Ndërlidhjet

Votë me konsensus për Reformën në Drejtësi


Ilustrim
Ilustrim

Zëri i Amerikës

Parlamenti shqiptar miratoi mbrëmë pas mesnate me një konsensus të plotë të të gjithë deputetëve Reformën në Drejtësi pas një procesi të gjatë e veçanërisht cfilitës në orët e fundit.

Edhe gjatë ditës së djeshme, pasi 24 orë më parë ishte rënë dakort për ndryshimet kushtetuese, u deshën mbi 7 orë bisedime me ndërhyrjen e ambasadorit amerikan Donald Lu dhe ambasadores së Delegacionit të Bashkimit Europian për të kapërcyer dhe pengesën e dalë në momentet e fundit, kur opozita këmbënguli për formulën e emërimeve nga ana e parlamentit të disa prej anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në fjalën e tij kryetari i Komisinit të Posaçëm të Reformës Fatmir Xhafaj në fjalën e tij theksoi se “sot, qytetarët, miqtë dhe skeptikët e reformës, gjejnë të kurorëzuar hapin e parë të rëndësishëm për të shëruar sistemin nga klientelizmi, mungesa e aksesit dhe e ndershmërisë, pandëshkueshmëria dhe korrupsioni, korporatizmi dhe mungesa e llogaridhënies. Reforma nuk do të jetë ndërrim persoash por krijim mekanizmash që ai të jetë efikas e profesional”, nënvizoi zoti Xhafaj, i cili për gjatë afër 20 muajsh drejtoi dhe koordinoi të gjithë procesin.

Përfaqësuesi i opozitës në Komision Oerd Bylykbashi, ndërsa vlerësoi Reformën si një një mundësi për të sjellë një drejtësi të barabartë për të gjithë, nuk i shmangu kritikat ndaj shumicës.

“Për fat të keq, të gjithë shqiptarët e kanë parë se si themeli i këtij procesi vazhdimisht ka qenë në konflikt dhe kjo ka qenë një zgjedhje e drejtpërdrejtë e kësaj shumice. Reforma u pa si një mjet për të goditur kundërshtarin. Nuk mundet që kushtetuta të jetë e themeluar mbi konfliktet dhe mungesën e konsensusit”, theksoi ai.

Por edhe kryeministri Rama nga ana e tij, duke e përcaktuar miratimin e Reformës si nisjen e një revolucioni në sistemin e Drejtësisë, shigjetoi hapur opozitën e cila sipas tij u përpoq ta pengojë procesin.

“I siguroj të gjithë shqiptarët se gjykatësit e prokurorët e korruptuar do t’i fshijë nga sistemi i drejtësisë fshesa e hekurt e Vetting-ut ku trupat e zbatimit të reformës do të paraseleksiohen dhe do të mbështeten nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Në një luftë të egër, me killerat parelinj të drejtësisë së korruptuar shqiptare dhe me politikën e mbrapshtë e cila nuk do të heqë dorë asnjë ditë apo natë, në përpjekjen e marrë për ta ndalur historinë e re që sapo ka filluar”.

“Figurat tragjikomike të një politike të trembur, hileqare dhe delirante e cila në kilometrin e fundit të votimit të reformës, humbi çdo sens të realitetit dhe na bëri të gjithëve gazin e botës, është shprehja më kuptimplotë e vlerës së kësaj reforme historike”.

Pasi seanca e parlamentit u mbyll, kryetari i opozitës Lulzim Basha, i cili e ndoqi në një nga llozhat e sallës foli për “një betejë që nuk duhej të luftohej mes dy palëve. Nga kjo sallë duhet të kish dalë më shumë se një vit më parë.

Por kjo u imponua, sepse u konceptua si një betejë politike, nga ata që nuk e deshën opozitën në këtë proces, e që bënë gjithçka për damkosjen e opozitës.

Opozita – shtoi ai - luajti një rol qëndror për abortimin e përpjekjes së rrezikshme të shumicës për kapjen e sistemit”.

Miratimi nga ana e parlamentit u përshëndet mënjeherë nga ndërkombëtarët. Ambasadori amerikan Lu, i cili ishte gjithashtu në sallë me homologen e tij të BE-së Vlahutin, përmes një deklarate theksoi se “miratimi i Reformës në Drejtësi, mbi të gjitha, është një fitore për popullin shqiptar. Përkushtimi juaj e ka bërë Shqipërinë një vend më të drejtë dhe më demokratik”.

“Përgëzoj parlamentin për gjetjen e konsensusit nën trysni jashtëzakonisht të madhe. Shtetet e Bashkuara janë krenare që kanë mbështetur hartimin dhe negocimin e kësaj pakete reforme të fortë dhe presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë jetëgjatë, i cili tani është shumë më i fortë”.

Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, së bashku me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme Federica Mogherini dhe Komisionerin për Zgjerimin Johannes Hahn duke nënvizuar se “ndryshimet kushtetuese përbëjnë dispozitat për një reformë të thellë dhe tërësore në gjyqësor” përgëzuan “popullin shqiptar, udhëheqësit e tyre dhe të gjitha forcat politike të cilat treguan pjekuri dhe përgjegjësi në marrjen e këtij vendimi historik.

“Ky hap i paprecendent adreson një kërkesë të vjetër nga shumica dërrmuese e qytetarëve për një drejtësi të përgjegjshme, të pavarur dhe transparente. Ai përbën gjithashtu një kontribut për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të gjitha këto janë përparësi kyçe për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE”, thekson deklarata ku vihet në dukje se “tani është e rëndësishme që zbatimi i reformës të nisë menjëherë, me qëllimin që popullit shqiptar t’i shërbejë një sistem drejtësie që bazohet fort në standardet evropiane”.

Prania e OSBE-së në Shqipëri ndërsa mirëpret vendimin e parlamentit e cilëson atë si “një arritje të rëndësishme, që i hap rrugë zbatimit të reformës së njëmendtë në drejtësi. Ndryshimet e miratuara sot tani duhet të pasohen nga ligje dhe akte nënligjore, procedura dhe politika, për të tërë sistemin gjyqësor”.

“Reforma do të jetë e vërtetë vetëm kur të ndihet nga qytetarët shqiptarë, në jetën e tyre të përditshme, anembanë vendit”.

Edhe OSBE vë theksin në rëndësinë e mënyrës se si kjo reformë do të vihet në jetë.

“Mënyra se si do të zbatohet paketa e reformës është thelbësore për qëndrueshmërinë dhe suksesin e procesit të reformës. Qëndrueshmëria dhe suksesi, gjithashtu, varen nga ndryshimi i sjelljes: nga vendosja e një kulture përgjegjshmërie dhe llogaridhënieje, lufta kundër pandëshkueshmërisë dhe konsolidimi i respektimit të shtetit të së drejtës, në të gjitha shtresat e shoqërisë”, përfundon deklarata.

Ky tekst fillimisht u publikua nw faqen e VOA.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG