Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njeriu që e nisi i pari nga Kosova dialogun politik me Serbinë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, beson se vetëm përmes bisedimeve mund të promovohet paqja dhe bashkëpunimi në rajon.
Në cilësinë e presidentit, Thaçi tani pritet të ketë një rol më pasiv në këtë proces, por deklarativisht ai vazhdon ta përkrahë dialogun.
Gjatë një forumi të organizuar nga Lëvizja Fol, presidenti Thaçi ka deklaruar se gjatë mandatit të tij presidencial do të angazhohet për promovimin e dialogut në Kosovë.
Thaçi ka thënë se Kosova ka raporte të mira me vendet në rajon, dhe se raportet mes Kosovës dhe Serbisë, tani janë më korrekte krahasuar me raportet e mëhershme.
Njëherësh, ai ka kërkuar nga Serbia që t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog mes palëve në Bruksel.
"Vazhdoj të besoj se fqinjësia e mirë Kosovë - Serbi nënkupton paqe edhe për vendet e tjera të rajonit, apo më mirë të themi, normalizimi i raporteve dhe pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve, apo mes Prishtinës dhe Beogradit, nënkupton një normalizim me të gjithë shqiptarët në rajon e gjithashtu për të gjitha etnitetet që jetojnë në rajonin tonë", ka thënë Thaçi.
Sipas tij, dialogu i Brukselit nuk duhet të shndërrohet në dialog monoton.
Procesi i dialogut me Serbinë dhe normalizimi i raporteve me këtë vend, në Prishtinë në vazhdimësi është cilësuar si një nga çështjet e interesit nacional, për të cilin është kërkuar edhe kompromisi i gjerë politik me opozitën.
Por, vitet e fundit, opozita megjithatë ishte lënë anash këtij procesi. Madje, opozita i ka kundërshtuar me protesta të ashpra rezultatet e këtij dialogu, sidomos marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Përfaqësuesit e partive opozitare, këmbëngulin se nuk do të bëhen pjesë e dialogut, duke besuar se ai tashmë e ka humbur kuptimin.
Frashër Krasniqi, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë më të madhe opozitare, ka thënë për Radion Evropa e Lire se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të pranojë këtë dialog që është pa kushte dhe nuk bazohet në reciprocitet.
"Lëvizja Vetëvendosje nuk ka thënë asnjëherë që problemi kryesor i dialogut me Serbinë është fakti që nuk merr pjesë opozita. Jo. Ne kemi thënë që problemi kryesor i dialogut është që është dialog pa kushte dhe nuk bazohet në reciprocitet. Është dialog ku diskutohet për territorin dhe çështjet e brendshme të Kosovës, të cilat do të duhej të ishin çështje të vullnetit të qytetarëve të Kosovës e jo të negociatave me Serbinë", ka deklaruar Krasniqi në një përgjigje me shkrim.
Krasniqi ka thënë po ashtu se Serbia nuk e njeh Kosovën, nuk ka kërkuar asnjëherë falje për krimet e luftës, nuk ka paguar asnjë dëmshpërblim, nuk i ka kthyer fondet e vjedhura, andaj pa i plotësuar këto kushte, sipas tij, nuk kanë kuptim negociatat, pavarësisht nga kush realizohen ato.
Edhe në patinë tjetër opozitare, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se dialogu deri më thash nuk ka treguar rezultate pasi që, sipas tyre, shumë marrëveshje nuk po zbatohen.
Pal Lekaj, nënkryetar i AAK-së thotë se është konstatuar se dialogu me Beogradin pa kushtëzime e ka humbur efektin dhe se, sipas tij, Prishtina është e pafuqishme për të kërkuar zbatimin e marrëveshjeve.
"Është e vërtetë që [dikur] e kemi pas një zyrtar të Aleancës, ‘zotin Zh’ (Blerim Shala) të përfshirë në bisedime, mirëpo kemi marr vendim që mos të përfaqësohemi dhe më nuk do të marrim pjesë në bisedime me Beogradin. Është e pamundur që Aleanca të jetë pjesë përbërëse e ekipit për të negociuar gjëra që shkojnë në disfavor të Kosovës", ka deklaruar Lekaj.
Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha institucionet e Kosovës, por edhe ato të Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje parive politike opozitare që të japin kontributin e tyre në dialog më Serbinë.
"Që nga vitin 2011 ftesa për opozitën ka qenë e hapur edhe në kohën kur unë kam marr negocimin ua kam bërë ftesën zyrtare. Deri tash nuk ka pasur ndonjë sinjal nga ana e partive opozitare, por qëndrimi ynë është se për ardhmërinë euro-atlantike të Kosovës dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon të gjithë kanë obligime edhe pozita dhe opozita edhe të gjitha institucionet e qeverisë në vendin tonë", ka deklaruar Tahiri.
Ministrja Tahiri theksoi në vijim se dialogu i Brukselit ka dhenë rezultat mjaft të rëndësishme në shumë fusha
Ndër më kryesore, sipas Tahirit, janë shënjimi i vijës kufitare në veri të Kosovës, ku siç thotë ajo, atje janë autoritetet e rendit dhe të sigurisë së Kosovës.
Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, zhvillohet në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Nga rezultatet e një hulumtimi i bërë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, me temën: "Perceptimi i publikut për Politikën e Jashtme dhe dialogun me Serbinë", ka dalë se qytetarët e Kosovës mendojnë që Serbia po përfiton më shumë sesa Kosova në procesin e dialogut në Bruksel, sidomos në raport me proceset e integrimit në Bashkimin Evropian.