MSA-ja ul çmimin për veturat e reja

Ilustrim

Veturat e reja që importohen nga shtetet e Bashkimit Evropian, janë liruar për 10 për qind, pasi nuk do të paguajnë taksën doganore nga vlera e përgjithshme e automjetit.

Heqja e taksës doganore është në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim. Kjo taksë u nënshtrohet mallrave me rastin e kalimit të kufirit.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, për Radion Evropa e Lirë, tregon se pas fillimit të zbatimit të MSA-së, për veturat e reja është hequr taksa doganore, kurse për veturat e përdorura, taksa doganore paguhet nëntë për qind nga 10 për qind sa ka qenë.

“Faktikisht, edhe më herët kanë qenë tri taksa që janë paguar. Kanë qenë taksa doganore, taksa e akcizës dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Kurse, MSA-ja ndikon jo vetëm për veturat, por për të gjitha produktet tjetra”.

“Tani për veturat e reja, me kilometrazh zero,taksa doganore është hequr nga 10 për qind, sa ka qenë, tashmë është zero për qind. Derisa akciza, me një vendim të mëhershëm të Qeverisë është zero, për veturat e reja deri në 2000 kubikë. Kurse, mbi 2000 kubikë, edhe ato vetura paguajnë”, bën të ditur Stavileci.

Përfaqësues të auto-salloneve që merren me importin dhe shitjen e veturave në tregun e Kosovës, thonë se heqja e taksës doganore e ka liruar çmimin e veturave të reja në Kosovë.

Jeton Mehmeti, këshillues i shitjes në auto-sallonin “Auto Mita”, në Prishtinë, tregon se pas fillimit të zbatimit të MSA-së, interesimi i qytetarëve për vetura të reja është rritur qind për qind, por mundësitë për blerje janë të vogla.

Megjithatë, Mehmeti thotë se për veç uljes së çmimit, e rëndësishme është se tashmë procedurat për importin e veturave janë të njëjta sikurse në shtetet e rajonit.

“Nëse një veturë familjare ka qenë 10 mijë euro e faturuar nga prodhuesi, fillimisht si taksë doganore (10 për qind) është dashur të paguhen edhe 1000 euro. Kurse tash, nësenjë veturë para muajit prill ka kushtuar 13 mijë e 500 euro, tashmë do të kushtojë 12 mijë e 600 euro”.

“Për veturat e importuara të papërdorura, tashmë ka mbetur vetëm Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që është 18 për qind, taksë tjetër nuk ka, pasi që më herët është hequr edhe akciza. Pra, për të gjitha veturat që prodhohen në Evropë, çmimi është liruar”, shpjegon Mehmeti.

Edhe Adriatik Stavileci thotë se pavarësisht heqjes së taksës doganore, ende nuk është vërejtur ndonjë trend i rritjes së importit të veturave të reja.

Ai tregon se në muajin prill të këtij viti, janë importuar 143 automjete, kurse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, 151 vetura.

“Zakonisht, tregu i Kosovës për vetura të vjetra shkon deri në 20 mijë në vit, kurse vetura të reja, mesatarisht 1200 automjete të reja brenda vitit”, thekson Stavileci.

Të gjitha veturat në Kosovë importohen nga shtete të ndryshme të Evropës dhe botës, kurse çmimi varet nga marka dhe viti i prodhimit të veturës. Në Kosovë mund të importohen të gjitha veturat, pavarësisht vjetërsisë së tyre.

Sidoqoftë, të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë janë të regjistruara mbi 290 mijë mjete motorike dhe jo motorike.