Status quo e “Parkut të paqes”

Barrikada e emëruar "Parku i paqes" në Mitrovicë

Ende nuk ka asnjë shenjë konkrete se kanë nisur ose kur do të nisin punimet për riparimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, lum i cili ndan jugun dhe veriun e qytetit të Mitrovicës, si dhe për heqjen e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” mbi këtë urë, ndonëse një gjë e tillë ishte paraparë të përfundojë në muajin qershor.Të paktën, ky afat ka qëndruar në marrëveshjen e Brukselit, të arritur në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në gushtin e vitit të kaluar.

Kryetarët e të dy komunave të Mitrovicës, Agim Bahtiri i komunës jugore dhe Goran Rakiq i komunës veriore, vlerësojnë se çështja e riparimit të urës kryesore mbi Ibër dhe ajo e heqjes së barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” mbetet ‘status quo’, ndërkaq vazhdojnë të kenë mendime krejtësisht të ndryshme lidhur me zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Kryetari i komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se do të bëjë gjithçka që është e mundur që çështja e zhbllokimit të urës mbi Ibër të bëhet, siç thotë ai, sipas marrëveshjes së Brukselit.

“Ne nuk do ta lejojmë status quo-n. Ne do të bëjmë presion që këto marrëveshje të zbatohen në praktikë. Unë po bëj gjithçka që është e mundur që këto, njëherë e përgjithmonë, të përfundojnë me vepër dhe mendoj se ajo që kemi hedhur në letër të realizohet me vepër.”

“Mendoj që shumë shpejt, Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë diçka. E kam ndërmend që t’i drejtohem (Samuel) Zhbogarit (përfaqësues special i Bashkimit Evropian në Kosovë) me një shkresë, këtë javë, që të na japë sqarime se pse nuk kanë nisur punët sipas marrëveshjes që është bërë”, thotë Bahtiri.

Në anën tjetër, Goran Rakiq, kryetar i komunës së Mitrovicës së veriut, thotë se zgjidhja mund të gjendet në tavolinën e bisedimeve.

“Edhe më tej ekziston një status quo. Zgjidhjen mund ta gjejmë shumë shpejt, në atë mënyrë që të ulemi në tavolinë dhe ta gjejmë një zgjidhje kompromisi. Zgjidhjet e imponuara nuk do të japin dhe nuk mund të japin asnjë rezultat për asnjërën palë. Duhet të ulemi në tavolinë së bashku, përfaqësuesit e Mitrovicës së jugut dhe të veriut, me praninë e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, dhe ta gjejmë një zgjidhje kompromisi, që do të jetë në interesin e të dy bashkësive, serbe dhe shqiptare”, thotë Rakiq.

Ndryshe, zbatimi i marrëveshjes për zhbllokimin e urës kryesore mbi Ibër tash e sa muaj ka mbetur peng i mosmarrëveshjeve për përcaktimin e kufijve administrativë ndërmjet komunës veriore dhe asaj jugore të Mitrovicës.

“Mollë sherri”, në tërë këtë problem, është fshati Suhodoll, të cilin komuna veriore pretendonte ta ketë nën zonën e saj administrative, ndërkohë që sipas Bahtirit, ajo është pjesë e komunës jugore, gjë që sipas tij, e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, si zgjidhje kompromisi, komuna e veriut ka kërkuar bashkë-administrim të këtij fshati, gjë që komuna jugore ka refuzuar. Bahtiri konsideron se për këtë çështje nuk mund të bisedohet.

“Nuk ka probleme tjera. Është vetëm ajo çështje. Por, ajo çështje është e mbyllur. Tash po presim nga Bashkimi Evropian që të bëjë presion mbi Beogradin që kjo çështje teknike të përfundohet, sepse operatori është zgjedhur. Leja i është dhënë nga pjesa e jugut. Po e presim lejen edhe nga pjesa e veriut dhe të fillohet puna në mënyrë normale, të qetë dhe pa pretendime”, shpjegon Bahtiri.

Por, Rakiq, thotë se punimet mbi urën mbi Ibër nuk do të nisin pa një marrëveshje kompromisi për kufirin administrativ ndërmjet dy komunave, për të cilën nevojitet nënshkrimi i një memorandumi.

“Me vet faktin se një kryetar i komunës thotë se kjo është e njëanshme dhe që këtë nënshkrim të memorandumit e përcjellë plani i Ahtisaarit ose presioni nga autoritetet qendrore në Prishtinë, kjo nënkupton që ata nuk janë të gatshëm që të gjejmë zgjidhje kompromisi. Kjo nuk mund të japë as rezultate. Unë po propozoj që të ulemi në tavolinë dhe më mirë të bisedojmë 100 apo 1 mijë ditë se sa të kemi probleme në terren”, tha Rakiq.

Sido që të jetë, të dy kryetarët thonë se ka sinjale se zgjidhja e kësaj çështjeje mund të jetë afër, duke pretenduar secili në mbështetjen e Bashkimit Evropian për pikëpamjet e tyre.

Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, javë më parë, kanë theksuar se përparimi i revitalizimit të urës varet nga pjesëmarrja konstruktive dhe vullneti i mirë i të gjitha palëve. Sipas tyre, Bashkimi Evropian, përmes rolit të moderatorit, po punon me të gjitha palët me qëllim që të zbatohen marrëveshjet dhe që do të çonte në zgjidhje të qëndrueshme, si dhe që do t’i njoftojë qytetarët e Mitrovicës me kohë lidhur me ndryshimet dhe zhvillimin e situatës. (REL)