Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë ende ndonjë hap përpara në drejtim të shndërrimit të Forcës së Sigurisë në Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.
Qeveria dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë deklaruar në vazhdimësi se FSK është e gatshme për marrjen e përgjegjësive të reja, të cilat mund të dalin nga ky transformim. Por, që të bëhet hapi tutje drejt këtij transformimi, do të nevojitet edhe një vendim politik.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Komisioni për Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë konsiderojnë se çështja e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovë në Forca të Armatosura ka mbetur peng i një konsensusi politik.
Deputeti, Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se arsyet pse kjo çështje nuk ka shkuar përpara qëndrojnë tek pasiviteti i institucioneve të Kosovës, të cilat, sipas tij, e kanë injoruar procesin.
"Institucionet e Kosovës nuk e kanë trajtuar seriozisht si temë. Ndërsa, duket se kohëve të fundit e kanë marrë ma seriozisht edhe për shkak të shumë rrethanave që po ndodhin në rajon edhe jashtë saj, pra shumë kërcënimeve, si nga ekstremizmi, apo edhe nga vet terrorizmi. Tash po duket që edhe faktorët miq, siç janë SHBA-të, e kanë një interesim shumë më të theksuar që transformimi i FSK-së të ndodh sa më shpejt", tha Haradinaj.
Zyrtarët nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përsëritur disa herë se FSK-ja tashmë ka realizuar gjithë programin e saj për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale sipas misionit që ka pasur dhe se, sipas tyre, ato kapacitete janë pranuar edhe nga NATO.
Anëtari tjetër i Komisionit për Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fadil Demaku, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha çështjet në lidhje me proceduarat ligjore kanë përfunduar. Por, sipas tij, ngecjet janë për çështje politike.
"Unë mendoj se duhet një angazhim edhe më i madh i institucioneve tona, një trysni shumë më e madhe edhe ndaj komunitetit serb, përfaqësuesve politik të tyre në Kosovë. Ata në fund të fundit janë deputetë me vota të Republikës së Kosovës. Këtu duhet të jetë trysnia shumë më e madhe e faktorit vendor dhe ndërkombëtar, i cili normalisht ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në të gjitha proceset", tha Demaku.
Për themelimin e FAK-ut është i nevojshëm edhe ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës. Andaj, kjo dikton nevojën e konsensusit politik me Listën Serbe, pasi që ky subjekt përfaqëson aktualisht shumicën e komunitetit serb në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.
Deputeti Demaku thotë se shndërrimi i FKS-së në Forca të Armatosura nuk mund të bëhët pa dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e komuniteteve.
"Çështje të tjera nuk ka veç nevojës për një konsensus, sepse duhen edhe votat e dy të tretave të pakicave. Mendoj se problemi është politik dhe nuk kemi njohuri për ndonjë problematikë tjetër ", u shpreh Demaku.
Nga ana tjetër, deputeti nga radhët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se deputetët serbë ende nuk kanë marrë një vendim lidhur me ketë çështje.
"Kryeministri disa herë ka theksuar që do të formohet FAK-u, por nga ana tjetër sa u takon deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, askush me ne nuk ka biseduar. Se a do të ketë ndryshime në të ardhmen unë nuk e di, por tash për tash sa i takon FAK-u nuk kemi zhvilluar bisedime", tha Rashiq.
Plator Avdiu, hulumtues nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, i tha Radios Evropa e Lirë se si duket ende nuk po ekziston një angazhim konkret dhe serioz i institucioneve të Kosovës për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Ai thotë po ashtu se kjo çështje më së shumti është shfrytëzuar për konsum të brendshëm politik.
"Mungon një lobim i fuqishëm nga ana e Qeverisë për të shtyrë përpara agjendën për kompletimin e arkitekturës së sigurisë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, përkatësisht shndërrimit të FSK-në në FAK. Siç po duket, Qeveria ende nuk e ka kuptuar peshën dhe rëndësinë e themelimit të FAK-ut, duke mos e vendosur si prioritet kryesor në këtë fazë të shtet-ndërtimit", tha Avdiu.
Në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë thonë se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet sa më parë t’i kalojë amendamentet kushtetuese për votim në Kuvend lidhur me themelimin e FAK-ut.
"Për këtë duhet të ndodh një debat i brendshëm në vend, duke përfshirë edhe partitë politike serbe në Kosovë. Nëse marrëveshjet e bisedimeve me Serbinë vendoset të dërgohen për miratim në Kuvend, atëherë parakusht për këtë të jetë pëlqimi i subjekteve serbe në Kuvendin e Kosovës për ndryshimet kushtetuese për themelimin e FAK-ut", thotë Avdiu.
Këto forca, sipas ekspertëve të çështjeve ushtarake dhe sigurisë, do të formohen gradualisht dhe nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e plotë të NATO-s brenda 5 deri 10 vitet e ardhshme, ngjashëm siç ka ndodhur edhe me Forcat e Sigurisë së Kosovës.
Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës pritet të prezantohet në Kuvend nga Qeveria përmes projektligjit që përcakton ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat do të diktojnë edhe nevojën e ndryshimeve kushtetuese. Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë pasardhëse të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të cilat kanë më shumë kompetenca të ndërhyrjeve emergjente sesa ushtarake.
Forcat e Armatosura mund të themelohen vetëm nën mbikëqyrjen e NATO-s, me numër të caktuar ushtarësh dhe me armatim dhe pajisje të përcaktuara në marrëveshje me NATO-n. (REL)