Partitë s'respektojnë obligimet, vazhdojnë me partizimin e gjyqësorit

Zyra e Prokurorit Publik në Shkup

Emërimet e fundit në Këshillin e Prokurorëve Publik të Maqedonisë kanë nxitur reagime të ndryshme në opinion, me akuza drejtuar partive qeverisëse për vazhdimin e partizimit të pushtetit gjyqësor.

Në fakt, në Kuvendin e Maqedonisë kanë dhënë betimin solemn pesë anëtarë të rinj të Këshillit të Prokurorëve, një organ shumë i rëndësishëm, meqë nëpërmjet tij zgjidhen dhe kontrollohet puna e Prokurorëve në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë. Këta anëtarë, por edhe të tjerë, të zgjedhur më parë, sipas përvojës së paraqitur në biografitë e tyre, më tepër janë eksponuar politikisht sesa në profesionin e tyre. Madje, një prej tyre paraqitet edhe si donator partie në zgjedhjet e fundit parlamentare, si dhe si një nga paguesit më të rregullt të anëtarësisë partiake.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se kjo është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin për zgjedhjet e anëtarëve në sistemin e drejtësisë.

“Kushtetuta për zgjedhjen e anëtarëve në organet e drejtësisë thekson se ata duhet të jenë juristë të dalluar, të jenë të dalluar nga juristët e tjerë në aspekt të përgatitjes profesionale juridike të tij. Por, fatkeqësisht, nëse i analizojmë një nga një, të gjithë këta persona që ushtrojnë funksionin apo që emërohen në baza partiake, shumë pak apo as edhe një prej tyre nuk i plotëson kushtet që kërkon ligj”, thotë Osman Kadriu, profesor i së Drejtës kushtetuese në Universitetin Fon të Shkupit.

Ekspertët thonë se kjo që po ndodhë në Maqedoni është e papranueshme, pasi nuk do t'i kontribuojë kthimit të besimit të humbur të qytetarëve në sistemin gjyqësor.

Jovan Johanidis, ekspert juridik dhe avokat në disa nga proceset e njohura gjyqësore, thotë se emërimet partiake në poste të larta të gjyqësorit janë dëshmi se ky pushtet, sipas tij, nuk është i gatshëm të heq dorë nga ndikimi mbi drejtësinë.

“Sistemi ynë i drejtësisë është i partizuar dhe kjo është gjëja më e keqe që mund t'i ndodhë një vendi. Ne nuk guxojmë të lejojmë këtë që po ndodhë, pasi është e papranueshme që në organet e drejtësisë të vendosen njerëz që meritat e vetme i kanë për shërbimet që i kanë bërë partisë."

"Këshilli i Prokurorëve është organ shumë i rëndësishëm, pasi cakton dhe kontrollon punën e prokurorëve, qoftë në Prokuroritë Themelore, atë të Apelit dhe instancat tjera të larta të pushtetit gjyqësor. Nëse Këshilli udhëhiqet nga njerëz të dëshmuar partiakisht, atëherë çfarë kontrolli mund të presin prej tyre në organet tjera të gjyqësorit”, thotë Johanidis.

Nga ana tjetër, profesori Osman Kadriu dyshon se emërimet e tilla mund të kenë prapavijë për vazhdimin e bllokimit të punës së Prokurorisë Speciale, në hetimin aferave që dolën nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve.

“Kjo do të ketë pasoja në zbardhjen e të gjitha rasteve dhe veprave penalo-juridike që kanë dalë nga afera e përgjimeve. Të gjitha procedurat që ka nisur Prokuroria Speciale që para një viti, për asnjë prej tyre ende nuk asnjë proces gjyqësor. Asnjë rast nuk e ka marrë formën e lëndës penale që të gjykohet në gjyqësorin e Maqedonisë”, thotë Kadriu.

Nga ana tjetër, partitë kanë arsyetuar veprimet e tyre. Madje, nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë mbrojtur zgjedhjen e një anëtari që ishte paraqitur edhe si donator i fushatës së tyre. Nga kjo parti thonë se çdokush ka të drejtë të ketë bindje partiake, apo të dhurojë mjete për subjekte të caktuara politike.

Politizimi i gjyqësorit është kritikuar në të gjitha raportet ndërkombëtare. Pikërisht për shkak të politizimit dhe humbjes së besimit në sistemin aktual gjyqësor është formuar Prokurori Speciale, e cila heton përfshirjen e zyrtarëve në vepra të rënda penale. (REL)