Adoleshenti kosovar: Si u rekrutova nga IS-i për të luftuar në Siri?

Ilustrim

Ademi, 19 vjeç, deri para dy vjetësh, nuk ishte larguar asnjëherë nga Kosova. Në vitin 2014, ai kishte arritur në zonën e rrezikshme të kufirit Turqi-Siri, një nga pikat kryesore hyrëse për luftëtarët e grupit militant Shteti Islamik (IS).

Ai është marrë nga rekrutuesit e Shtetit Islamik në një fshat turk, ku priste të kontrabandohej në një zonë lufte. Pas trajnimit dyjavor në qytetin Raka të Sirisë - kryeqyteti de facto i territoreve të Sirisë dhe Irakut që Shteti Islamik i quan “kalifat”- Ademi ka qenë i gatshëm për t’u transferuar në njësi luftarake.

Disa orë përpara se rekrutuesit ta dërgonin përtej kufirit, ai, megjithatë, ka hequr dorë dhe është kthyer në shtëpi.

“E kam kuptuar se ajo që po ndodh në Siri nuk ka të bëjë asgjë me Islamin”, thotë Ademi, i cili i ka kërkuar Radios Evropa e Lirë të mos e përdorë emrin e vërtetë të tij, nga frika e arrestimit. Ai duket si çdo adoleshent tjetër, i veshur me xhinse dhe me një qafore argjendi që varet mbi bluzën e tij.

Qeveria e Kosovës llogarit se mbi 300 kosovarë kanë udhëtuar në Lindjen e Mesme për të bërë xhihad ose luftë të shenjtë islamike. Kjo e bën Kosovën, me më pak se dy milionë banorë, kontribuesen më të madhe në Evropë me luftëtarë për Shtetin Islamik.

Kaçaniku, në veçanti, ka fituar reputacionin e kryeqytetit xhihadist të Ballkanit. Në tre vjetët e fundit, së paku 24 qytetarë të Kaçanikut kanë ikur për të luftuar me grupet ekstremiste, si Shteti Islamik ose Al Kaida, në Siri dhe Irak.

Radikalizimi i Ademit ka nisur kur ai ka marrë një ftesë në Facebook për të ndjekur një predikim të organizuar nga një imam në një qytet pranë. Ai thotë se ka qenë “kurreshtar” për Islamin. Për pesë muaj me radhë, ka marrë pjesë në predikime dhe mësime për Kuranin, në një xhami të improvizuar.

Predikimet janë organizuar nga Rinia Islame, një organizatë bamirëse islamike, që vepron në Kaçanik. Ajo është një prej dhjetëra organizatave të fshehta të financuara nga Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit Persik, të cilat promovojnë një version ekstrem të Islamit. Grupet akuzohen për shpëlarjen e trurit të të rinjve dhe rekrutimin e tyre jashtë vendit, për qëllime ekstremiste.

Ademi thotë se predikimet që i ka ndjekur, kanë qenë “shumë të rrepta dhe të ashpra”. “Na kanë thënë të mos i shtrëngojmë duart me gra dhe të mos shkojmë në kafene ose bare”, tregon ai.

Në Kaçanik ka gjithnjë e më shumë shenja të fundamentalizmit islamik. Atje, nuk është më e pazakontë të shihen gra me vello islamike ose burra me mjekra dhe pantallona të shkurtra, edhe pse të gjitha këto nuk kanë traditë në vend.

“Familja ime nuk e praktikon shumë fenë. Vetëm gjyshi im dhe unë”, thotë Ademi, i cili jeton me prindërit dhe dy motrat e tij në një apartament të ngushtë në Kaçanik.

Ai thotë se familja e tij e ka kuptuar se ai po radikalizohet. “Më kanë thënë se nëse dua të praktikoj fenë, mund ta bëj, mund të falem, por jo të bëhem radikal”, rrëfen Ademi.

Predikimet që ka ndjekur ai janë bërë nga Zeqirja Qazimi, një imam famëkeq, i cili, më 20 maj, është burgosur për 10 vjet. Ai dhe gjashtë bashkëpunëtorë të tij janë dënuar pasi kanë luftuar për militantët e Shtetit Islamik në Siri nga viti 2012 deri më 2014 dhe kanë bërë përpjekje të mbledhin rekrutë për grupin ekstremist.

“Imami Zeqirja Qazimi ka ardhur nga Gjilani. Ai na tregonte për xhihadin”, thotë Ademi.

Qazimi ka postuar po ashtu një video në YouTube, në të cilën thotë se “gjaku i të pafeve është pija më e mirë”. Mediat lokale kanë raportuar se Qazimi është përgjegjës për rekrutimin e 11 luftëtarëve kosovarë në Shtetin Islamik. Është thënë se tre prej tyre janë vrarë në Siri.

Organizatat bamirëse të Lindjes së Mesme kanë depërtuar komunitetet e varfra dhe rurale si Kaçaniku, të cilat janë neglizhuar nga qeveria dhe kanë rreth 40 përqind të popullsisë pa punë.

