Bisedime intensive për heqjen e barrikadës në Urën e Ibrit

Mitrovicë, tetor 2015

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, paralajmëroi mundësinë e “arritjes së marrëveshjes, gjatë ditës, për largimin e Parkut të Paqes”.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i tha të enjten Radios Evropa e Lirë se bisedimet për largimin e të ashtuquajturit Park i Paqes në urën qendrore në Mitrovicë, po zhvillohen me përfaqësues të Bashkimit Evropian. Ai tha se vendimi për Parkun e Paqes mund të merret gjatë ditës së sotme, por nuk ofroi më shumë hollësi.

"Jemi duke biseduar për ketë çështje. Këtu janë përfaqësues të Këshillit të Evropës dhe nuk dua të flas me shumë. Sot pritet të merret vendimi. Jemi duke biseduar nga mëngjesi dhe kemi biseduar edhe dje. Jemi kah përfundimi dhe po punojmë fuqishëm", tha Bahtiri për REL.

Bisedimet mes palëve për heqjen e barrikadës në urën e Mitrovicës, me ndërmjetësimin e BE-së kanë hyrë në një fazë të rëndësishme, në përfundim të afatit të përcaktuar me marrëveshjen e Brukselit. Të dyja palët kanë akuzuar njëra – tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve duke theksuar se kjo po e pengon procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Barrikada në urën mbi Ibër në Mitrovicë u vendos vite më parë, ndërkohë që qytetarë serbë të veriut të Kosovës në vitin 2014 e shndërruan urën në, siç e cilësuan, Parkun e Paqes duke e mbyllur plotësisht për qarkullim të automjeteve. (REL)