Përderisa Qeveria e Kosovës është duke u përgatitur të procedojë në Kuvend për ratifikim marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, partitë politike opozitare, thonë se do të angazhohen që kjo marrëveshje, siç qëndron aktualisht, të mos kalojë.
Sipas tyre, për të zgjidhur ketë çështje duhet të formohet një komision i ri qeveritar me pjesëmarrje të ekspertëve vendor dhe përfaqësues të partive politike opozitare.
Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë vendim që të rikthehet në Kuvend duke potencuar se një nga angazhimet kryesore do ta ketë edhe angazhimin kundër ratifikimit të marrëveshjes aktuale për demarkacionin, që po paralajmërohet nga qeveria.
Ndërkaq dy subjektet tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje, duke kontestuar legjitimitetin e institucioneve aktuale. Vetëm institucionet e reja që dalin nga zgjedhjet, sipas këtyre dy partive opozitare, më pas do të mund të rihapnin temën e Demarkacionit.
Frashër Krasniqi, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se fillimisht qeveria duhet të anulojë marrëveshjen e 26 gushtit, dhe të shpallë të pavlefshme marrëveshjen e cila Kosovës ia humbë mbi 8 mijë hektarë të territorit.
Krasniqi thekson se për të ndryshuar gjërat në këtë drejtim duhet të formohet një komision i ri.
"Ne kemi nevojë për një komision i cili i përfshinë ekspertët më të mirë vendorë, që kanë dhënë argumente tash e 8 muaj, si dhe opozitën. Nuk ka kuptim që nën udhëheqjen e njerëzve të njëjtë nga qeveria dhe Kuvendi, të presim rezultate të reja. Ata njerëz ishin të gatshëm t'ia falin Malit të Zi mbi 8000 hektarë. Pse nuk do të jenë të gatshëm ta bëjnë këtë sërish", tha Krasniqi.
Tutje, ai tha se Lëvizja Vetëvendosje do ta kundërshtojë pa kompromis këtë marrëveshje, brenda dhe jashtë Kuvendit.
"Në këtë kundërshtim do të jemi të hapur për bashkëpunim me këdo që ka vullnet t'i kundërshtojë sinqerisht këto marrëveshje të dëmshme për Republikën", ka deklaruar Krasniqi në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Banorët e brezit kufitar mes Kosovës dhe Malit të Zi, vazhdojnë t'u bëjnë thirrje autoriteteve të vendit që të gjejnë një zgjidhje tjetër veç asaj që është arritur për shënjimin e vijës kufitare me shtetin fqinj.
Ata thonë se marrëveshja e arritur vitin e kaluar në Vjenë, ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Malit të Zi, nuk është e pranueshme, pasi që siç deklarojnë banorët, një pjesë e madhe e tokave të Kosovës mbetet jashtë territorit të saj.
Edhe Ahmet Isufi, nënkryetar i partisë politike Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi duhet të ndryshoj.
"Për çështjen e Demarkacionit duhet të jetë një ekip profesional i cili ka edhe njohuri e edhe argumente të cilat do të mund vinin në shprehje. Meqenëse Mali i Zi, ka ofruar edhe rishqyrtimin e çështjes së demarkacionit, atëherë shteti i Kosovës në këtë rast do të duhej që të krijonte një komision të ri i cili do të mundësonte përkufizimin e drejt të vijës kufitare", tha Isufi.
Lidhur me këtë çështje, në Kuvend, por edhe jashtë tij, opozita për gjashtë - shtatë muaj kishte organizuar protesta, duke kërkuar anulimin e marrëveshjes.
Subjekti i tretë opozitar, Nisma për Kosovën thotë se qeveria duhet të formojë një komision të ri për demarkacionin me Malin e Zi.
Enver Hoti, deputet i partisë Nisma thotë se komisioni duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe se në të mund të marrin pjesë edhe ekspertë ndërkombëtare.
"Komisioni si i tillë duhet të shkarkohet apo suspendohet që Qeveria të formoj një komision tjetër, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësues të opozitës, ekspertë të tjerë shtesë, ku do të vinin te një gjendje reale faktike e cila do të ndihmonte në ruajtjen e sovranitetit, integritetit e territorit të vendit dhe pastaj edhe daljes nga kjo situatë ku është futur vendi", tha Hoti.
Pak ditë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha për Radion Evropa e Lirë, se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi duhet të zgjidhet sa më shpejt.
Zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, por edhe ata të Kuvendit, në vazhdimësi u kanë bërë thirrje partive politike opozitare që paraprakisht të ulen dhe të gjejnë një pajtim para se Kuvendi të procedojë ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.
Sidoqoftë, pas propozimit pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian, tani ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, mbetet kushti kryesor që Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian ta miratojnë fillimin e zbatimit të liberalizimit, e që pritet të ndodh brenda 90 ditësh.