Ndërlidhjet

Ndotja e ajrit shtron nevojën e "heqjes qafe" të veturave të vjetra


Ilustrim
Ilustrim

Ndotja e ajrit në Kosovë po trajtohet si një shqetësim serioz. Kohë më parë, përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kishin alarmuar se nga niveli i ndotjes së ajrit në Kosovë, shkaktohen mbi 800 vdekje të parakohshme në vit.

Njëri prej faktorëve të ndotjes së ajrit, vlerësohet të jetë përdorimi i shtuar i makinave me lëndë djegëse dhe veturave në përgjithësi.

Në Kosovë llogaritet se ka mbi 286 mijë automjete, prej të cilave disa janë prodhime të vjetra. Përderisa përdorimi i pajisjeve ekologjike për transport është gati minimal.

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, në bazë të një hulumtimi ka nxjerrë si konkluzion se mosha mesatare e veturave të regjistruara në Kosovë, është 18 vjet, apo 10 vjet më shumë se mesatarja e veturave që qarkullojnë në Evropë.

Visar Azemi nga ky konsorsium, ka thënë se ndonëse Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që në vitin 2011 veturat që importohen të mos jenë më të vjetra se 13 vjet, më pas ky vendim është shfuqizuar, kështu që tani veturat mund të importohen pa kurrfarë baze, sa u përket standardeve mjedisore dhe atyre të sigurisë.

“Ne kemi ngritur shqetësim të madh sa i përket ndikimit të këtyre veturave për ambient, lirimit të gazrave dhe sigurisë në publik”.

“Shqetësim tjetër ka qenë kontrollimi teknik e që nuk u janë nënshtruar procedurave dhe limiteve sa i përket lirimit të gazrave, nga qendrat e kontrollit teknik. Gjithashtu shifër alarmante ka qenë se gjatë vitit 2014, kanë qenë 16 mijë e 300 aksidente ku nga to kanë humbur jetën 100 persona”, ka thënë Azemi.

Në anën tjetër ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku ka deklaruar se gjendja ekonomike ka ndikuar që përcjellja e teknologjisë së avancuar për ruajtjen e ambientit, të jetë në proporcion të zhdrejtë me kërkesat e qytetarëve.

“Vitin e kaluar janë importuar mbi 18 mijë vetura. Veturat që e plotësojnë standardin janë 50.03 për qind, e që konsiderohet situatë e kënaqshme duke marrë parasysh gjendjen ekonomike. Gjithashtu çdo vit dalin nga përdorimi 15 mijë vetura".

"Ne konsiderojmë se heqja e kufizimit të vjetërsisë, do të ndikojë që nga qarkullimi të largojë veturat më të vjetra se 25 vite që njëherësh janë ndotësit më të mëdhenj të ambientit. Politikat tona janë të orientuara që të largohen këto vetura të vjetra, që në kohën kur janë prodhuar nuk është kërkuar të përmbushin kritere të larta ambientale”, ka theksuar Hoti.

Kurse kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka folur për masat që komuna mund të ndërmarrë për përmirësimin e gjendjes aktuale me veturat e vjetra.

“Kryetarja e Parisit i ka shpallur luftë makinave. Gjithashtu në New York që moti i është shpallur luftë makinave, dhe do të vjen koha kur edhe ne në Kosovë do ti shpallim luftë makinave. Kur them luftë, mendoj ta zvogëlojmë numrin e veturave dhe ta ndryshojmë qasjen që kemi për makina”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkohë, Tahire Gjergji nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka thënë se njeriu gjatë ditës konsumon rreth 15 deri në 17 kilogramë ajër, andaj cilësia jo e mirë e ajrit ka bërë që në Kosovë sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore të mbesin në vendin e parë duke prirë si sëmundje.

“Me ngritjen e numrit të automjeteve të vjetruara, situata është bërë serioze. Ne bëjmë përcjelljen e sëmundjeve kardiovaskulare, atyre respiratore dhe shumë sëmundje që janë të ndërlidhura me kualitetin e ajrit që ne thithim, dhe kjo nuk do koment pasi që këto sëmundje prijnë në listën e sëmundjeve jo ngjitëse në Kosovë”, ka thënë Gjergji.

Sidoqoftë, përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë disa herë kanë tërhequr vërejtjen për rëndësinë që ka mbajtja e mjedisit të pastër për shëndetin dhe jetën e njeriut.

Edhe raporti global i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vë në ndërlidhje të ngushtë kushtet e ambientit dhe individët që i ekspozohen mjedisit jo të pastër, e që kanë predispozita për sëmundje të ndryshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG