Pranimi i Federatës së Futbollit të Kosovës si anëtare e barabartë në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA), është lajmi i jashtëzakonshëm dhe i shumëpritur nga të gjithë sportistët dhe drejtuesit e sportit në Kosovë, e veçanërisht nga futbollistët dhe dashamirët e futbollit, vlerësojnë përfaqësuesit institucioneve sportive dhe ekspertët e sportit të futbollit në vend.
Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se anëtarësimi i Kosovës në UEFA tashmë i hap dyert për të gjithë futbollistët e Kosovës që të jenë të barabartë dhe të trajtohen të barabartë, si dhe të marrin pjesë të barabartë në garat që i organizon UEFA.
“Një lajm shumë i gëzuar dhe një lajm për një perspektivë për talentët e shumtë që i ka Kosova dhe që do t’i ketë në të ardhmen, sepse kjo është një hapje e perspektivës së jashtëzakonshme për të rinjtë e Kosovës, të cilët e kanë përjetuar izolimin për më shumë se 25 vjet”, ka thënë Hasani.
Hasani shtoi se tashmë futbollistët e Kosovës duhet t’i qasen përgatitjeve për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare.
Sipas tij, për një gjë të tillë duhet të bëhen ndryshime rrënjësore, jo vetëm në aspektin e burimeve njerëzore dhe shkollimin e mëtejmë të tyre për tu ballafaquar me sfidat e ardhshme në arenën ndërkombëtare, por edhe në aspektin e infrastrukturës. Niveli i infrastrukturës, sipas tij, është mesatar, madje edhe për nevojat e brendshme.
“Për gara ndërkombëtare, padyshim që duhet bërë investime. Në stadiumin olimpik të Mitrovicës, duhet të investohet. Por, patjetër, duhet të ndërtohet edhe një stadium krejtësisht i ri, një stadium olimpik që përmbushë të gjitha standardet ndërkombëtare, ashtu siç i kërkon UEFA dhe FIFA".
"Tash për tash ndjehet mungesa dhe unë konsideroj që ka gatishmëri tash edhe te qeveritarët, por edhe te ministria përkatëse. Edhe trysnia është e jashtëzakonshme që të avancohet në drejtim të infrastrukturës”.
Bilbil Sokoli, trajner i futbollit dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, pranimin e Kosovës në UEFA e quan drejtësi të vonuar.
“Unë mendoj se sot ndodhi realizimi i ëndrrës tonë. Megjithatë, mendoj se është drejtësi e vonuar e cila është dashur të vijë shumë më herët. Por, megjithatë, çdo gjë ka përfunduar në të mirë të Kosovës dhe tash duhet shikuar përpara, sis të organizohemi dhe t’i plotësojmë standardet, të cilat janë të domosdoshme në qoftë se dëshirojmë të krahasohemi me sportistët e mbarë Evropës dhe botës. Me pranimin e në UEFA, është hapur rruga edhe për në FIFA (Federata Ndërkombëtare e Futbollit)”.
Sipas Sokolit, aktualisht, kapacitetet njerëzore dhe infrastrukturore të futbollit të Kosovës janë të ngjashme me ato të shteteve që sapo kishin dalë nga ish-Jugosllavia dhe që ishin pranuar në UEFA.
“Ne i ngjajmë të gjitha shteteve të ish-Jugosllavisë, të cilat janë pranuar në fillim. Prandaj, infrastruktura është e njëjtë apo e ngjashme. Kuadri profesional dhe i futbollistëve është, aty-këtu, i ngjashëm, prandaj, nuk jemi shumë prapa në aspektin e mundësive të plotësimit të standardeve".
"Nuk diskutohet që ne duhet të bëjmë përpjekje që shumë shpejt të organizohemi sipas standardeve evropiane, por jam i sigurt që këtë do ta arrijmë”.
Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës e kanë pritur me mjaft gëzim pranimin e Kosovës në UEFA.
Arbër Xhani, një student nga Prishtina, thotë se me gjithë shpresën për pranimin e Kosovës në UEFA, lajmi ka qenë i papritur për të.
“Për mua ka qenë lajm i papritur, sepse, realisht, kam qenë pak i zhgënjyer me politikat e fundit dhe kjo ka qenë një befasi e madhe. Shpresojmë se ky lajm dhe ky pranim në UEFA, t’iu paraprijë edhe shumë tjerave, sikurse pranimi në FIFA dhe në të tjera. Jam i gëzuar dhe shpresoj që kjo të jetë një zhvillim për futbollin kosovar”.
Visar Berisha, po ashtu student nga Prishtina, e ka quajtur të veçantë lajmin për pranimin e Kosovës në UEFA.
“Ky është një lajm shumë i mirë për ne dhe shumë i gëzueshëm. Pas pavarësisë së Republikës së Kosovës, të cilën e kemi pritur, ky ka qenë lajmi i dytë shumë i mirë për ne. Kjo është një shenjë e mirë për shtetin e ri të Kosovës”.
Në anën tjetër, për qytetarët serbë në Mitrovicën e veriut, pranimi i Kosovës në UEFA ka qenë i pritshëm.
Një prej këtyre qytetarëve thotë se pranimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar ka qenë paralajmërim edhe për pranimin e Kosovës në UEFA.
“Kjo është pritur, në rend të parë, sepse, po të mos konsiderohej shtet, nuk do të pranohej as në Komitetin Olimpik ndërkombëtar”, tha qytetari serb.
Një tjetër, pranimin e Kosovës në UEFA, e shikon si komplot ndaj Serbisë.
“Sa i përket UEFA-s, ata janë vetëm lobues. Edhe më tej perëndimi po e shfrytëzon momentin e dobësisë së Serbisë”, tha qytetari serb nga Mitrovica e veriut.
Pas anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, pranimi i Kosovës në UEFA e ka përmbyllur kaptinën e ndërkombëtarizimit të sporteve të Kosovës.