Autoritetet e sigurisë posedojnë listat e grupeve të rrezikshme

Fronti Al Nusra - Siri

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, tha të premten se autoritetet e rendit kanë të identifikuara zonat në qytete, ku në masë të madhe përkrahet ideologjia e ekstremizmit të dhunshëm fetar.

Duke folur përpara Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Hoxha tha se mekanizmat e sigurisë kanë shtuar përpjekjet e tyre në monitorim të të gjitha grupeve, organizatave dhe vendeve të dyshuara që, siç tha, përbëjnë rrezik potencial për sigurinë.

"Policia e Kosovës i ka listat e njerëzve e grupeve dhe të organizatave të ndryshme që janë rrezik potencial për terrorizimin, si në nivel kombëtar, po ashtu edhe ndërkombëtar. Ajo i përditëson vazhdimisht përmes burimeve të hapura dhe të mbyllura të saj", tha Hoxha.

Ai tha se nga të dhënat e fundit, 314 qytetarë nga Kosova i janë bashkuar luftërave në Siri e Irak.

"Dyzet persona Policia e Kosovës, përkatësisht drejtoria kundër terrorizmit, ka arritur t'i ndalojë për shkuarjen e tyre. Aktualisht në zonën e Sirisë dhe Irakut janë aktiv rreth 70 luftëtarë, dhe ka pasur një tendencë të rritjes së shkuarjes së disa prej familjeve të tyre, si gra dhe fëmijë", tha Hoxha.

Deri më thash, sipas të dhënave nga Institucionet Kosovës, 57 persona kanë humbur jetën në vatra të luftës në Lindje të Mesme, ndërkohë që 102 veta janë arrestuar deri më tani, nga të cilët 34 janë dënuar.

Ndryshe, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri thanë për Radion Evropa e Lirë se deri sa ekzistojnë problemet me ekstremizëm dhe radikalizëm nuk mund të thuhet se ka përparime të mëdha në këtë drejtim.

Fadil Demaku, nënkryetari i komisionit, tha se autoritet e rendit kanë ndërmarrë veprimet të duhura, duke provuar të zbatojnë plane dhe strategji, por, siç tha ai, ato duhet të bëjnë më shumë kur bëhet fjalë për terrorizmin.

"Vet fakti që strategjia nuk është zbatuar 100% tregon se ka ngecje në këtë drejtim. Organet e sigurisë, sidomos, duhet të punojnë shumë më tepër që ne si vend të çlirohemi nga kjo problematikë dhe dukuri, sepse është jashtë çdo koncepti të shtrirjes sonë gjeografike dhe të kulturës sonë tradicionale dhe të pranimit të islamit", tha Demaku.

Demaku tha se institucionet e Kosovës është dashur me kohë të reagojnë dhe të mos lejojnë që në Kosovë të vijë një frymë fetare islame që nuk i përket. (REL)