Vazhdon dëbimi i uzurpatorëve nga pronat publike

Një nga aksionet e policisë në Prishtinë, 6 maj 2016

Pas publikimit të listës se pronave të uzurpuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në muajin shkurt të këtij viti, autoritet e rendit në Kosovë në disa raste kanë ndërmarr aksione për lirimin e këtyre pronave nga uzurpatorët.

Një aksion i tillë është ndërmarrë edhe të premten në orët e paraditës në Prishtinë, ku Policia e Kosovës ka bastisur dhe ka liruar një objekt hotelier që gjendet tek rrethi në kryeqytet, dhe i njëjti i është kthyer në pronësi të AKP-së.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani i ka thënë Radios Ecvropa e Lirë se aksionet do të vazhdojnë deri në lirimin e të gjitha pronave të uzurpuara.

“Policia e Kosovës ka qenë duke realizuar detyrat dhe autorizimet e saj në funksion të zbatimit të ligjit dhe në vazhdën e operacioneve lidhur me lirimin e pronave. Në këtë rast, në koordinim dhe me asistencë të autoriteteve kompetente të AKP-së, ka realizuar një operacion në lirimin e pronës në Hotel “Viktory”. Tani operacioni ka përfunduar dhe objekti është mbyllur sipas procedurave që AKP posedon”, ka thënë Kelani.

Në bazë të një raporti të Agjencisë Kosovare të Privatizimit thuhet se 233 është numri i aseteve të pa shituara e që shfrytëzohen aktualisht pa kontratë.

Nga to, 116 thuhet se janë të uzurpuara, 63 asetete i shfrytëzojnë institucionet shtetërore , 35 kanë shpreh interesim për qira, 7 prona shfrytëzohen nga familje më gjendje te rëndë sociale, 3 nga institucionet ndërkombëtare dhe 9 nga institucionet publike.

Që nga marrja e vendimit të AKP-se për lirimin e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore nga shfrytëzuesit joligjor, në bashkëpunim më Policinë e Kosovës kanë arritur të lirojnë 130 objekte të uzurpuara.

Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike, lirimin e aseteve të uzurpuara e konsiderojnë veprim të nevojshëm, por të vonuar.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se aksionet e autoriteteve kompetente në Kosovë për lirimin e pronave të uzurpuara, tregojnë për fillim të zbatimit të ligjit në këtë drejtim.

“Janë aktivitete të cilat kanë multi-dimension pozitiv dhe besoj se këto aktivitete të mos jenë vetëm spektakël. Por, nga ky spektakël të gjenerohen efektet e pritura pozitive. Ajo që është më interesante duhet vërtetë të ketë më tepër transparencë, dialog dhe të dihet fare mirë se çfarë po ndodh më pronat e liruara nga uzurpatorët e kaluar”, ka thënë Gërxhaliu.

Kurse, eksperti i ekonomisë, Milazim Abazi, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se autoritetet kompetente duhet që të lirojnë pronat e uzurpuara, pasi sipas tij, ka shumë qytetarët të cilët kanë privatizuar prona të ndërmarrjeve shoqërore, kurse nuk mund të shfrytëzojnë nga uzurpatorët.

“Unë njoh plotë afaristë kosovarë, qytetarët nga diaspora kanë privatizuar prona dhe nuk janë në gjendje të shfrytëzojnë pronat nga uzurpatorët. Nuk ka investime në pronat e uzurpuara nuk mund të vijë dikush të investoi në Kosovë dhe të sheh se një pronë po uzurpohet. Është e papranueshme uzurpimi i pronave të huaja”, ka thënë Abazi.

Ndryshe, në një raport të publikuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, thuhet se 368 është numri i shitjes se pronave më uzurpatorë në kohën e përfundimit e shitjes, më vlerë më mbi 105 milion euro.

Autoritete kompetente kanë njoftuar se edhe në të ardhmen do të ndërmerren veprime me mbështetjen e plotë të Policisë së Kosovës për lirimin e të gjitha pronave shoqërore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. (REL)