Mbërrin në 22 numri i viktimave nga vërshimet në Maqedoni

Ka mbërritur në 22 numri i viktimave nga vërshimet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në Maqedoni, pasi që të hënën, në lagjen “Çento”, është gjetur trupi i një djaloshit 12 vjeçar, i cili kishte humbur jetën nga përmbytjet.

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë ka bërë të ditur se ai ka qenë duke lëvizur me traktor bashkë me gjyshin e tij nëpër Qarkoren e Shkupit ku ka humbur gjurmët.

“Njësitet e specializuara po vazhdojnë kërkimet edhe për një foshnje, vajzë 16 muajshe, e cila dje është lajmëruar si ka humbur, pasi i ka ikur nga duart babait të saj përderisa ka qenë duke udhëtuar në qarkoren e Shkupit”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e dikasterit të policisë, Liza Bendeska. Ajo ka konfirmuar se deri më tani nuk janë lajmëruar të zhdukur të tjerë.

Your browser doesn’t support HTML5

Flasin familjarët e viktimave në Shkup

Ndërkohë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, kanë njoftuar se ekipe të specializuara ndodhen në teren dhe me pompa punohet në tërheqjen e ujit në shtëpitë e përmbytura.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shaban Saliu ka thënë për mediat se vërshimet janë pasojë e motit të keq me shi të rrëmbyeshëm gjatë të shtunës në mbrëmje dhe në këtë rast, siç ka theksuar ai, në asnjë mënyrë nuk kemi të bëjmë me faktorin njeri.

“Nuk ka mekanizëm mbrojtës ku kemi të bëjmë me të reshura të rrëmbyeshme shiu, siç ishte rasti të shtunën në mbrëmje. Me përgjegjësi e them se një kataklizëm e tillë që ndodh nuk kishte se si të parandalohet”, ka theksuar Shaban Saliu.

Por, me këtë qëndrim nuk pajtohen banorët e viseve të vërshuara. Ata thonë se edhe më parë ka pasur shira të rrëmbyeshëm, por pas prerjes së drunjve në Malësinë e Shkupit, rreth të cilit mal ndodhen fshatrat Hasanbeg, Stajkoc, Haraqinë, rrjedha e ujërave ka qenë gjithnjë e më fuqishme. Këtë rrjedhë, sipas tyre, s’ka mund ta përballoj kanali i hapur në këto vise i cili ka mbetur pa pastruar më shumë se një dekadë.

“Në këtë rajon duke filluar nga Haraçina deri këtu në Hasanbeg, për dhjetë vjet nuk janë pastruar aspak kanalet, përderisa numri i shtëpive është shumëfishuar për disa herë. Është një kanal i madh aty dhe ne tërë kohen kemi problem e të”, ka thënë Skender Jahija, një banor i asaj ane, shtëpia e të cilit është e vërshuar tërësisht.

“Unë e kuptoj se shiu ishte i rrëmbyeshëm , por nëse kanali do të pastrohej siç pastrohej më parë besoj nuk do të kishte problem. Në momentin që u mbush kanali me ujë si pasojë e bllokimit nga mbeturinat, atëherë ai shpërtheu duke vërshuar lagje të tëra”, ka thënë tutje për Radion Evropa e Lirë, Skender Jahija.

Rritja e pasojave nga vërshimet, nuk e përjashton as fajin e faktorit njeri, thitë arkitektja e planifikimit hapsinorë, Danica Pavllovska. Ajo thotë se autoritetet shtetërore kanë neglizhuar ndërtimet pa plan urbanistik dhe njëherësh është neglizhuar dhe pastrimi i kanaleve në viset rurale të rrethinës së Shkupit dhe jo vetëm.

Arkitektja Pavllovska vlerëson po ashtu se sistemi i infrastrukturës në Shkup nuk është adekuat, konform ndërtimeve dhe veçanërisht në rrethinën e qytetit.

“Infrastruktura e ujërave atmosferike duhet të dizajnohet dhe mirëmbahet në atë mënyrë që të mund të tërheq ujërat nga të reshurat e rrëmbyeshëm dhe kjo paraqet një shkencë në vete të cilës kohën e fundit shumë pak i kushtohet kujdes nga ana e organeve komunale të cilat janë përgjegjëse për planifikimin hapësinor dhe dhënien e lejeve për ndërtim po gjithsesi edhe mirëmbajtjen e infrastrukturës”, thekson Danica Pavllovska.

Viset e vërshuara për të tretën ditë me radhë mbeten pa ujë të pijshëm dhe të shkyçur nga rrjeti elektrik. (REL)