Qytetarët e Maqedonisë janë të mendimit se do të jetë shumë i vështirë procesi i demokratizimit të institucioneve shtetërore dhe instalimi i sundimit të drejtësisë, ndonëse për ta, puna e Prokurorisë Speciale është shpresëdhënëse në këtë drejtim.
Nikolla Ilievski, avokat, thotë se partitë politike, me të marrë në duar pushtetin, sillen si pronarë dhe jo udhëheqës të vendit. Kjo gjë, sipas tij, ka bërë që në vend të mos ketë të ardhme, veçanërisht për gjeneratat më të reja.
“Shumë keq, aktualisht politika ka krijuar një ndarje të thellë në shoqëri, veçanërisht te populli maqedonas, kjo nuk është aspak në interes të shtetit. Në vend se shteti të ecë përpara, duket se ka ngecur çdo gjë, ekonomia, procesi i integrimit. Madje, tani as të rinjtë, nuk shohin asnjë perspektivë këtu. Unë do të pensionohem për disa muaj, kurse fëmijët akoma i kam pa sistemuar në punë në bazë të asaj për çka janë diplomuar”, thekson avokati Ilievski, i cili këtë vit pret të dalë në pension.
Ndërsa, Hamdi Nuhiu është i mendimit se politikanët janë pengesa kryesore që Maqedonia të funksionojë në bazë të vlerave evropiane, sepse ata kanë frikë nga përballja me drejtësinë.
“Shqiptarëve u bëhen padrejtësi në çdo lëmi, si në gjyqe, si në aspektin e ndarjes së buxhetit gjatë investimeve, si në lëmin e shëndetësisë, në çdo drejtim, mos t’i radhis tani të gjitha. Personalisht, nuk jam kundër maqedonasve, por jam kundër të gjithë kriminelëve, të cilët fshihen pas petkut të politikës”, shprehet Nuhiu, rreth të dyzetave.
Driton Hoxha, student i Drejtësisë, është i mendimit se kjo elitë politike duhet të hiqet nga skena, sepse ka humbur jo vetëm respektin e elektoratit, por nuk është kredibile as në sytë e faktorit ndërkombëtar.
“Duhet të shkojnë të gjithë politikanët e korruptuar në histori, dhe partitë politike të reformohen në esencë, të gjithë ata të cilët dolën se janë të përfshirë në krim në bazë të bisedave të përgjuara dhe hetohen nga Prokuroria Speciale, duhet të largohen nga skena politike. Ka të rinj të aftë, të cilët mund të marrin përgjegjësi për ta çuar vendin para dhe ky zë duhet të jetë gjithnjë e më i fuqishëm”, thotë Driton Hoxha.
Nga ana tjetër, Vlladimir Atanasovsit, stomatolog, vlerëson se politika ka hyrë në çdo pore të shoqërisë, ngritja profesionale varet nga politika dhe jo nga puna që bëjnë qytetarët si individë.
“Politika nuk duhet të ketë ndikim të madh te njerëzit e rëndomë. Por, fatkeqësisht këtu gjithçka është e ndërlidhur me politikën. Motrën e kam në Londër, gjatë vizitës sime tek ajo, vërejta se atje pothuajse të gjithë punojnë nga orët e hershme të mëngjesit deri në orën 6 , dhe kur vijnë në shtëpi ulen për të ngrënë darkë dhe gjithë vëmendjen ia kushtojnë familjes, kurse këtu asgjë nuk punohet dhe tërë ditën ushqehemi me politikë”.
“E shihni, në kohë të drekës sa janë të mbushura kafiteritë me të rinjtë që rrinë kot, patjetër se duhet të ndryshohet ky koncept i jetesës që e kanë prodhuar politikat e qeverisjes aktuale, duhet të krijohen vende pune dhe në bazë të vlerave të ngrihen më të mirët në detyrë dhe jo në bazë të preferencave të partive”, thotë Vlladimir Atanasovski.
Organizatat joqeveritare, të cilat i organizojnë protestat, thonë se revolta kundër politikave të Qeverisë, ka bërë që pushteti për herë të parë të përballet me zërin e qytetarëve, duke kërkuar që edhe ata të jenë pjesë e bisedimeve në gjetjen e një zgjidhjeje për ta nxjerrë vendin nga kriza.
“Nëse qytetarët janë të qartë dhe mobilizimi i tyre është konsistent dhe ata mbeten të vendosur në realizimin e kërkesave të tyre, atëherë pushtetmbajtësit nuk do të kenë zgjidhje tjetër, pos që institucionet e shtetit të demokratizohen, dhe shteti të hyjë në binarët e duhur”.
“Prania e qytetarëve në procesin e demokratizimit të shtetit bëhet imperativ, sepse nuk mund të ndodhin më ndryshime politike dhe qytetarët të mos pyeten se në cilin orientim dëshirojnë ata të ecë shoqëria në këtë shtet”, thotë Igor Micevski, aktivist në lëvizjen Protestoj.
Nga ana tjetër, Albert Hani, nga Qendra për Menaxhimin e Konflikteve, thotë se në këtë moment sektori civil duhet të unifikojë qëndrimet duke dalë si një zë i fuqishëm me atë që do të përfaqësojë të gjithë qytetarët, sepse siç thotë ai, e keqja që është mbjellë si pasojë e krimit, prek të gjitha përkatësit etnike, fetare, madje dhe politike.
“Sektori civil tashmë ia ka arritur qëllimit që t’i japë një kahe procesit për demokratizimin e Maqedonisë si shtet, duke shprehur zëshëm mospajtimin e vet me vendimet që po i merr elita politike në vend, duke na çuar të gjithëve këtu në një humnerë, nga e cila do të jetë shumë vështirë të dilet. Këtë gjë, si duket e kanë kuptuar qytetarët, andaj dhe i japin gjithnjë e më shumë përkrahje sektorit civil sesa partive politike”, thekson Hani .
Ndryshe, menjëherë pas festave, pashkëve ortodokse dhe Një Majit, do të riaktivizohen protestat e qytetarëve në Shkup dhe më shumë qytete të Maqedonisë me kërkesë që presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov, të tërheqë vendimin për faljen e politikanëve dhe të gjithë ata, të cilët janë zhytur në krim të përgjigjen para drejtësisë.
Gjithashtu, kërkohet të prolongohen zgjedhjet e caktuara më pesë qershor, si dhe të formohet një qeveri teknike në nivel ekspertësh, e cila do të ketë për detyrë që vendin ta përgatisë për zgjedhje të besueshme.
Njëkohësit, për disa ditë, përkrahësit e pushtetit kanë organizuar protesta, siç kanë thënë, në mbrojtje të Maqedonisë, duke kërkuar që zgjedhjet të mbahen pikërisht më pesë qershor dhe në këtë formë, sipas tyre, t’i jepet fund agonisë që po e krijojnë shërbimet e huaja që veprojnë në vend.