Ndërlidhjet

Jashari: Liruam 300 asete të uzurpuara


Avni Jashari
Avni Jashari

"Pa pjesën e Trepçës janë rreth 190 asete që janë të vendosura në territorin e ish-Jugosllavisë. AKP duhet të ketë bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme për trajtimin diplomatik të këtyre aseteve, pastaj me Ministrinë e Financave për çështje financiare dhe Ministrinë e Drejtësisë për çështje ligjore".

"Gjatë vitit 2016, objektivi kryesor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit do të jetë trajtimi i këtyre aseteve”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendësdrejtori menaxhues i AKP-së Avni Jashari.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Jashari, Agjencia Kosovare e Privatizimit, tani e sa ka kohë është pa bord. Në mungesë të këtij bordi, shumë çështje të cilat lidhen me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore nuk kanë arritur të procedohen. Sa ka dëmtuar gjithë kjo procesin e privatizimit në Kosovë?

Avni Jashari: Në periudhën prej muajit gusht 2014 deri më tani nuk e kemi bordin e drejtorëve, por nuk është vetëm kjo periudhë kur nuk ka pasur anëtarë të mjaftueshëm për të marrë vendime, edhe në periudhën prej muajit maj 2013 deri në gusht 2014, bordi ka funksionuar me numrin minimal të anëtarëve të bordit për të pasur kurum.

Do të thotë, edhe në periudhën paraprake ka pasur disa vonesa që janë shkaktuar nga aspekti i pagesave për kreditorë që është shumë e rëndësishëme për fondet që duhet t'i paguhen kreditorëve dhe që duhet të kthehen në ekonominë e Kosovës, mirëpo edhe pagesave për buxhetin e Kosovës përmes transferimit të fondeve tepricë të likuidimit.

Mungesa e bordit ka ndikuar në shitjen e aseteve për shkak se vetëm bordi mund të aprovojë shitjen e aseteve, ka ndikuar në vendosjen në likuidim të ndërmarrjeve shoqërore dhe në pagesat e kreditorëve, por në aspektet tjera agjencia ka funksionuar.

Gjatë kësaj periudhe kur nuk kemi pasur bord të drejtorëve, agjencia ka qenë shumë e fokusuar në administrimin e pronave shoqërore që kanë ndodhur në Kosovë, duke marrë veprime konkrete.

Radio Evropa e Lirë: Thuhet që një numër i madh i aseteve janë të uzurpuara nga persona fizikë dhe juridikë. Një numër i madh i blerësve të aseteve janë ankuar se pronat e tyre janë të uzurpuara, çfarë është bërë në lirimin e atyre pronave?

Avni Jashari: Në nëntor të vitit 2014 unë kam nxjerr një vendim më të cilin është përcaktuar që të gjitha pronat e uzurpuara të lirohen nga shfrytëzuesit e paligjshëm dhe pjesa e dytë e vendimit ka pasur të bëjë me faktin që asnjë pronë në të ardhmen mos të shitet nga agjencia pa u liruar nga uzurpatorët.

Ekziston një numër i konsiderueshëm i kontratave të cilat janë shitur me uzurpatorë, detaje të cilat do t'i jepen bordit të drejtorëve kur të emërohen besojmë së shpejti.

Brenda një periudhe njëvjeçare, janë liruar prej uzurpatorëve diku rreth 300 asete, një numër prej rreth 130 janë prona të cilat shfrytëzohen ose nga rastet sociale ose kanë konteste pronësore juridike nëpër gjykata.

Deri në fund të vitit kanë mbetur rreth 88 asete të cilat pritet të lirohen nga uzurpatorët. Po ashtu, gjatë periudhës njëvjeçare vlera e inkasimeve të qirasë pas veprimeve që i kemi ndërmarrë është për një vit 3.2 milionë euro, derisa në tërë periudhën 12 vjeçare inkasimi i qirasë ka qenë 4.4 milionë euro.

Radio Evropa e Lirë: Jeni duke pritur formimin e bordit të drejtorëve, që të filloni më pas procesin e riorganizimit të kompleksit metalurgjik “Trepça”, çfarë do të bëhet më këtë ndërmarrje, si do të riorganizohet?

Avni Jashari: Sa i përket Trepçës, gjatë kësaj kohë është rritur bashkëpunimi me institucionet qendrore, po ashtu është rritur bashkëpunimi ndërmjet menaxhmentit të Trepçës në jug dhe veri.

Për herë të parë ne kemi arritur që gjatë këtij viti, menaxhmenti i Trepçës në jug dhe veri të përgatisin tri dokumente thelbësore për funksionimin e Trepçës, siç është regjistri i aseteve të Trepçës, pasqyrat financiare të konsoliduara dhe raporti i vlerësimit të rezervave.

Sipas vendimit të dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, afati i fundit për dorëzimin e planit të organizimit të Trepçës është 1 nëntor viti 2016.

Posa të emërohet bordi i drejtorëve së bashku me menaxhmentin, Qeverinë dhe Kuvendin do të diskutojmë për çështjen e strategjisë së Trepçës se si do të zhvillohet Trepça në të ardhmen në aspektet afatmesme dhe afatgjate.

Radio Evropa e Lirë: Përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës kanë ngritur shqetësim se Kosova po i humb pronat e ndërmarrjeve që gjenden në territorin e ish-Jugosllavisë, ata thonë se disa nga pronat tashmë janë privatizuar, apo shfrytëzohen nga persona të shteteve tjera. Cila është e vërteta e këtyre pronave?

Avni Jashari: Pa pjesën e Trepçës janë rreth 190 asete që janë të vendosura në territorin e ish-Jugosllavisë, ligji jonë e përcakton në nivel strategjik se çfarë duhet të bëhet. AKP duhet të ketë bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme për trajtimin diplomatik të këtyre aseteve, pastaj me Ministrinë e Financave për çështje financiare dhe Ministrinë e Drejtësisë për çështje ligjore.

AKP së fundi ka arritur të mbrojë interesat e aseteve që janë jashtë Kosovës. Ka qenë rasti me Malin e Zi për një aset i cili është i “Bankos-it”, ku pas veprimeve ligjore që i ka ndërmarrë agjencia, vet Ministria e Financave në Malin e Zi e ka kthyer në rishqyrtim.

Pra, njëra nga objektivat që i kemi përgatitur për vitin e ardhshëm është trajtimi i aseteve jashtë Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Sa ndërmarrje janë privatizuar, sa kanë mbetur të privatizohen dhe kur pritet të mbyllet i gjithë procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore?

Avni Jashari: Prej kur ka filluar procesi i privatizimit në qershor të vitit 2002 deri në gusht të vitit 2014, kur është marrë vendimi i fundit të privatizimit janë nënshkruar rreth 1300 kontrata.

Ndërsa, vetëm brenda Kosovës janë edhe rreth 1500 asete të cilat nuk janë shitur ende dhe janë 190 asete të cilat janë jashtë Kosovës.

Në aspektin strategjik të punës së bashku me bordin e drejtorëve dhe palët tjera, duhet të vendosim se çfarë do të bëhet me këto asete në mënyrë që në një periudhë afatmesme së paku trevjeçare, të trajtohen të gjitha këto asete në procesin e shitjes.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG