesi ne nuk pajtohemi me vijën kufitare qe është vendosur tani", thotë Qëndresë Dreshaj për Radion Evropa e Lirë.