Organizatat bamirëse islamike shpesh drejtojnë shkolla, konvikte dhe programe të mirëqenies. Por, ato ndjekin edhe një agjendë ekstreme, e cila duket se ka fituar terren në Kaçanik.

Ademi beson se organizatat e financuara nga Arabia Saudite kanë në shënjestër familjet e varfra dhe shpesh nënat e vetme. Ai thotë se organizatat e tilla, në këmbim të ndjekjes së predikimeve, u ofrojnë studentëve strehim, para dhe rroba.

“Ka pasur shumë njerëz që kanë ndjekur predikimet”, thotë Ademi, i cili ka nisur t’i ndjekë ato menjëherë pasi ka përfunduar shkollën e mesme. “Ka pasur njerëz në gjendje të rëndë ekonomike”, shtoni ai.

“Këto organizata nuk kanë qenë të regjistruara. Ato kanë punuar me individë të caktuar radikalë dhe kanë abuzuar me faktorin ekonomik. Ekonomia është faktori kryesor që disa njerëz u janë bashkuar (v.j. grupeve terroriste)”, thotë kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi.

Banorët lokalë thonë se edhe afërisa me Maqedoninë është një arsye përse Kaçaniku është bërë vatër e tillë e radikalizmit.

Në fund të vitit 2014, zyrtarët kosovarë kanë mbyllur 14 organizata bamirëse nën dyshimet se kanë pasur lidhje me grupet ekstremiste islamike. Sipas ligjit të ri, Kosova mund të dënojë qytetarët e saj deri në 15 vjet burgim, nëse ata marrin pjesë në luftëra të huaja.

Autoritetet thonë se rreth 50 xhihadistë kosovarë janë vrarë në luftimet në Siri dhe Irak dhe rreth 120 janë kthyer në Kosovë. Mbi 100 njerëz në Kosovë janë arrestuar ose janë nën hetime për rekrutim ose luftë jashtë vendit, në emër të Shtetit Islamik.

Ilazi këmbëngul se veprimet e qeverisë kanë arritur ta zhdukin në masë të madhe problemin e radikalizmit në Kaçanik. Por, ai e pranon se disa ekstremistë janë duke punuar fshehurazi dhe vazhdojnë të operojnë nëpër "shtëpi private".

Banorët lokalë flasin për shtëpiza druri, ku ekstremistët mbajnë takime dhe predikime.

Florim Neziraj është udhëheqës i degës lokale të Bashkësisë Islame në Kosovë, organizata e vetme e ligjshme islamike në vend. Neziraj ka udhëhequr përpjekjet për të parandaluar të rinjtë nga bashkimi me grupet radikale islamike.

“Ata që shkojnë në Siri janë shpesh shumë të rinj. Ata vijnë prej familjeve më të mira në Kaçanik. Nuk mund të thoni asgjë keq kundër tyre. Nuk kemi parë shenja të radikalizmit. Ata kanë qenë të manipuluar dhe kanë rënë viktimë e individëve të caktuar”, thotë Neziraj.

Sipas tij, një pjesë të fajit e bart edhe qeveria, e cila, siç thotë ai, e “ka neglizhuar problemin e radikalizmit”. “Radikalët janë lejuar të veprojnë të lirë për kohë të gjatë”, thotë Neziraj.

Kosova, tradicionalisht, ka qenë shtet laik me popullsi myslimane liberale, me bare në të njëjtat rrugë ku ndodhen edhe xhamitë. Por, zërat radikalë kanë marrë hov pas përfundimit të luftës më 1999.

Neziraj thotë se shumë organizata bamirëse kanë ardhur nën maskën e “organizatave humanitare”, duke ndërtuar shpesh shkolla dhe spitale. Por, sipas Nezirajt, ato shpesh kanë qenë të prira për të “indoktrinuar të rinjtë”.

Ai ka frikë se mund të jetë shumë vonë trajtimi i përhapjes së radikalizmit.

Një produkt i radikalizmit në Kaçanik është Lavdrim Muhaxheri, 25 vjeç, i cili lufton në krahë të Shtetit Islamik në Siri. Ai është përshkruar si një nga udhëheqësit e lartë të Shtetit Islamik.

Vitin e kaluar, Muhaxheri ka tronditur Kosovën kur ka postuar fotografi të vetes së tij në Facebook, duke i prerë kokën një të burgosuri në Siri.

Ademi heziton të flasë për ish-banorin famëkeq të Kaçanikut, por pranon se e ka parë Muhaxherin duke vizituar xhamitë lokale dhe thotë se ai është dukur “normal”.

Ademi tani punon si kamarier në një kafene. “Bëj jetë normale përsëri, por unë jam në mesin e njerëzve me fat. Jo secili që merr rrugën e gabuar, mund ta gjejë të duhurën përsëri”, thotë Ademi.

Përgatiti: Valona Tela