Një grua afgane është dorëzuar në polici me pretendimin se bashkëshorti i saj, një prej komandantëve lokal të grupit militant, Shteti Islamik, i ka bërë presion asaj që të kryejë sulm vetëvrasës, njoftojnë zyrtarët.
Gruaja në fjalë, emri i të cilës nuk është bërë i ditur, është dorëzuar më 16 gusht në krahinën veriore të Jowzjanit, që gjendet përgjatë kufirit me Turkmenistanin.
Rasti shpërfaqë kërcënimin e vazhdueshëm prej militantëve në Afganistan, ku luftëtarët e IS-it janë duke rritur praninë gjatë dy viteve të fundit, derisa shtyhen me talibanët për të nxitur përpjekjet kundër perëndimit dhe kundër qeverisë në Kabul.
Përkrahësit e IS-it i kanë marrë përsipër disa prej sulmeve vdekjeprurëse kundër civilëve dhe forcave afgane.
Gruaja që është paraqitur në polici mbetët në paraburgim, ndërsa detajet e rastit i janë dhënë shërbimit afgan të Radios Evropa e Lirë nga autoritetet shtetërore.
Ata thonë se bashkëshorti i saj, Qari Zia, është një nga ish komandantët e talibanëve nga krahina Jowzjanit, i cili ka kaluar në grupin Shteti Islamik, ndërsa tani është i vendosur në Nangarhar, zonën që kontrollohet nga ekstremistët në Afganistanin lindor.
“Qari Zia...e ka nxitur bashkëshorten e tij që të kryej sulm vetëvrasës”, thotë komandanti i policisë së krahinës së Jowzjanit, Rahmatullah Turkistani, dhe shton: “Ai dëshironte që bashkëshortja e tij të vinte në Nangarhar që të trajnohet për t’u përgatitur për sulm vetëvrasës”.
Turkistani ka thënë se gruaja ka udhëtuar drejt Nangarharit, ku është dorëzuar te forcat e sigurisë në kryeqytetin e krahinës së Jowzjanit, Sheberghan. Ajo po mbahet në një strehimore të qytetit, derisa policia heton pretendimet e saj.
Komandanti i policisë ka thënë se Zia e ka telefonuar rregullisht bashkëshorten e tij që të shkojë në kryeqytetin e Nangarharit, Xhalalabad, ku autoritetet besojnë se ai është duke u fshehur.
“Ajo ka thënë se bashkëshorti i saj i ka bërë presion, por ajo nuk dëshiron të bëhet sulmuese vetëvrasëse, ndërkaq ka dashur të dorëzohet te qeveria”, ka thënë Najida Quraishi, udhëheqëse e departamentit krahinor për çështje gjinore në Jowzjan.
Quraishi ka shtuar se gruaja në fjalë është 32 vjeçare, e martuar për Zian, me të cilin ka tre fëmijë, periudhë gjatë së cilës ai rregullisht i ka bërë presion të bëhet sulmuese vetëvrasëse.
Kërcënimi nga Shteti Islamik
Ky rast po ndodhë një javë pasi policia e ka paraburgosur Mawlawi Baz Mohammad, guvernatorin në hije të Jowzjanit, gjatë një operacioni të sigurisë në qarkun e Qush Tepas. Zyrtarët thonë se në kuadër të militantëve janë përfshirë edhe pjesëtarët e Lëvizjes Islamike të Uzbekistanit (IMU), që afganët e quajnë Jundullah.
Militantët e Shtetit Islamik kryesisht janë të vendosur në zona të territorit në Nangarhar, Kunar dhe krahinën Zabul, përgjatë kufirit malor të Afganistanit me Pakistanin. Ata raportohet se kanë krijuar edhe kampe trajnimi e rekrutimi në këtë rajon.
Grupi e ka marrë përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës me bombë gjatë muajit të kaluar, që u bë ndaj demonstratës së minoritetit shiit Hazara në Kabul, duke vrarë më shumë se 70 njerëz. Sulmi konsiderohet si një prej më vdekjeprurësve në kryeqytetin afgan prej okupimit të udhëhequr nga amerikanët për të hequr talibanët dhe Al Kaidën nga pushteti në vitin 2001.
Në muajin korrik, forcat afgane e kanë nisur një ofensivë kundër luftëtarëve të IS-it në zonën lindore të vendit, të përkrahur nga forcat dhe sulmet ajrore të amerikanëve.
Javën e kaluar, Pentagoni e ka konfirmuar se lideri i Shtetit Islamik në Afganistan dhe Pakistan, Hafiz Saeed, është vrarë disa javë më parë, gjatë sulmeve me aeroplan amerikan pa ekuipazh, në krahinën e Nangarharit.
Megjithatë, analistët thonë se kërcënimi nga Shteti Islamik në Afganistan nuk është as afër të marrë fund. Zyrtarët e ushtrisë amerikane thonë se në rajonin lindor janë ende 1,500 deri në 3,000 militantë që kanë lidhje me Shtetin Islamik. Shumica e tyre janë ish luftëtarë afganë dhe pakistanezë të talibanëve . Shtetet e Bashkuara javën e kaluar kanë thënë se rreth 300 luftëtarë të IS-it janë vrarë në muajin korrik. (REL)