Kuvendi shtron Demarkacionin për debat në një tryezë të rrumbullakët

Kuvendi i Kosovës do të debatojë çështjen e shumëpërfolur të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, por fillimisht jo në një seancë të rregullt plenare, por në një tryezë të rrumbullakët.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës dhe shefat e grupeve parlamentare janë pajtuar që debati profesional për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të zhvillohet në formën e një tryeze, më 3 gusht në sallën alternative.

Në këtë tryezë, pritet që të ballafaqohen mendimet e ekspertëve në njërën, përfshi edhe ata të shoqërisë civile, kundruall raportit të Komisionit shtetëror që qoi deri te Marrëveshja e arritur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, por e cila po kundërshtohet jo vetëm nga opozita, por edhe një numër i deputetëve nga partitë në pushtet.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, tha se debati për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është i vonuar, ndonëse ka pranuar se është më mirë që ky debat të bëhet para se të merret ndonjë vendim.

"E mira është se do të bisedohet lirshëm aty do të shprehen opinionet mendimet. Besoj se vet përkrahja e Kryesisë se Kuvendit për nënshkrimet e deputeteve [24 ] tregon se jemi duke bërë diçka në interesin e qytetareve. Kjo është shumë e rëndësishme në ketë proces", tha Veseli.

Kryekuvendari Veseli u shfaq optimist se pas këtij debati gjerat ndoshta mund të qartësohen rreth Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

"E rëndësishme është që në ketë proces të rritet konfidenca dhe për tu ditur të gjitha ato gjera që janë tek shënimi i kufirit që komisioni shtetëror e ka bërë. Po ashtu të dihen edhe qëndrimet e profesionisteve dhe t'i hapim rrugë një procesi i cili është deri të vendime marrja", tha Vesli.

Nga ana tjetër, anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje Aida Dërguti, tha se debati që do të mbahet më 3 gusht, do të ndihmojë në formësimin e qëndrimit të deputetëve ngase shumica e deputetëve nuk janë deklaruar nëse janë për apo kundër marrëveshjes aktuale.

Dërguti tha se debati profesional-shkencor do të jetë mes komisionit shtetëror për Demarkacion dhe grupit të njohësve profesionist për diskutim dhe ballafaqim faktesh për çështjen e Demarkacionit Kosovë-Mali i Zi.

“Të shohim ballafaqimin nga se ky ballafaqim i qëndrimeve të ndryshme apo të kundërta do të ndikojë në formësimin e vendimit të deputetëve të cilët deri me tani shumica e deputeteve të pozitës nuk janë deklaruar nëse janë për ose kundër Demarkacionit".

"Unë besoj se marrëveshja për Demarkacionin tashmë është e pavlefshme është e vdekur dhe ky debat mbase do të ndihmonte ne formësimin e opinionit te deputetët e shumicës parlamentare ", tha Dërguti.

Debati për Demarkacionin do të mbahet në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës është pajtuar që të shtyjë tutje procedimin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, përderisa të mos sqarohen të gjitha dilemat e ngritura.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka mbështetur shtyrjen për pak kohë të procedimit në Kuvend për ratifikim të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, përderisa të hapet edhe një debat publik me ekspertët.

Megjithatë, Mustafa sërish ka shprehur bindjen e tij se me marrëveshjen aktuale për Demarkacion, Kosova nuk ka humbur territor, siç pretendon opozita apo edhe disa deputetë të partive në pushtet.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike, kanë paralajmëruar takime intensive ndërmjet forcave politike në vend, që do të çonte drejt krijimit të një konsensusi kombëtar për zgjidhjen e përbashkët të çështjes së hapur të përkufizimit të kufirit me Malin e Zi, që ka shkaktuar përplasje të forta në skenën politike në vend.

Por, partneri tjetër në koalicion Lidhja Demokratike thotë se debati duhet të zhvillohet brenda institucioneve të vendit, posaçërisht në Kuvendin e Kosovës.

Hapja e debatit ndërmjet forcave politike në vend, u përmend vetëm pas kërkesave të diplomatëve ndërkombëtarë, në veçanti në prag dhe pas vizitës në Prishtinë të ndihmës sekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland.