Qeveria insiston për regjistrimin e popullsisë në veri

Ilustrim

Qeveria e Kosovës është e gatshme që të ulet për të biseduar me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe drejtuesit e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, për të arritur një pajtim lidhur me nisjen e procesit të regjistrimit të popullsisë në këto katër komuna.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, i cili ka theksuar se procesi i regjistrimit të popullsisë në komunat veriore duhet të nisë së shpejti, por pa precizuar ndonjë afat të caktuar kohor.

“Shumë shpejt. Pra, ne e kemi tash lajmin që ka një lloj hezitimi për pjesëmarrje. Është diçka që mendoj se do të tejkalohet, duke pasur parasysh që ne si qeveri do të bisedojmë me të gjithë faktorët relevantë që t’ua shpjegojmë se kjo është në të mirën e tyre. ”

“Fundja, kjo është dhe do të bëhet me përkrahjen konkrete të Bashkimit Evropian dhe asgjë të keqe nuk ka në këtë drejtim, përkundrazi, të gjitha dobitë do të jenë në të mirë të komunitetit serbë, në normalizimin e mëtutjeshëm të raporteve në Kosovë, por edhe atyre ndër-fqinjësore”, ka thënë Abdullahu.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës duhet t’i ketë të dhënat e sakta lidhur me numrin e popullatës nëpër komunat veriore, në mënyrë që shpërndarja e të mirave buxhetore dhe të mirave të tjera të shpërndahet në përputhshmëri të drejtë me numrin e tyre.

Ndryshe, në mënyrë që procesi i regjistrimit të jetë i mundur, nevojitet revidimi i Ligjit për regjistrimin e popullsisë, në të cilin do të duhej të parashihet formimi i një Komisioni të veçantë, i cili do t’i koordinonte aktivitetet në komunat e veriut. Nevojën për miratimin e një ligji të tillë, përveç institucioneve të Kosovës, e ka theksuar edhe Komisioni Evropian.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Listës Serbe vlerësojnë se pas shqyrtimit të ligjit me kryetarët e komunave në veri, si dhe me përfaqësuesit e serbëve në nivelin lokal dhe qendror, nuk janë krijuar kushtet për zbatimin e një procesi të regjistrimit të popullsisë.

Slavko Simiq, kryetar i Listës Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë që rekomandimet ndërkombëtare e vënë në pah që regjistrimi i popullsisë mund të bëhet vetëm në kushte kur mjedisi ka siguri dhe stabilitet politik. Sipas tij, në rastin në veri, këto mungojnë.

“Mendoj që të gjithë ne, me forca të bashkuara, të investojmë shumë mund që të përmbushen standardet ndërkombëtare, në mënyrë që të mbahet regjistrimi në komunat, në të cilat ky regjistrim nuk është mbajtur në vitin 2011. Duhet të krijojmë një klimë reale politike dhe të sigurisë që serbët të dalin në mënyrë masive në regjistrim. Në këto kushte, jam i sigurt që qytetarët nuk do të dilnin në numër të madh dhe do ta kishim një pasqyrë joreale dhe një vlerësim joreal. Do ta kishim një regjistrim jo të besueshëm“, tha Simiq.

Ai ka shtruar se është absurde që deputetët e Listës Serbe të votojnë për projektligjin dhe më pas kryetarët e komunave në veri të mos mund ta zbatojnë atë.

Ndërkaq, Adrijana Hoxhiq, shefe e administratës komunale në Mitrovicë të veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë konsideron që regjistrimi i popullsisë në veri duhet të jetë një nga temat e dialogut në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka shprehur mendimin se regjistrimi i popullsisë duhet të bëhet për faktin se edhe buxhetet komunale përcaktohen në bazë të numrit të qytetarëve në komunat e përkatëse.

“Nuk është mirë që të bëhet regjistrimi në qoftë se ai proces nuk është i pranueshëm për të gjithë, e posaçërisht për ato komuna në të cilat duhet të ndodhë ai regjistrim. Pavarësisht asaj se si do të votohet në Kuvendin e Kosovës, është mjaft e rëndësishme që për këtë proces ta kemi një marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës“, ka theksuar Hoxhiq.

Por, Abdullahu thekson se refuzimi eventual i përfaqësuesve të komunitetit serb do të jetë krejtësisht i papranueshëm dhe për të përjashtuar një bllokim të procesit duhet të gjendet zgjidhja me përfaqësuesit serb.

“Konsideroj që forma më e mirë për të dalë nga kjo situatë, nga kjo lloj përpjekje për një bllokim të kësaj natyre, është që të ulemi dhe të bisedojmë. Për më shumë, kjo fiton argument, kur i shtohet se edhe nga Komisioni Evropian kemi premtime konkrete se Komisioni do ta përkrahë këtë proces të regjistrimit të komunitetit serb me mjete materiale, që ai të mos na kushtojë edhe neve më shumë. Prandaj, benefitet do të jenë edhe në këtë sferë”, ka thënë Abdullahu.

Abdullahu ka shtuar se për realizimin e procesit të regjistrimit duhet të gjenden edhe modalitetet përkatëse dhe funksionale, si dhe të bëhen ndryshimet në ligjin për regjistrim.

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë është mbajtur në vitin 2011, por ai proces ishte bojkotuar nga komunat në veri të Kosovës, për faktin se atë proces e kishin organizuar institucionet e Kosovës. (REL)